Lela Kokona Dardha/ Dhimbja që çlirohet duke shkruar

May 26, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Ajo i kishte pasur gjithnjë letrat nëpër duar. Sa herë lexonte, qoftë fshehtas, qoftë natën, mbante shënimet e saj, që shkonin përtej asaj që lexonte. As që e mendonte se një ditë do t’i hynte “zyrtarisht” të shkruarit. Lela Kokona Dardha ka qenë dikur mësuese e rusishtes, por kur kjo gjuhë, për arsyet politike që të gjithë i dimë, u hoq nga shkollat, u bë mësuese e ciklit të ulët. Nga Tirana ku kishte jetuar, u zhvendos në Shijak kur u martua.

Lela Kokona Dardha Fate te trasheguara

Presioni i një vendi të vogël, ndryshe nga ç’ishte mësuar më parë, nuk mund ta shtendoste, veçse duke lexuar. Edhe këtë nuk mund ta bënte sa herë donte. Rritmi i jetës mes punës në shkollë e të gjitha atyre në shtëpi, nuk e lejonin të “harrohej” sa herë që donte nëpër histori të bukura që e çonin në realitete të tjera. Por, përveç kësaj, edhe mentaliteti mbytës e bënte të frenohej e as të mos guxonte të mendonte se shkrimet mund të ishin zgjidhja e një mendje më të rehatuar.

Sigurisht që as kriza e kapërcimit të sistemeve, nuk ishte situatë më lehtësuese. Lufta e secilit për mbijetesë, atyre viteve, u largoi e harroi shumë pasione. Mirëpo, kur dëshirat i ke në damarë, sado të të vrasë koha, një ditë do të dalin. “Guximin” për të hedhur ndjenjat e brengat në letër, Lela e mori shumë vite pas largimit nga jeta të motrës së saj. Ato patën jetuar larg njëra-tjetrës për shumë vite. Kur pas vitit ’90 ajo emigroi në Zvicër, Lela bënte me të vetëm telefonatat e zakonshme, që në më të shumtën e rasteve janë “gënjeshtare”.

 

lela kokona

Kështu rezultuan edhe të tyret… Ato “ne mirë, po ju si jeni?” shumë shpejt rezultuan të rreme. E motra, jo vetëm që nuk kishte qenë mirë në marrëdhënien e saj me bashkëshortin, por shpejt u sëmur edhe nga gjendja shëndetësore. U largua nga kjo botë shumë shpejt, duke lënë pas dy vajza të vogla. Të gjitha peripecitë që kishte kaluar në Zvicër, Lela i mori vesh kur e motra, Vjollca, u kthye në Shqipëri, pasi shteti i atjeshëm nuk u lejonte më qëndrimin.

Siç duket, brengat ishin ngjeshur aq sa shpërthyen në leucemi, sëmundja prej së cilës vdiq. Është e tepërt të themi që Vjollca qëndroi përditë në mendjen e së motrës. Nëse ndonjëherë ndodh që me kalimin e kohës gjërat shuhen, me Lelën po ndodhte e kundërta. Dhimbja akumulohej… Në këtë gjendje i pati mendimet e para për t’i shkruar përjetimet në letër. Tashmë gjyshe, përsëri nuk e kishte kohën e lirë të pakufishme.

 

Lela Kokona Dardha KUjtime te trishta

Organizoi ditën, në pjesën e parë do të rrinte me mbesat, pasdite do të bënte gjërat që nevojiteshin në shtëpi, ndërsa në darkë do të shkruante. Ndonjëherë nuk e kuptonte që duke shkruar, kishte shkuar ora 3 pas mesnate. Vazhdoi kështu e pas çdo fjale ndiente peshën e dhimbjes se si shfuqizohej. U kthye në një terapi të përnatshme që, kur e mbylli, i mungoi.

Libri i parë që nxori në moshën e pensionit, kushtuar së motrës, e bëri të kuptojë se të shkruarit kishte qenë gjithmonë për të. I la pak kohë vetes të distancohej nga krijimi i parë dhe nisi të dytin. Këtë herë do të ishte më artistike. Sado që edhe në librin e parë i trajtoi ngjarjet si roman, këtë herë kishte vërtet luksin të krijonte mirëfillazi. “Fate të trashëguara” ishte fëmija i dytë që erdhi gati një vit pas të parit.

Tashmë, ngjarjet zhvendosen në Kalabri e personazhet janë krejt të krijuar, por, siç ndodh gjithnjë me të shkruarin, nuk mund ta distancosh nga vetja. Do të ketë aty gjithnjë gjëra prej teje. Këtë herë ishin historitë e së shkuarës, ato kujtime që babai i tregonte Lelës kur ishte ende fëmijë e ajo s’kishte mundur t’i harrojë. Gjeti një zgjidhje të zgjuar për t’i larguar personazhet e saj nga Shqipëria në mënyrë që të mos cenonte askush dhe të “luante” pak me ta sipas humorit të saj.

Është një libër me ngjarje të ngjeshura, që vetëm duke u lexuar mund të zbulohet. Lela e lexoi vetë e para kur e mori në duar, ndërsa tani merr nga gjumi i natës për të shkruar librin e tretë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura