Lena: Shiriti të bën të jesh lider, nuk dua të dalim të dytët si me Flamurtarin

Sep 21, 2017 | 17:19
SHPËRNDAJE

Edhe pse drejtuesit durrsakë i ranë “kambanës” para fillimit të sezonit duke paralajmëruar se Teuta këtë vit ishte ndërtuar për objektiva madhore, për një pjesë të madhe të opinionit sportiv, ecuria e “Djemve të Detit” në këto 2 javët e para kanë qënë me të vërtetë surprizë.

Lena

Skuadra e trajnerit Magani kryeson e vetme kampionatin me pikë të plota, duke e bazuar forcën te grupi. Në një prononcim për “Supersport” kapiteni Nijaz Lena është shprehur i lumtur për ecurinë pozitive të skuadrës në këtë start kampionati si dhe i lëshon sfidë ish-skuadrës së tij Flamurtarit në ndeshjen e radhës. Lena i ka bërë thirrje shokëve të ekipit që të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të gjithë së bashku të punojnë për të marrë maksimumin.

Lena

Ecuria pozitive me Teutën

“Kam deklaruar para fillimit të kampionatit që do ecim mirë. Deri tani jam mirë me deklaratën që kam dhënë. Gjithsesi nuk ka vend për eufori sepse sa ka filluar kampionati, na presin edhe shume ndeshje të tjera të vështira. Nuk ka kundërshtarë të lehtë, në qoftë se nuk vlerësohet ndeshja, sidomos ato jashtë janë shumë problematike për t’i fituar.”

Shiriti i kapitenit

“Vetë shiriti të bën të jesh lider. Unë në mendjen time gjithmonë kam qënë lider në fushë pavarësisht kam pasur shirit apo jo. Për momentin po e shijoj shumë pasi jemi dhe në vend të parë kështu që dëshiroj që kjo atmosferë të zgjas sa më shumë dhe seritë e fitoreve të vazhdojnë edhe në javët e ardhshme.”

Titulli kampion

“Nuk dua ta përsëris sezonin 2010-2011 kur isha pjesë e Flamurtarit, sepse dolëm në vend të dytë. Dua të bëj më mirë. Me profesor Maganin atë vit ishim shumë afër titullit kampion. Pastaj në Durrës para 1 viti e gjysmë dolëm në Kupën e Europës, që ishte dhe maksimumi me atë ekip. Tani me thënë të drejtën nuk kemi eksperiencën e Flamurtarit të 2010, por këtu të Teuta ka një dëshirë që nuk e kishim atë vit. Në qoftë se do e kishim do ishim shpallur kampion.”

Ndeshja e radhës ndaj Flamurtarit

“Me Lushnjën kam parë një Flamurtar që e kishte egon për ta fituar ndeshjen edhe pse me një lojtar më pak. Ne do të futemi gjithmonë në fushë për ta fituar ndeshjen, si jashtë, si brenda. Edhe me Flamurtarin kjo do ndodhë.”

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura