I tha k…., Leka padi Açkës: 1 vit burg dhe 10 mijë euro

Aug 26, 2015 | 9:23
SHPËRNDAJE

“Përplasja” në distancë mes shkrimtares Flutura Açka dhe kantautorit Gjergj Leka, në lidhje me thëniet e tij gjatë një interviste në gazetën “Panorama” për të kaluarën e disa këngëtarëve të njohura shqiptare, duket se do të përfundojë në dyert e Gjykatës.

Gjergj Leka dhe Flutura Açka
Gjergj Leka dhe Flutura Açka
Kantautori pritet të ndërmarrë sot rrugën ligjore kundër etiketimeve të shkrimtares drejt personit të tij. I kontaktuar nga gazeta, përfaqësuesi ligjor i Lekës, avokati Saimir Vishaj, konfirmoi përpilimin e një ankimi për “fyerje” kundër shkrimtares Açka.

Sipas avokatit, kërkesa ku kantautori Leka është në pozitat e të dëmtuarit akuzues do të depozitohet paraditen e sotme në Gjykatën e Tiranës. Përmes saj, Leka do t’i kërkojë gjykatës dënimin me 1 vit burg të shkrimtares për kryerjen e veprës penale të “fyerjes së kryer botërisht”, si dhe dëmshpërblimin e kantautorit për dëmin pasuror e jopasuror të shkaktuar në masën 10 mijë euro.

“E kemi bërë gati dhe do ta dorëzojmë. Është një kallëzim penal për ‘fyerje’ në Gjykatën penale ndaj Flutura Açkës, në lidhje me përdorimin e fjalorit vulgar ndaj kantautorit Gjergj Leka. Është një kallëzim që ndiqet mbi bazën e ankimit të të dëmtuarit akuzues”, tha avokati. Sipas mbrojtësit, klienti i tij nuk ka asnjë njohje me shkrimtaren Açka.

“Është skandaloze që një person që nuk ka asnjë lidhje me të, pasi klienti im nuk ka asnjë njohje me shkrimtaren Açka, ta përgojojë publikisht atë. Në rastin konkret, klienti im është dëmtuar nga përcaktimet fyese dhe denigruese të Açkës. Ne do të kërkojmë dënimin penal me 1 vit burg të të akuzuarës Açka dhe 10 mijë euro dëmshpërblim”, theksoi avokati Vishaj.

REAGIMI I SHKRIMTARES
Pas botimit në gazetën “Panorama” të intervistës së kantautorit Gjergj Leka, përmes një postimi në faqen e saj në Facebook, e cila u përpi menjëherë prej mediave online dhe jo vetëm, shkrimtarja Flutura Açka denonconte kulturës “seksiste” të shoqërisë shqiptare. Edhe pse në pozitat e saj prej femre, Açka ishte përpjekur të mos u dilte në krah femrave të “akuzuara” nga Leka, por dënonte gjuhën e përdorur nga ana e kantautorit.

“Këta rreshta nuk janë në mbrojtje të këtyre grave, por në funksion të distancimit nga ky lloj artisti dhe mllefi seksist të shëmtuar, fyes, inatçor, denigrues dhe të pakulturuar ndaj artisteve femra. Për llojin e muzikës së Gj. Lekës nuk mund të flas se nuk jam specialiste, por di të them se nuk shquhet kushedi çfarë, në një kohë kur kemi nevojë për art të vërtetë nga ky dominim i vulgaritetit. Gjithsesi, shqetësimi im ka lidhje me gjuhën e poshtër dhe këllirën me sens seksist në gjykimin e kolegeve femra”, shkruante Açka. Duket se ky reagim i shkrimtares Açka, që ka gjetur jo pak mbështetje nëpër rrjetet sociale, e ka indinjuar kantautorin, i cili e ka çuar çështjen deri në Gjykatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura