Leksikoni i vendbanimeve të Kosovës

SHPËRNDAJE

 

PROF. DR. SABRI LAÇI

Sabri-Laci

Seksioni i Shkencave Sho qërore në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ka përurua më datë 06.09.2018, botimin e vëllimit të parë (Qendrat urbane) të Leksikonit të Vendbanimeve të Kosovës, fryt i punës intensive disavjeçare të 35 bashkautorëve, nën drejtimin e akademikut të mirënjohur, prof. dr. Hivzi Islami.

Botime të këtij lloji janë të rralla, pasi kërkojnë shumë kohë, burime njerëzore të kualifikuara dhe fonde të konsiderueshme, por ato janë shumë të rëndësishme për evidentimin e rrënjëve historike të ngulimeve në territoret shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe Qendror; evolucionin e tyre në kohë dhe hapësirë, sa i përket numrit të banorëve dhe strukturës etnike të tyre; rrjedhave demografike, sociale dhe kulturore; veprimtarive ekonomike; ecurisë, nivelit dhe modelit të urbanizimit; funksioneve dhe perspektivës së zhvillimit të tyre.

Vendbanimet janë oaze ku njerëzit përqendrohen për të jetuar dhe zhvilluar veprimtaritë jetësore dhe ekonomike, duke zbatuar traditat dhe ligjet shtetërore. Ato janë edhe arena të konflikteve për territore (troje, toka të punueshme, pyje, kullota, burime ujore), përfitime ekonomike dhe çështje social-kulturore. Historia e vendbanimeve tregon qartë lidhjen midis përpjekjeve të brezave të kaluar dhe të atyre të sotëm për ngritjen dhe zhvillimin e tyre si krijesa të shtrenjta dhe komplekse.

Studimi i vendbanimeve ka qenë vazhdimisht në vëmendje të institucioneve shkencore dhe të studiuesve shqiptarë, kudo ku ata jetojnë. Spikat botimi i Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, më 1985 (ribotuar në tri vëllime, me shtesa dhe ndryshime, më 2008- 2009) nga Akademia e Shkencave e RPSSH së, ku paraqiten tiparet kryesore natyrore, demografike, sociale dhe ekonomike të vendbanimeve më të rëndësishme në gjithë Hapësirën Shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Në Departamentin e Gjeografisë së Universitetit të Tiranës, pas vitit 1991, janë mbrojtur disertacione doktoratash mbi vendbanimet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi. Disa prej doktorantëve kanë qenë në bërthamën e grupit të autorëve të Leksikonit të Vendbanimeve të Kosovës, duke nderuar Shkollën Gjeografike Shqiptare dhe universitetet ku janë formuar.

Leksikoni vjen për lexuesin si botim monografik origjinal: qasje teorike-metodologjike bashkëkohore, që konsiston në trajtimit ndërveprues të faktorëve natyrorë, shoqërorë, ekonomikë dhe rajonalë, që ndikojnë në pozitën, fizionominë, organizimin e brendshëm, përmasat, funksionet, ecurinë dhe perspektivën e vendbanimeve; strukturë ndërdisiplinore dhe komplekse, ku bie në sy pesha e komponentit historik, hapësinor dhe funksional; informacion të gjerë dhe të përditësuar, ku veçohen statistikat demografike, sociale dhe ekonomike; analizat e thella dhe të plota për karakteristikat e vendbanimeve sipas kategorive; format akademik dhe paraqitje moderne, me harta dhe ilustrime, të mundësuara përmes përdorimit efikas të Sistemeve të Informacionit Gjeografik (SIG). Si i tillë, leksikoni krijon një model të ri të studimit të vendbanimit, të aplikueshëm në gjithë Hapësirën Shqiptare dhe më gjerë, nga studiues gjeografë, urbanistë, planifikues të përdorimit të hapësirës dhe të rregullimit të territorit, peizazhistë etj..

Siç shkruhet në parathënien e botimit, qëllimet kryesore të Leksikonit janë: krijimi i fondit të sistemuar të informatave dhe njohurive gjeo-hapësinore për vendbanimet; publikimi për herë të parë i të dhënave të integruara për vendbanimet e Kosovës; studimi shumëdimensional i vendbanimeve, që krahas informacionit gjeografik, merr në konsideratë të dhëna e fakte historike, gjeopolitike, sociale, statistikore, etnologjike, kulturore etj.; shtjellimi i veçorive dhe fazave të krijimit, zhvillimit dhe transformimit të vendbanimeve në kontekstin historik, politik, ekonomik, kulturor dhe mjedisor; krijimi i bazës së të dhënave shkencore që do të shërbejnë për studimet e mëvonshme për vendbanimet; ofrimin e mundësisë së përdorimit të të dhënave për qëllime aplikative: planifikimin hapësinor, administrativ, urbanistik, demografik dhe social (parandalimi i shpopullimit të territoreve dhe i plakjes së popullsisë), ekonomik, infrastrukturor, mjedisor dhe funksional, duke synuar shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, humane dhe materiale; popullarizimin e njohurive shkencore mbi vendbanimet e Kosovës etj..

Vlerë e shtuar e këtij studimi është pesha e madhe që zë përdorimi i metodës së anketimit për sigurimin e të dhënave dhe fakteve në terren, nga burime të pavarura dhe të pamanipuluara, duke mundësuar jo vetëm plotësimin e të dhënave të burimeve zyrtare, por edhe verifikimin e tyre, pas ballafaqimit me realitetin.

Është rasti për të evidentuar ndjeshmërinë pozitive dhe angazhimin serioz të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, mbështetjen bujare të institucioneve shtetërore (Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit), si dhe kontributin e spikatur profesional të Shtëpisë Botuese “Dukagjini”, të cilat bënë të mundur botimin dinjitoz të kësaj vepre me rëndësi kombëtare.

Leksikoni (vëllimi I) ka sjellë për lexuesit e të gjitha kategorive një tablo të qartë mbi krijimin, dinamikën e jetës dhe të rrjedhave zhvillimore të vendbanimeve urbane të Kosovës. Dalja në dritë e këtij botimi pasuron ndjeshëm fondin e shkencës dhe të kulturës shqiptare. Përfundimi i projektit (tre vëllime) do të plotësojë informacionin dhe njohuritë për të gjitha vendbanimet e Kosovës: të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tyre, duke i bërë një shërbim të madh komuniteteve vendore, pushtetit qendror, investitorëve dhe studiuesve të shumë fushave.

*Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, UT

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.