Leka: Gjendje dëshpëruese, konsumohet pak poezi

Mar 22, 2011 | 8:56
SHPËRNDAJE

Të lodhur nga armiqësirat mes Montegëve dhe Kapuletëve, toneve të larta, gjuhës së prishur, akuzave dhe kundërakuzave, pak poezi do të bënte mirë.Nuk ka rëndësi nëse është me rimë, ose jo, nëse është moderne, apo klasike… Pushteti i saj nuk shihet, por ndihet. Puqur me ekuinoksin pranveror, ishte dje Dita Ndërkombëtare e Poezisë, shpallur prej vitit 1999 nga UNESCO, por në të vërtetë shumë pak e dinin këtë. Nëse nuk ka aspak atmosferë poetike në ajër, e vështirë të mbahen mend numrat. Në kryeqytetin shqiptar, aty ku janë qendërzuar institucionet kulturore, e vetmja që u kujtua për këtë ditë ishte Bashkia e Tiranës, e cila në bashkëpunim me Ambasadën Franceze, ia kushtuan atë poezisë për fëmijë. Për institucionet e tjera ishte një ditë si gjithë të tjerat, madje edhe për vetë poetët. Ndër të paktët institucione të interesuar dje për poezinë ishte, Biblioteka e Beratit, “Vexhi Buharaja” ku dje u zhvillua një aktivitet poetik me pjesëmarrjen e poetëve, Arian Leka dhe atij amerikan Gregory Byrd. Pati lexime në dy gjuhë të krijimeve të Byrd dhe të Lekës si dhe biseda rreth teknikave të shkrimit krijues. Kur e pyet se përse në Berat, e jo në Tiranë, Leka të thotë se ftesa erdhi pikërisht nga ky qytet. “Duhet t’u përgjigjemi atyre që na ftojnë”, thotë Leka, ndërsa shton se organizimi i aktiviteteve të tilla, jo detyrimisht duhet të lidhet me institucionet, por edhe me vetë poetët që të paktën një herë në vit të kenë ndjeshmërinë dhe t’ia kushtojnë një ditë vetes, jo domosdoshmërisht me anë të leximeve, por edhe thjeshtë për të takuar e për të ndarë diçka me njëri-tjetrin. Por, për Lekën duhet të ketë pak më shumë ndjeshmëri edhe nga mediat, qofshin këto vizive apo të shkruara, që në ditën e poezisë të bëjnë një njoftim apo të botojnë një poezi, si një shenjë që ata janë me poetët atë ditë. Si organizator i festivalit të përvitshëm “Poeteka”, por edhe si poet, Arian Leka, duhet të pranojë me keqardhje se shqiptarët konsumojnë pak poezi, këtë e dëshmon jo vetëm tirazhi i librave të botuar, por edhe numri i pakët i promovimeve, apo takimeve ku ndahet apo lexohet poezi. “Po humbet kontakti me poezinë përmes leximit dhe situata në Shqipëri është dëshpëruese”, thotë Leka, teksa shton se fatkeqësisht po ngulitet mendësia se pa të bëhet, në një kohë që ndryshe nga çdo lloj leximi tjetër, “leximi i poezisë ndikon në ndërtimin shpirtëror”. Sipas tij, nuk mund t’i imponosh askujt se çfarë poezie të lexojë, ama pak poezi do të vinte urat mes të thënës dhe të pa thënës, mes atyre gjërave që nuk mund të thuhen në asnjë mënyrë tjetër, përveçse me poezi. Për Lekën, duket se shek. XXI nuk është shumë në favor të poetëve. Ka ndryshuar raporti mes shkrimtarisë poetike dhe jetesës si i tillë dhe duket se poezia ka mbetur vetëm në duar të idealistëve. Por përkundër “konsumit” të saj, poezi shkruhet dhe me shumicë madje. Çdo ditë dëgjojmë për botimin e librave të rinj, poetë të rinj që provojnë… Shumë syresh janë krijime surrogato, të krijuara nga njerëz besimplotë në vetvete që mendojnë se të shkruarit e poezisë është art i gjithkujt. Por, duket se ky lloj vetëbesimi dhe inflacioni në fushën e poezisë ndikon në çrregullimin e shijeve dhe humbjen e besimit tek lexuesi, se diku do të mund të gjejë pak poezi të mirë. “Sigurisht kjo ka të bëjë. Nuk mund t’i privojmë askujt që të shkruajë, nuk mund të ndalojmë botimin, por mund t’i privohet që kushdo të promovojë këtë lloj krijimtarie. Duhet të bëhet një orientim më i drejtë nga ana e kritikës së specializuar dhe institucioneve që merren drejtpërdrejtë me letërsinë, prej të cilëve pritet që të vijë një gjykim i tillë. Shpesh themi se mungojnë, por unë mund t’ju numëroj disa syresh, si Fakulteti i Filologjisë, Akademia e Arteve, Qendra e Studimeve Albanologjike apo Instituti i Letërsisë”, shton Leka. Sipas tij, edhe çmimet letrare që ndahen çdo vit e përfundojnë misionin e tyre që ditën që ato ndahen, në një kohë që më e pakta që mund të bëhej, është futja e librave fitues në listën e librave të detyruar jashtëshkollorë. Dhe kjo mund të bëhet vetëm falë një bashkëpunimi mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që është organizatori dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. “Të paktën këto vepra të lexohen edhe një vit”, thotë Leka.

Lexime në Berat

Dy poetë, një shqiptar dhe një amerikan, çuan pak poezi në qytetin e Beratit. Në ditën Ndërkombëtare të Poezisë në bibliotekën “Vexhi Buharaja”, u zhvillua një takim letrar me pjesëmarrjen e poetëve, Arian Leka dhe Gregory Byrd. Ky i fundit është fitues i bursës “Fulbright” dhe jep kontributin e tij pranë Universitetit të Tiranës, në fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Poezia e Gregory Byrd është vlerësuar me disa çmime letrare, mes të cilëve përmenden çmimi i “Academy of American Poets”, ofruar nga Florida State University. Është autor i dy vëllimeve poetikë “Florida Straits” dhe “At Penuel”. Nën përkthimin e Arian Lekës, poezia e Nyrd po vjen edhe në shqip dhe dje në Berat u lexuan 10 poezitë e para të tij. Leximi dygjuhësh i poezive të tij u shoqërua dhe me projektimin e disa pikturave që ai i ka dedikuar poezisë. Më tej u zhvillua një bashkëbisedim mbi shkrimin krijues. Gjithashtu u lexuan edhe pjesë nga krijimtaria e Lekës dhe përkatësisht nga libri “Ndreqje gabimesh”, i cili u shpall edhe fitues i çmimit kombëtar për poezinë, “Lasgush Poradeci”. Takimi i djeshëm hapi ciklin e leximeve poetike në 6 qytete të Shqipërisë. Rrugëtimi i poezisë së Lekës do të vijojë në Vlorë, Pogradec, Razëm, Durrës dhe Tiranë.

“Daullet e Paqes”, në Tiranë

“Daullet e paqes” mblodhën në Sheshin “Nënë Tereza” qindra nxënës nga shkollat e kryeqytetit. Dita Ndërkombëtare e Poezisë iu kushtua fëmijëve, duke i zgjedhur ata si ambasadorë të paqes në një kohë kur e gjithë bota është e trazuar. Të pranishëm në aktivitet ishin ambasadorja e Francës, Maryse Daviet, ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. “Shtri dorën, dhe jo grushtin”, ishte slogani i poezive për këtë vit, ku nëpërmjet vargjeve, fëmijët treguan se janë fjalët të cilat kanë brenda fuqinë e jashtëzakonshme, e cila na bën të komunikojmë me njëri-tjetrin e të shprehim ndjenjat tona. Ky aktivitet u zhvillua me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Ambasadës Franceze në Tiranë dhe nxënësve të shkollës franko-shqiptare, “Viktor Hygo”.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura