Lejet korruptive, Prokuroria sekuestron 9 pallate në Velipojë

Feb 7, 2016 | 10:42
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Shkodrës ka marrë lejen e gjykatës për të vendosur sekuestro preventive mbi 9 pallate në ndërtim në zonën bregdetare të Velipojës. Mësohet se këto pallate janë në pronësi të subjektit “Fishta” shpk, me administrator Sait Fishta, i cili dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm”.

PallatiProkuroria e Shkodrës ka zhvilluar fillimisht hetime për “shpërdorim detyre” ndaj anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT) të Komunës Velipojë, në bazë të të cilave u krijuan dyshime të arsyeshme se 9 zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryetarin e komunës Velipojë, kishin dhënë në kundërshtim me ligjin disa leje ndërtimi në favor të ”Fishta” shpk.

Në bazë të atij hetimi, KRRT-ja e Komunës Velipojë i kishte dhënë ’Fishta” shpk., leje ndërtimi për ngritjen e disa godinave, pjesë e një kompleks turistik. Por, në bazë të veprimeve proceduriale, rezultoi se këto leje ndërtimi ishin dhënë në zonën bregdetare, të cilat duhet të miratohen nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit (KKRRT).

Për këto shkelje, të gjithë ish-anëtarët e KRRT-së së Komunës Velipojë tashmë janë në proces gjyqësor, në të cilin akuzohen nga Prokuroria e Shkodrës për veprën penale të ”Shpërdorimit të detyrës”. Gjatë veprimeve hetimore të zhvilluara ndaj ish-zyrtarëve të komunës, të cilët aktualisht janë të pandehur, Prokuroria e Shkodrës njoftoi zyrtarisht edhe administratorin e ”Fishta” shpk, shtetasin Sait Fishta, se leja që ai kishte marrë për ndërtimin e kompleksit turistik ishte e paligjshme dhe nuk mund të vijoheshin punimet e nisura për ngritjen e godinave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura