“Lekë tani je burrë”- Vdiq pasi u diagnostikua me kancer, kujtimet e kolonelit: Më 9 prill 1961 në ora 15 e 40, pak minuta para se të ndahej nga jeta, Mbreti Zog I-rë, mori Princin në prehër dhe i tha…

May 27, 2023 | 10:28
SHPËRNDAJE

Nga Hysen Selmani

Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.

mbreti zog

PARIS, SPITALI “FOCH”, MË 9 PRILL 1961

Data 9 Prill 1961, ora 15.40. Është kjo koha kur Madhëria e Tij, Zog I-rë, Mbret i Shqiptarëve, është në një lodhje të madhe. Ai ka marrë Princin Leka në prehër dhe i lëshoi krahun në qafë dhe pastaj i tha me një zë të ulët: “Lekë, tani je burrë. T’i mbani porositë që ju kam këshilluar. Pa masë, asgjë mos t’ju dhimbset për të mirën e Atdheut! Të bëni çdo sakrificë e, nëse rasti do ta lipi, edhe jeta mos t’ju dhimbset për të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve”.

Kur mbaroi këto fjalë, ngriti kokën dhe na pa të gjithëve. Me dorën tjetër, mori dorën e Mbretëreshës e po shikonte të motrat. Ato ishin të këputura. Fytyra e tij, ishte në qeshje si gjithmonë. Pas kësaj, nuk bëri asnjë lëvizje dhe mbylli sytë e dha shpirtin. Këto minuta, nuk ka penë që t’i shkruajë. Kjo dhimbje dhe ky trishtim, kur u dha lajmi i vdekjes së Mbretit të dashur, shpërtheu me një britmë e thirrje, të njerëzve te pranishëm. Kjo habiti botën, brenda e jashtë spitalit.

Spitali prej tre ditëve, ndodhej i rrethuar, prej mijëra shqiptarësh e shqiptareve që kishin vrapuar pa viza, nga të gjithë anët e Europës. Kur u dha lajmi i zisë dhe i vdekjes së Mbretit, në këtë moment, aq të trishtueshëm nga thirrjet, ata hynë brenda, nëpër korridoret e spitalit. Nuk kishte zemër njeriu që t’i duronte lotët dhe qarjet e tyre, saqë edhe të huajt, i derdhnin lotët si ujë prej dhimbjes, që ndjenin shqiptarët.

Nuk u largonin duke thirrur, burra e gra. Ata donin që të rrinin pranë tij: “Siç kemi ndenjur për së gjalli, ashtu edhe për së vdekuri, se shpëtimtari ynë është i pavdekshëm”! Dhe, siç jemi betuar, ata filluan të betohen prapë: “Ai nuk ka vdekur, por ne kemi mbaruar me mbarë popullin shqiptar” – thoshin ata.

Madhëria e Saj, Mbretëresha Geraldinë, ishte shumë e impresionuar dhe nuk mund të qëndronte se, ishte shumë e sëmurë. Doktorët, e këshilluan që të shtrohej në spital, por ajo nuk pranoi. Mbretëresha, rrinte pranë shqiptarëve e, duke i derdhur lotët si rrëke. Ajo ishte e habitur, në thirrjet e dhimbjet që bëheshin prej shqiptarëve. Po aq u habitën edhe të huajt, që qëndronin të trishtuar e me lot në sy.

Princi Trashëgimtar Leka, me të vërtetë u tregua shumë i duruar, tamam si një burrë, që pajtohej krejtësisht me zakonet e larta shqiptare. Ai i ka falenderuar pa masë, miqtë e huaj e shqiptarët dhe nga ana tjetër, ju foli me respekt të gjithë përfaqësuesve të shteteve që vinin për ngushëllime.

Në këtë kohë, ishte i formuar një komision që kishte të gjitha përgatitjet për plotësimin e nevojave, si pranë qeverisë franceze dhe një pjesë tjetër, ishte po ashtu i vlefshëm, për pyetjet nga ambasadat dhe për gazetarët, si edhe për ceremoninë e varrimit. Komisioni, ishte i përbërë nga 1- Qemal Mesareja, 2-Milto Noçka, 3- Odhosi Dhima, 4- Jusuf Begeja, 5- Sefedin Çollaku, e disa të tjerë. Urgjentisht, u dhanë telegramet shqiptarëve, në të gjitha viset e “Botës së Lirë,” mbi vdekjen e Madhërisë së Tij, Zog i I-rë, Mbret i Shqiptarëve, si edhe kërkohej që të dërgojnë nga çdo qendër delegatët, sa më parë për varrimin e Mbretit Zog. Po ashtu, puna ishte dhe për: “Vendosjen e Kurorës”. Në këtë mënyrë, u lajmëruan të gjithë miqtë.

Më datën 10 Prill 1961, trupi i Madhërisë se Tij, Mbretit Zog i I-rë, u vu në një arkivol me xhama dhe u vendos për homazhe me një sallon të madh, të spitalit. Ai për 24 orë, ishte nën shikimin e shqiptarëve e shqiptareve. Ata i silleshin përqark, duke derdhur lot e, duke lutur të madhin zot, për Shpirtin e Tij. Fytyra e Mbretit, të bënte të tronditeshe, se ishte e pa prishur. Shumë kujtonin se është i gjallë dhe në gjumë. Ai tërhiqte vërejtjen e çdo personi dhe goja si gjithmonë, i kishte mbetur në formë qeshje.

Presidenti i Republikës Franceze, Excelenca e tij, Gjenerali de Gaule, dërgoi një delegat. Ai vetë, ndodhej në Kot d’Azour dhe i dërgoi një telegram, Princit Leka, me një tekst shumë të mirë. Dhe të gjithë përfaqësuesit e shteteve të huaja mike europiane, turk, arabe e të tjerë, dërguan telegrame. Mbretëresha Geraldinë dhe Princi Trashëgimtar, Leka i I-rë, i kanë falenderuar të gjithë pas kësaj.

Paris, 11 Prill 1961

Më datën 11 Prill 1961, në orën 13.00 është përgatitur ceremonia e varrimit të Zogut I-rë, Mbretit të Shqiptarëve. Arkivoli qëndronte përmbi supet e shqiptarëve dhe ishte i mbuluar me Flamurin Kombëtar. Përmbi stemë, dukeshin me shkronja të mëdha shkrime të arit, fjalët që gjithmonë Mbreti Zog I-rë, i kishte në zemër: “Atdheu mbi të gjitha”. Lotët e shqiptarëve dhe të gjithë miqve, e kishin rrethuar Mbretëreshën e Princin Leka.

Në këtë moment, që ishte aq i dhimbshëm e i trishtueshëm, e ngushëllonin me vaj Mbretëreshën Geraldinë dhe Princin Trashëgimtar Lekën. Në këtë pamje aq të trishtueshme, nuk mund të lëmë pa përmendur, fjalën dhimbse të Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Geraldinë, e rrethuar prej shqiptarësh që mbanin arkivolin e Mbretit të tyre të dashur. Ajo ju tha këto fjalë:

“Motra dhe vëllezër të dashur shqiptarë”!

Mos harroni fjalët që Mbreti juaj i dashur, kishte gjithmonë në zemrën e tij, që janë shkruar në Flamurin Kombëtar mbi stemë: “Atdheu mbi të gjitha”. Pra, në këtë moment, shpirti i Mbretit tuaj, është lart duke ju shikuar. Ai i lutet të madhit Zot, për të mirën e Shqipërisë dhe për lumturinë e shqiptarëve”.

Këto fjalë të Madhërisë së saj, Mbretëreshës Geraldinë, i përvëluan dhe më tepër dhimbjet e shqiptarëve dhe të miqve të huaj. Shqiptarët, nuk dëgjonin të hiqnin arkivolin nga krahu, derisa kortezhi filloi të nisej, ishte mjaft mirë i organizuar dhe një shumicë e madhe, saqë policia franceze kishte ndaluar trafikun deri në Thiais, që ishte pothuajse një orë larg.

Me një kortezh mjaft madhështor, u zhvillua edhe ceremonia e përcjelljes së trupit të Madhërisë tij Zog, i I-rë Mbreti i Shqiptarëve, në banimin e përjetshëm në “Thiais Parisien”. Kuptohet, provizorisht, deri sa të hapet vendi i tij i dëshirueshëm. Kur po varrosej, me një anë u bënë lutjet fetare dhe në anën tjetër, lotët e britmat e shqiptarëve, nuk pushonin. U mbajtën fjalime, po kush mund të dëgjonte!

Tamam në këtë kohë, tepër e impresionuar Madhërisë së Saj Mbretëreshës Geraidinë, i bie si të fikët. Menjëherë doktorët na këshilluan që shpejt, ta dërgojmë në një klinikë. Ajo ishte bashkë me të motrën Virginën dhe të mbesën, Julian, e dy oficerë. I dërguam në një klinikë, por ajo ishte mjaft e sëmurë. Të nesërmen, me Princin Leka shkuam në klinikën në San Jerme, për ta parë Madhërinë e Saj Mbretëreshën. Ajo ishte më e qetë, por mjaft e tronditur. Doktorët na thanë se; “duhej një muaj kurë e fortë këtu në klinikë.” Ajo nuk mundej të dilte. E inkurajuam, sa merrte pak fuqi.

KURORËZIMI I PRINCIT LEKA, TRASHËGIMTAR ME EMRIN LEKA I, MBRETI I SHQIPTARËVE

Pasi u përfunduan ceremonitë e varrimit të Mbretit Zog i I-rë, ishte caktuar një komision. Detyra e tij ishte, për sa u përket pritjeve të ngushëllimeve, për të përcjellë miqtë.

Duke qenë se koha nuk priste, për arsye se delegacionet që kishin ardhur nga vendet e largëta të “Botës së Lirë”, si: Australia, Zelanda, Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Kanadaja, etj., lipsej të ktheheshin në vendet e tyre, kjo ishte arsyeja që më datën 14 Prill 1961, do të bëhej mbledhja e parë në Ablon, me pjesëmarrjen e gjithë delegatëve dhe të gjithë shqiptarëve të tjerë që ndodheshin aty.

Bisedimet vazhduan për vendosjen e trashëgimtarit të Kurorës Mbretërore Shqiptare. Dhe, sipas bisedimeve që vazhduan gjithë paraditen e pasditen, unanimisht, të gjithë delegatët caktuan që më datën 15 prill 1961, të mblidhej një Asamble Kombëtare provizore, në bazë të ligjeve të Konstitucionit Shqiptar për të kurorëzuar Princin Trashëgimtar, Lekën, si Mbret të Shqiptarëve.

Sipas këtij vendimi, u dërguan dhe u zunë disa sallone në hotelin “Bristol” të Parisit, për një ditë, ku u dërguan personat për stolisjen e salloneve me flamuj kombëtar dhe një tribune, sipas dispozitave të Mbretërisë Shqiptare.

Edhe shqiptarë të tjerë të grumbulluar me mijra në Ablon, nuk u shpërndanë si ata të Francës, Belgjikës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe. Ata po prisnin mbarimin e Asamblesë Kombëtare. Këtu ndihej një atmosferë e një simpati për Princin e dashur të tyre. Ai ishte i ri dhe i pajisur me një kulturë të gjerë. Fliste disa gjuhë dhe ishte i dashur e shumë demokrat para shqiptarëve.

Ndërsa Madhëria e Saj, Mbretëresha Geraldinë, ishte pak më mirë në klinikë. Gjithësesi, pas këtyre, Nëna Mbretëreshë, ishte mjaft e dobësuar dhe e lodhur. Ajo pranonte shumë nga delegatët për ta vizituar. Por, gjithsesi, ishte e lodhur dhe gjithmonë në klinikë.

Tek Mbretëresha, kishim lënë motrën e saj Virginia, mbesën, Julia e dy oficerë. Natyrisht Princi Leka i I-rë, shoqëruar gjithmonë prej meje, përditë shkonin në klinikë. Kuptohet sa për ta parë, se nuk kishim kohë të qëndronte gjatë.

Më datën 15 Prill 1961, Asambleja Kombëtare provizore, në orën 10 para dite, u mblodh në hotel “Bristol” të Parisit. Ata filluan menjëherë bisedimet, mbi zgjedhjen e një komisioni ligjor. Kjo bëhej për të përgatitur gjithë formulën, në bazë të akteve të Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare.

Komisioni Ligjor, mori në konsideratë nenin 51 dhe 55 të Statutit Themeltar, në fuqi të Mbretërisë Shqiptare, i aprovuar prej Asamblesë Kombëtare, më 1 Dhjetor 1928. Në bazë të kësaj, Princi Trashëgimtar, automatikisht bëhej Mbret i Shqiptarëve.

Asambleja, në bazë të raportit që komisioni ligjor i parashtroi, dhe në bazë të neneve të përmendura të Statutit Themeltar, mori në shqyrtim emrin dhe orën, që do të thirrej Princi para Asamblesë, për të kryer betimin.

Mbas këtyre bisedimeve u pa më e pëlqyeshme, që emri të vendosej: “Leka i I-rë, Mbret i Shqiptarëve”. Kjo u pëlqye prej të gjithëve dhe kështu u vendos.

Më datën 15 Prill 1961, në orën 13.00, në sallën e hotelit “Bristol” të Parisit. Asambleja provizore, e mbledhur zyrtarisht, ku merrnin pjesë një shumicë e madhe shqiptarësh e të huaj, përveç gazetarëve të ardhur nga të gjitha viset e botës, në bazë të artikujve 51 dhe 55 të Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, vendosi unanimisht, që; Princi Trashëgimtar Leka, vendosi kurorëzimin, me emrin Leka i I-rë, Mbret i Shqiptarëve.

Pasi u mor ky vendim, Asambleja dërgoi një delegacion për t’ia parashtruar Lartmadhërisë së Tij Leka i I-rë, se ajo e kishte shpallur si Mbret të Shqiptarëve, me këtë emër: “Leka i I-rë, Mbret i Shqiptarëve”. Dhe pasi delegacioni i Asamblesë Kombëtare Shqiptare provizore, u mirëprit dhe u përcoll, u caktua prezenca e Mbretit Leka, në Asamblenë në orën 19.00 pas dite.

Lartmadhëria e Tij Leka i I-rë, Mbreti i Shqiptarëve, po në atë datë në orën 19.00, i shoqëruar prej krye adjutantit, kolonel Hysen Selmani dhe ministrit të Oborrit Mbretëror, Qemal Mesaresë, u paraqit në Asamblenë Kombëtare, ku Mbreti Leka i I-rë, ju drejtoi këto fjalë:

“Të dashur asambleistë e bashkatdhetar të mi. Në këto rrethana kaq të vështira ku ndodhemi sot, në këtë çast që po marr përsipër barrën e rëndë e të shenjtë shtetërore, i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, pa përjashtim, brenda dhe jashtë Atdheut, duke kërkuar përkrahjen e tyre, për përmbushjen e misionit të rëndë e aq të shenjtë, të Mbretërisë së gjithë shqiptarëve”.

Rroftë Shqipëria Etnike!

Me këto fjalë, Madhëria e Tij, Mbreti Leka i I-rë, u ngrit dhe në dalje e gjithë Asambleja dhe shqiptarë që ndodheshin aty, e brohoritën dhe e shoqëruan, deri sa hipi në makinë. Kurse Asambleja, vazhdoi në mbushjen e proçes verbaleve.

Në hotel, u shtrua një koktej mjaft i pasur, për të gjithë anëtarët e Asamblesë, të huajt, gazetarët dhe të gjithë ata shqiptarë që ndodheshin aty, i cili vazhdoi deri në orën e fundit të natës.

Pas kësaj, Madhëria e Tij Leka i I-rë, Mbreti i Shqiptarëve, i shoqëruar nga kolonel Hysen Selmani dhe Qemal Mesareja, shkuan direkt në S. Jearme, në klinikën ku ndodhej e shtruar Madhëria e Saj, Mbretëresha Geraldinë. Ajo e përqafoi djalin dhe ne e uruam e ajo u kënaq.

Më datën 16 Prill 1961, te anëtarët e Asamblesë, shkuan në S. Jearme në klinikën ku ndodhej Madhëria e saj, Mbretëresha Geraldinë e sëmurë. Ajo i pranoi pjesë pjesë të gjithë dhe i falënderoi së tepërmi.

Më datën 17, u nisën të gjithë delegatët, ata të vendeve të largëta, pasi i dhanë fund gjithë misionit të tyre, duke nënshkruar të gjitha proces-verbalet e rastit. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura