Leku thyen rekordin, forcimi më i lartë ndaj Euros se në çdo vend tjetër

Nov 12, 2018 | 8:46
SHPËRNDAJE

Monedhat kombëtare janë forcuar në të gjithë rajonin përgjatë vitit të fundit, por në Shqipëri mbiçmimi i monedhës kombëtare Lekut, kundrejt Euros dhe Dollarit ka qenë më i fortë se në 5 vendet e tjera, duke përjashtuar Kosovën dhe Malin e Zi pasi ata kanë bërë adoptim të njëanshëm të euros.

euro-numeroj-1024x634

Të dhënat kombëtare të vendeve të përpunuara nga Banka Botërore tregojnë se, nga qershori 2017 deri në qershorin 2018, leku shqiptar është forcuar pothuajse me 5%  në këmbim me monedhën e përbashkët euro dhe rreth 9% në raport me dollarin amerikan.

Pas Shqipërisë mësohet se më së shumti, forcimin më të madh e ka pasur Dinari Serb, i cili gjatë një viti është forcuar rreth 7% ndaj dollarit dhe 2% ndaj euros.

Në Bosnjë dhe Maqedoni, monedhat kombëtare Dinari Maqedonas dhe BAM-i boshnjak u vlerësuan vetëm në këmbim me dollarin, teksa nuk u shënua ndryshim me euron gjatë një viti.

Euro e mbylli 2017-n në nivelin e 133 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, teksa mesatarja për gjithë vitin arriti në 134.1 lekë. Ky është niveli më i ulët në 9 vjet, që prej 2009-s, kur monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 132.1 lekë. Më pas euro u forcua, duke u stabilizuar për 5 vjet radhazi (2011-2015) në nivelin e 140 lekëve.

Kërkesa e madhe për valutë, e nxitur dhe nga transferimi i fitimeve të kompanive të huaja, kryesisht të telekomunikacionit dhe oferta e kufizuar për të ishin arsyet kryesore që e mbajtën euron në ekuilibrin e 140 lekëve, ndërsa rolin e stabilizatorit me tregjet ndërkombëtare e mbajti dollari, që shënonte dhe luhatjet më të mëdha, duke u rritur kur euro binte në mënyrë që të ruante raportet e kryqëzuara në tregjet ndërkombëtare. Leku fitonte pikë lehtë ndaj euros gjithnjë në verë dhe në fundvit, si rrjedhojë e efekteve sezonale (turizmit dhe prurjeve të emigrantëve), por pa iu larguar shumë nivelit të 140 lekëve.

Thyerja e ekuilibrit të euros filloi në gjysmën e dytë të vitit 2016, sidomos pas muajit tetor, kur monedha e përbashkët humbi pikë me shpejtësi, për të arritur nga rreth 139 lekë në fillim të vitit në 135 lekë në dhjetor. Hyrja e lartë e valutës që filloi të vinte nga ekonomia informale, (viti 2016 shënoi një nivel të lartë të kultivimit të hashashit, që u mboll në prill-maj dhe u korr në shtator-tetor dhe filloi të shitej në tetor), rriti dukshëm ofertën për euro në tregun e brendshëm.

Janari 2017 filloi me një nënçmim të lekut, teksa euro u ngjit në nivelin e 137 lekëve, si rrjedhojë e transferimit të fitimeve nga kompanitë e huaja. Por, kjo zgjati shumë pak. Rritja e ofertës për valutë bëri që euro të binte me shpejtësi, duke zbritur në nivelin e 133 lekëve në maj.

 

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura