Lëshimi i satelitëve në orbitë/ Ardit Çela ironizon kryeministrin: Propagandë dhe strategji komunikimi, duhet hequr vëmendja nga buka dhe të ëndërrojmë për kozmosin

Oct 14, 2021 | 19:06
SHPËRNDAJE

Ish-kandidati për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ardit Çela ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Parlament se brenda këtij mandati do të lëshojë satelitë në orbitë.

ardit-cela-764x450

Sipas Çelës, kjo është një propagandë dhe strategji komunikimi nga ana e kryeministrit Rama për të hequr vëmendjen nga hallet që kanë qytetarët.

Me anë të një postimi në Facebook, Çela shkruan se Rama synon t’i heqë vëmendjen shqiptarëve nga buka dhe çmimet e larta dhe të ëndërrojnë për kozmosin.

“Është e qartë që Kryeministri e ka notën 10 për propagandë dhe për strategji komunikimi. Është fakt që nuk mund ta mohojë askush. Element i kësaj merite të pamohueshme ishte edhe sot, lëshimi paraprak i satelitëve në orbitë! I lëshoi sot paraprakisht, sikurse do t’i lëshojë dhjetëra herë të tjera në vijimësi, ku me ligjërata, ku me takime me kontraktor, ku duke sajuar konferenca teknologjie apo me leksione sigurie. Testi i parë kaloi. Ushqim i përtypshëm për masën dhe i pëlqyeshëm për stomakun e derrmuar për të ngopur edhe njëherë popullatën me lugën bosh.

Kryeministri është i vetëdijshëm. Në mungesë të bukës dhe lugës së mbushur, masa ka nevojë të ëndërrojë. Ai e di se kanë nevojë për satelitë, shigjeta, raketa. Do shkojmë në orbitë, në kozmos! Duhet hequr vëmendja nga buka, sepse bukë nuk ka, dhe nëse ka, çmimi i është rritur. Duhet hequr vëmendja nga mielli, vaji, orizi, sheqeri, veza, nga rritja e çmimeve përditë.

Duhet hequr vëmendja nga miliardat e borxheve që do të rimarrim, duke ia shtuar atyre qindra miliardave të borxheve që kemi marrë, që t’i çojmë për të paguar miliarderët e inceneratorëve që gllabërojnë përditë bukën, ushqimin, shkollimin, të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve.

Duhet hequr vëmendja nga miliardat e lekëve për koncensione për rrugët e klientëve. E ndërkohe, shqiptari i thjeshtë në fund të muajit, tkurret e rrudhet, mblidhet kruspull. Qeraja, kredia, shkolla e fëmijës, drita dhe uji, ilaçet e prindërve, aboneja, mirëmbajtja, buka, mielli, vaji, sheqeri. Dhe që të harrojë … i duhet të ëndërrojë! Sateliti, Orbita, Kozmosi…! Albania”, shkruan Ardit Çela.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura