Letër e hapur nënave të reja

Oct 7, 2018 | 12:18
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA/ edmond-tupjaTë nderuara zonja,

Më vjen keq që me këtë letër nuk do t’u drejtohem të gjitha nënave, pra, as gjysheve e stërgjysheve në Republikën demagogjikisht demokratike të Shqipërisë, por vetëm atyre grave që, duke filluar nga një janari i vitit të ardhshëm, do të bëhen nëna për herë të parë, të dytë dhe të tretë. “Përse kështu?”, mund të pyesni ju. Thjesht për të bërë një koment lidhur me vendimin e trumbetuar me aq bujë publike e lavdi vetjake se, duke nisur nga data e lartpërmendur, qeveria juaj e qenësishme do t’ju shpërblejë juve me 40 000 lekë për fëmijën e parë, me 80 000 për të dytin/dytën dhe 120 000 për të tretin/tretën. Lajm i mirë, madje superlajm, veçse në vështrim të parë, ndoshta edhe të dytë, mbase, kushedi, edhe të tretë. “Përse kështu?”, mund të pyesni ju sërish. Thjesht sepse ky lajm a superlajm është si pema që fsheh pyllin. Po shpjegohem.

Të dashura nëna të pas një janarit, ju që do ta shihni veten me një, dy apo tre fëmijë,

A mund të më thoni sa kushton rritja e një fëmije të porsalindur? Nëse nuk jeni në gjendje të ma thoni me saktësi, atëherë merrni një laps dhe një fije letre dhe, bashkë me një nënë që tashmë ka rritur të paktën një fëmijë deri në moshën 14 vjeç, filloni të llogaritni të tëra shpenzimet me këtë rast. Do të shihni që paratë e premtuara me daulle e tamtam nuk janë veçse një vrimë në ujë oqeani, sidomos kur bashkëshorti juaj është i papunë dhe, mjerisht, askush tjetër nuk mund t’ju ndihmojë, madje as prindërit tuaj apo të bashkëshortit kur janë edhe ata të papunë ose kanë pensione qesharake. Sidoqoftë, ju keni mikesha e miq, shoqe e shokë, sidomos beqare e beqarë, vejane e vejanë, të divorcuara e të divorcuar, të cilat e të cilët janë gati ta ndihmojnë qeverinë tuaj të qenësishme, ndonëse tmerrësisht të varfër, për t’i siguruar fondet e nevojshme në mbajtje të premtimit që sapo ju ka bërë, edhe sikur kjo qeveri t’i detyrojë ato dhe ata të paguajnë një taksë beqarie, një taksë vejërie e një taksë divorcërie.

Mendimi im, gjithsesi, është se ju duhet ta kuptoni qëllimin e qeverisë suaj të qenësishme e të Kryeministrit tuaj edhe më të qenësishëm, madje deri në marramendje; po, po, ta kuptoni edhe më thellë, edhe më lart, edhe më anash, majtas e djathtas. Këtë mund ta arrini vetëm duke pasur parasysh historinë e vendit që nga pushtimi fashist i 7 prillit 1937 deri në pushtimin komunist të 29 nëntorit 1944. Musolini, kur dërgoi trupat e tij të pushtonin vendin tonë, i kishte bërë fort mirë llogaritë: asokohe Shqipëria numëronte rreth një milion banorë, prandaj Duçja, pasi ishte bindur që Shqipëria mund të mbante e të ushqente pesë milionë të tillë, shpresonte ta arrinte këtë nivel popullimi me katër milionë kolonë italianë. Pas çlirimit të vendit, me të njëjtën logjikë, veçse jo pushtuese, por mbrojtëse, regjimi i Enver Hoxhës nxiti shtimin e lindjeve, duke u siguruar familjeve me shumë fëmijë disa avantazhe, sepse i duheshin ushtarë “për të mbrojtur atdheun socialist”, d.m.th. për të siguruar sundimin e tij absolutisht absolut, pandehte ai. Sot, pas pushtimit ramist të vendit tonë, pra, që nga ardhja në pushtet e së majtës shqiptare nën udhëheqjen e lavdishme të të pagabueshmit, të supersupremit e të të përjetshmit Edi Rama, paratë e premtuara nënave 1+2+3 fëmijë, do t’i japin mundësi Republikës demagogjikisht demokratike të Shqipërisë të rritë numrin e popullsisë së saj, çka do të shtojë me siguri maksimale numrin e mërgimtarëve shqiptarë drejt Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Australisë dhe, pse jo, Japonisë, qofshin ata mërgimtarë për arsye ekonomike, politike apo studimesh të larta. (Meqë ra fjala, a e dini ju se 94 për qind të atyre që studiojnë ose duan të studiojnë jashtë shtetit, nuk dëshirojnë të kthehen në atdhe pasi të jenë diplomuar?) Në këtë kuadër, qeveria juaj, ç’është e vërteta, po ndjek qenësisht një strategji të stërholluar kombëtare. Po, po, nuk po bëj aspak shaka: Duke u rritur vertikalisht numri i mërgimtarëve shqiptarë, dhe kjo falë ndihmës qesharake, në rastin më të mirë prej (40 000 + 80 000 + 120 000 =) 240 000 për nënat 1+2+3, në vendet e lartpërmendura do të shtohet e forcohet ndjeshëm prania e shqiptarëve, të cilët me siguri do të përpunohen psikologjikisht nga ana e qeverisë së atdheut të tyre për t’u mbledhur në bashkësi kombëtare të tipit Chinatown, por të quajtura Albaniatowns, me qëllim final depërtimin e nëndheshëm në të gjitha strukturat e pushtetit, kryesisht në vendet e Bashkimit Europian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta marrë përfundimisht atë pushtet në mënyrë që, në një të ardhme ndoshta jo fort të largët, kozmonautët amerikanë me prejardhje shqiptare të pushtojnë kozmosin e të krijojnë atje, më në fund, Shqipërinë e Madhe Ndërplanetare!

Me respekt të veçantë për ju të gjitha dhe me dhembshuri e keqardhje të sinqertë për të gjitha simotrat tuaja që, mjerisht, nuk i plotësojnë dot më kushtet fiziologjike për t’u bërë nëna 1+2+3, ju përshëndes!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura