Leskaj: Postet e zyrtarëve vështirësojnë hetimet

Feb 11, 2016 | 11:58
SHPËRNDAJE

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, kërkoi në takimin me Gjon Junçajn, këshilltar ligjor rezident i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe ekspert i misionit të OPDAT-it në Shqipëri, që në vend të çinstalohet kultura e pandëshkueshmërisë.

bujar_leksaj_23223_0

Kreu i KLSH-së ngriti shqetësimin se hetimet e Prokurorisë për kallëzimet penale vështirësohen për shkak të pozicioneve që zyrtarë të kallëzuar kanë në administratë.

“KLSH, vazhdimisht përgjatë këtyre viteve, madje edhe në analizën vjetore, zhvilluar më 1 shkurt 2016, u theksua se një numër i konsiderueshëm zyrtarësh të lartë vazhdojnë të qëndrojnë të pashqetësuar në pozicionet e tyre në administratën shtetërore, pavarësisht faktit që ndaj tyre KLSH-ja ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzime konkrete penale për shkelje të konstatuara, sidomos në lidhje me procedurat e prokurimit. Fakt që i vështirëson së tepërmi pozitat e organit të Prokurorisë në hetimin dhe zbardhjen e plotë të këtyre çështjeve si pasojë e pushtetit të padukshëm që garanton qëndrimin e tyre ende në detyrë. Kjo ka kalçifikuar prej vitesh instalimin e antikulturës së pandëshkueshmërisë”.

Junçaj tregoi një interes të veçantë në lidhje me bashkëpunimin e deritanishëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit me organin e Prokurorisë dhe institucionet e tjera shtetërore, duke kërkuar njëkohësisht edhe paraqitjen e çfarëdolloj problematike që KLSH ka hasur përgjatë këtyre viteve në kryerjen e veprimtarisë audituese, si dhe dhënien e ideve se si mund të forcohet në të ardhmen roli, kontributi dhe bashkëpunimi i këtij institucioni dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese në luftën kundër korrupsionit.

Kryetari i KLSH-së, vlerësoi bashkëpunimin me kryeprokurorin e Përgjithshëm, por tha se mbetet shumë punë për të bërë jo vetëm nga institucionet tona, por edhe nga shumë institucione të tjera shtetërore të angazhuara në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte në luftën kundër korrupsionit.

Kjo pasi pritshmëritë e opinionit të gjerë publik mbeten ende tepër të larta. Junçaj vlerësoi bashkëpunimin që KLSH ka me Prokurorinë, por kërkoi që ky institucion të bashkëpunojë edhe me Byronë e Hetimit, që pritet të ngrihet në funksion të Reformës në Drejtësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura