Lëndët me zgjedhje, si të plotësoni numrin e krediteve

Feb 25, 2012 | 13:47
SHPËRNDAJE

Matura, broshura në shkolla për të mos gabuar me shkollën e lartë.

MASH: Nëse s’merrni 8 kredite, formulari A1, i pavlefshëm.

Pas botimit të formularit A1, Ministria e Arsimit ka udhëzuar të gjitha shkollat t’i informojnë nxënësit mbi sistemin e krediteve, që do të aplikohet për herë të parë këtë vit në maturë. Ata duhet të bëjnë kujdes në plotësimin e formularit A1. Nëse dy ose tri lëndët që kanë zgjedhur nuk e kanë shumën e kreditive minimumi 8, formulari quhet i pavlefshëm. Zyrtarisht, specialistët e MASH-it pohojnë se gjatë gjithë shkurtit dhe marsit do të shpërndahen në shkolla broshura informuese për mënyrën si nxënësit të bëjnë zgjedhjen e duhur për në shkollat e larta. ”Janë materiale informuese mjaft të vlefshme, në mënyrë që maturantët të dinë se në çfarë degësh e kanë më të përshtatshme të studiojnë. Po kështu, mësuesit janë udhëzuar t’u japin të gjithë informacionin lidhur me kreditet. Për herë të parë mbaron brezi me kurrikulat e reja dhe, për rrjedhojë, duhet të orientohen nxënësit”, sqaroi drejtori i reformës dhe koordinimit, Isuf Neli. Ai bën me dije se në shkolla do të afishohen lëndët me zgjedhje dhe kreditet që u korrespondojnë.
Kreditet
Çdo lënde me zgjedhje që kanë në dispozicion maturantët, u korrespondon një numër i caktuar kreditesh. Në gjimnaze janë 27 lëndë me zgjedhje  të ndara sipas dy kurrikulave. Secilës lëndë i korrespondojnë minimalisht 2-10 kredite. Numrin maksimal e kanë gjuhët e huaja të përzgjedhura nga MASH si prioritare. Shuma e krediteve për lëndët që do të përcaktohen në formularin A1 nuk mund të jetë më e vogël se 8 kredite. “Pra, nëse një nxënës zgjedh të japë një lëndë, që është gjuhë e huaj e dytë, së cilës i korrespondojnë 6 kredite, i duhen dhe dy kredite shtesë të plotësojë numrin e nevojshëm. Ndërsa nëse një nxënës zgjedh të japë njërën lëndë, që është gjuhë e huaj e parë me 10 kredite, ai duhet të zgjedhë edhe një lëndë tjetër, edhe pse numrin minimal e ka kaluar me një lëndë. Një maturant nuk mund të japë vetëm një lëndë me zgjedhje”, sqarojnë specialistët e MASH-it. Ata sqarojnë se çdo maturant mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja si provim me zgjedhje, me kusht që njëra të trajtohet si gjuhë e huaj e parë dhe tjetra si gjuhë e huaj e dytë, në përputhje me kreditet përkatëse, që janë 10 dhe 6. Sa i përket llogaritjes së pikëve, për herë të parë do të zbatohen dy formula. Kjo pasi maturantët do të kenë mundësi që në varësi të dëshirës të japin edhe një lëndë të tretë me zgjedhje. ”Edhe pse mund të zgjidhen dy lëndë në të cilat maturanti është më mirë se të tjerat, nëse numri i krediteve nuk përputhet me minimumin e lejuar, atëherë zgjedhja është e gabuar”, sqarojnë specialistët. Sipas tyre, përpara se të vendosin se cilat lëndë do të japin në provim, të gjithë nxënësit duhet të konsultohen me tabelat e krediteve. ”Maturantët kanë lirinë që përveç dy lëndëve që do të zgjedhin vetëm për t’i dhënë provim, të marrin edhe një të tretë. Është fakultative”, sqarojnë specialistët.

Kreditet sipas lendeve
Nga kurrikula bërthamë:

Gjuhë e huaj e parë         10 kredite
Kimi                 4 kredite
Fizikë             4 kredite
Biologji             4 kredite
Shkenca të tokës         2 kredite
Qytetari             3 kredite
Histori             5 kredite
Gjeografi             5 kredite
Ekonomi              3 kredite
Teknologji             2 kredite

Nga kurrikula me zgjedhje:
Letërsi e thelluar         5 kredite
Matematikë e thelluar        5 kredite
Fizikë e thelluar         2 kredite
Kimi e thelluar         2 kredite
Biologji e thelluar         2 kredite
Trashëgimi kulturore         4 kredite
Sociologji             2 kredite
Histori e thelluar         4 kredite
Gjeografi e thelluar         2 kredite
Psikologji             2 kredite
Filozofi             2 kredite
Ekonomi e thelluar         2 kredite
Teknologji e thelluar         2 kredite
Gjuhë e huaj e dytë angleze     6 kredite
Franceze             6 kredite
Gjermane             6 kredite
Spanjolle             6 kredite

Formulari A1, afati deri më 10 mars
Formulari A1 ka pak ditë që është shpërndarë në shkolla. Maturantët do të kenë afat deri më 10 mars për ta dorëzuar të plotësuar. MASH u ka bërë thirrje të konsultohen edhe me tabelat e koeficienteve të lëndëve që kanë caktuar universitetet përpara se t’i zgjedhin ato. Janë publikuar gjithashtu rregullat për mënyrën si duhet të plotësohet. Formulari A1 plotësohet me stilolaps (me një ngjyrë, blu ose të zezë) dhe me shkronja të mëdha të shtypit, thuhet në udhëzim. Formulari konsiderohet i vlefshëm vetëm nëse është plotësuar në mënyrë të saktë dhe të kuptueshme. Në rast të kundërt, ai do të konsiderohet i pavlefshëm dhe maturanti humbet të drejtën e regjistrimit. Në rast se maturanti ka bërë gabime në plotësimin e formularit, ai mund të plotësojë një tjetër formular A1, brenda afatit të dorëzimit, duke bërë të pavlefshëm dhe duke e asgjësuar formularin e plotësuar gabim. Formulari A1, pas plotësimit, kontrollohet me kujdes për saktësinë dhe më pas firmoset nga maturanti, mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës.

Mbartja e lëndëve me zgjedhje
Nëse maturantët kanë mbartur vetëm një lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e para vitit 2012 dhe në tjetrën kanë marrë më pak se sa 4.50, atëherë në listën e lëndëve me zgjedhje duhet të qarkojnë një lëndë, në përputhje me kriterin e plotësimit të 8 krediteve. Nëse lënda që keni mbartur është gjuhë e huaj, lënda që do të qarkoni në listën e lëndëve me zgjedhje mund të jetë edhe gjuhë e huaj e dytë, por e ndryshme nga ajo që do të mbartni.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura