Lejuan mallra kontrabandë, pranga doganierit, policit dhe tregtarit

Jun 27, 2016 | 9:51
SHPËRNDAJE

Doganieri, polici kufitar dhe një tregtar u arrestuan me akuzën e kontrabandës. Ministria e Brendshme njofton se sektori Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë në bashkëpunim me Sektorin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Korçë finalizuan operacionin “Tushemishti”.

Ilustruese
Ilustruese

Në pranga u vunë shtetasit:

Eduart Kushta, 45 vjeç, me detyrë doganier, në pikën e kalimit doganor Tushemisht, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal

Mentor Spahillari, 46 vjeç, punonjës policie me detyrë trup shërbimi pranë Pikës së Kalimit Kufitar Tushemisht, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Edlir Pilinçi, 40 vjeç, për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” parashikuar nga neni 172 dhe “Kontrabanda me mallra të tjerë” parashikuar nga neni 174 i Kodit Penal

Arrestimi i tyre është bërë pasi në orën 19:30 të datës 26 qershor 2016 në vendin e quajtur “Pompat e ujësjellësit”, në fshatin Tushemisht, Pogradec, shtetasi Eldir Pilinçi duke drejtuar mjetin me targa AA 352 MG është kapur në flagrancë me një sasi mallrash:

  • 4 koli me pije energjike B52
  • 7 koli me maja buke në gjendje të lëngshme
  • 40 pako me letër, për ambalazhim fast-food
  • 5 pako me qese plastike.

Mallra dyshohet se janë futur kontrabandë nëpërmjet pikës së Kalimit Kufitar Tushemisht dhe punonjësit Eduard Kushta dhe Mentori Spahillari kanë shpërdoruar detyrën duke mos ushtruar kontroll mbi këtë mjet.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për hetime të mëtejshme

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura