Leksionet e Robert Elsie, njeriu që udhëtoi shqip

Oct 3, 2017 | 9:54
SHPËRNDAJE

baci agimAGIM BAÇI

Nëse ka sot një portret të Shqipërisë për joshqiptarët, disa prej penalatave të rëndësishme të këtij portreti që është ende udhës për t’u plotësuar nga ne të gjithë, kanë firmën e Robert Elsie. Ashtu, i heshtur, thuajse fare i papranishëm në përditshmërinë mediatike, Elsie ndërtoi plot dashuri një portret të historisë dhe kulturës shqipe. E njohu Shqipërinë në kohën kur gjithçka rrëshqiste në kotësi, në kohën e absurdit të gjithanshëm, në vitin 1978.

Por diti të shihte shumë më larg se sa i prezantonin. Dhe ashtu, ditë pas dite, qëmtoi të zbulonte anën e pathënë të shqiptarëve, për t’ia prezantuar botës, që ende mund të pyesë edhe sot, nëse “ka orar të ndryshëm Shqipëria me Europën?” Fjalori historik i Shqipërisë dhe Kosovës, mitet dhe përrallat shqiptare, apo emra si Fishta, Poradeci, Podrimja e Migjeni kanë qenë nën kujdesin e Elsie që të flasin në anglisht e të botohen.

Prej vitesh e ka dërguar kulturën dhe historinë e shqiptarëve në institucionet më të specializuara ku thuren historitë e botës, ndërkohë që kujdesi i tij ishte një bashkëprezantim, bashkë me pjesën tjetër, Kosovën, të cilën ai nuk u ndal kurrë ta prezantonte kudo dhe kurdo. Madje, edhe Evlija Çelebiun e hershëm ai e botoi, siç edhe zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit lazarist francez, Jean-Claude Faveyrial (1817- 1893), Histoire de l’Albanie (Histori e Shqipërisë).

Ashtu në urtësi, nën hijen e njeriut që vishej me punën e tij dhe prezantohej vepër pas vepre për prezantimin e vlerave të shqiptarëve, Robert Elsies i lejohej të na thoshte porosi. Ishte gjithnjë me gjithë nurin që ia jepte dashuria për një vend, me të cilin vendoste të kishte lidhjen e tij të pandashme. “Përpara se të bëheni europianë të mirë, është e rëndësishme të jeni shqiptarë të mirë, me dorën drejt njëri-tjetrit”, tha njeriu i butë, Robert Elsie (Intervista në emisionin “Shqip” me Rudina Xhungën 3 vite më parë), duke prekur qetësisht atë që në heshtje, thuajse e pranojmë të gjithë, ende nuk dimë të ecim së bashku!

Sot, shqiptarët janë më të njohur falë veprave të Robert Elsie, që ka guxuar të thotë e sugjerojë, duke kërkuar të pranojmë fytyrën tonë, të shkuarën tonë, kulturën tonë. Ka prezantuar shqiptarët në forume. Ka ndjekur historinë e re të Kosovës duke qenë në Hagë një nga interpretët e gjyqit ndaj Millosheviçit. Shkurt, ka bashkudhëtuar me ne, duke ngritur flamurin e historisë sonë. Tashmë, shpirti i tij ka nisur një udhëtim tjetër. Trupin e tij na e ka kërkuar ta kemi mes nesh.

Një varr, veç dy metra. Por emrin e tij e lartësojnë hapat e tij shqip, i dashuruar pas një vendi, që kurrë nuk e pati rrugën të lehtë, sepse edhe miq të tillë, kanë qenë të rrallë. Ai është një leksion i së mundurës, një leksion se si mund t’i duam të tjerët, se si mund të përpiqemi për të tjerët. Elsie ka jetuar i qetë, në hijen e madhe të pemës së punës së tij, që sot na bën të ndihemi krenarë e borxhlinj, krenarë që ka qenë miku ynë dhe borxhlinj për gjithçka që nuk kemi mundur t’ia bëjmë të lehtë në udhën e tij.

Ai udhëtoi shqip. Udhëtoi nëpër botë me portretin e zbukuruar nga fjalët dhe përpjekja e një njeriu, që sot meriton një përkulje të thellë nga gjithkush. Sepse nëse ndihemi sadopak krenarë, këtë gjë na e ka bërë disi të mundur Elsie, që diti ta thoshte fjalën e tij në vendin dhe mënyrën e duhur. Faleminderit mik! I lehtë të qoftë dheu!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura