Legjenda korçare “skanon” Skënderbeun, Xhambazi: Shehi një surprizë, klubi ka fituar identitet

Sep 26, 2018 | 1:25
SHPËRNDAJE

Skënderbeu, pas fitores me Flamur tarin në transfertë dhe barazimit në shtëpi kundër Tiranës, vazhdon të mbajë “fronin” në renditjen e përgjithshme. Edhe pse nuk mund të konsiderohet risi për kampionët në fuqi, ky start nuk ishte as i pritshëm, e sidomos kur dihet që nga vjet ka ndryshuar 60% e skuadrës. Për Dhimitraq Xhambazin, kjo ecuri është meritë e frymës në ekip, por mbi të gjitha e punës së trajnerit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, një prej legjendave të gjalla të futbollit korçar tregon se surpriza e këtij sezoni është Orges Shehi.

dhimitraq xhambazi

Skënderbeu është në vendin e parë me 11 pikë. A e prisnit një start të tillë, kur dihet që skuadra ka pësuar ndryshime të mëdha?

Të them të drejtën, nuk e prisnim një nisje të tillë, pasi një ekip i ri i riformatuar, siç ndodhi me Skënderbeun, ka gjithmonë nevojë për kohë. Kjo me qëllim që të gjitha repartet të lidhen në një të tërë dhe të krijojnë unitet. Gjithsesi, është një befasi pozitive dhe korçarët po tregojnë edhe një herë se, përpos të gjithave, janë një ekip me identitet tashmë.

Kur thoni kohë, çfarë nënkuptoni?

Kam parasysh kohën që çdo lojtar do në dispozicion që të njihet me ambientin, me shokët e ekipit dhe mënyrën e punës në këtë klub. Mirëpo, te Skënderbeu diçka e tillë nuk ka qenë shumë e nevojshme dhe pa dyshim që kjo është tejet pozitive.

Sipas jush, pse?

Nuk është sekret tashmë, ky ekip ka ditur të funksionojë me largpamësi. Po të shikoni, vërtet ka ndryshuar pjesa më e madhe e ekipit, por edhe ata lojtarë që kanë zënë vend në formacion janë rritur me këtë frymë. Kanë qenë pjesë e Skënderbeut dhe e dinë mjaft mirë sesi punohet këtu.

Ai barazim me Tiranën la shije të hidhur. Çfarë nuk shkoi sipas jush?

Të gjithë prisnin fitoren në të vërtetë. Dhe kjo është logjike, pasi ekipi vinte nga një sukses i pamenduar në Vlorë. Por kjo ndoshta ngarkoi me presion lojtarët që nuk ishin të qetë në fushë. Fitorja u pa si detyrim dhe kushtëzoi ekipin në fushë. Nga ana tjetër, edhe mungesa e tifozëve pati ndikimin e vet në këtë ndeshje. U shpërdoruan shumë raste dhe Tirana përfitoi nga kjo.

Sa larg mund të shkojë ky ekip?

Ndonëse shumë persona e nënvlerësuan, Skënderbeu ka potencialin për të qenë atje, në vendet e para të renditjes. Tani forca dihet, por unë them se ekipi nuk është në maksimumin e vet. Do edhe disa javë që gjithçka të kolaudohet dhe të arrihet ajo që stafi teknik kërkon. Nga ana tjetër, unë jam përditë atje dhe e shoh se me sa pasion dhe dëshirë punon Orges Shehi, së bashku me katër pjesëtarët e stafit. Duan të marrin maksimumin dhe nuk tolerojnë asgjë. Kjo është diçka mjaft pozitive, e cila po jep frytet e veta.

Megjithëse është ende shpejt, cilin shikoni si ekipin e kompletuar për kampion këtë sezon?

Është vetëm java e pestë e kampionatit dhe normalisht që asgjë nuk duket me saktësi që tani. Gjithsesi, duket një kampionat shumë i fortë dhe i balancuar. Kam përshtypjen se asnjë nuk bën diferencën, megjithëse Skënderbeu, Partizani dhe Kukësi duken një hap para të tjerëve. Do të mbetet gjithçka për t’u parë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura