Legjenda e minierës së Bulqizës, “Hero i Punës Socialiste” dhe deputet, u varros me nderime te Dëshmorët e Kombit, vëllai i vdiq në tortura… /Historia e panjohur e dy vëllezërve Manço

Feb 8, 2020 | 8:14
SHPËRNDAJE

pjimage (3)

Kjo eshte historia e panjohur e dy vëllezërve me origjinë nga fshati Boboshticë e Korçës, të cilët pasi u angazhuan me grupet e para komuniste në rrethin e Korçës dhe më pas morrën pjesë aktive në Luftën Antifashiste si efektiv në brigadat partizane, u dërguan për studime në Poloni dhe në Bashkimin Sovjetik, ku dhe u diplomuan për Inxhinjeri Mekanike dhe Inxhinjeri Minerash.

Kthimi i tyre në Shqipëri dhe karriera profesionale: Todo si kryeinxhinier në Minierën e Bulqizës ku punoi për vite me rradhë me një përkushtim të madh, gjë e cila bëri që t’i akordohej titulli “Hero i Punës Socialiste”, dhe deputet i Kuvendit Popullor, kurse Andrea, si atashe për sektorin e Bujqësisë pranë ambasadës shqiptare në Moskë dhe më pas në Ministrinë e Bujqësisë dhe Makina-importin në Tiranë, duke qenë një ndër specialistët më të vlersuar.

Vdekja e papritur e Todos më 6 nëntor të vitit 1974 dhe ceremonia zyrtare mortore në sheshin para Bashkisë ku morri pjesë kryeministri Mehmet Shehu dhe disa ministra, anëtarë të Byroso Politike, deputetë e të tjerë zyrtarë të lartë të cilët e përcollën me nderime të mëdha për në banesën e fundit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe emrin e tij e mban edhe sot Miniera e Bulqizës.

Ndërsa i vëllai i tij, Andrea, vetëm disa muaj më pas do të arrestohej nën akuzën se i kishte shkruar disa letra anonime Enver Hoxhës lidhur me arrestimet që ishin bërë në sektorin e Naftës, u arrestua dhe vdiq në tortura në qelitë e Hetuesisë së Tiranës, pasi nuk pranoi të vetdeklarohej si “armik i popullit” dhe varri i tij ende nuk është gjetur edhe pas tre dekadash nga shëmbja e regjimit komunist…

Kush ishte Todo Manço?

Todo Manço lindi në katundin Boboshticë të rrethit të Korçës më 16 mars 1921 dhe ai rrjedh nga një familje fshatare e mesme, pasi babai i tij përveç nënpunës.     Shkollën fillore ai e kreu në fshat dhe pastaj ndoqi Liceun e Korçës të cilin e përfundoi në vitin 1941. Në mesin e vitit 1937, ai ra në kontakt me Niko Xoxin, një nga komunistët e parë të Grupit të Korçës, me të cilin vazhdoi lidhjet deri në fund të vitit 1938 kur u rekrutua nga Nesti Kerenxhi dhe Taçi Skëndi si antar i shoqërisë “Puna:. Që atëhere dhe deri në shkrirjen e grupeve komuniste, ai ka bërë pjesë në një treshe aktive, siç ishte asokohe organizimi i celulave komuniste.

Nga fundi i vitit 1941 kur kanë ardhur në Korçë delegatët e Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste për organizimin e Partise, ai u caktua në organizatën e katundeve Boboshticë, Drenovë dhe Ravonik, si përgjegjës deri nga mesin e vitit 1942, kur është thirrur për të punuar në Korçë dhe është kooptuar në Komitetin Qarkor. Në shtator të këtij viti, Todo detyrohet të hidhet në ilegalitet dhe pas një muaji shkon në katundet e Rrëzës dhe të Devollit, për tëndihmuar në organizimin e punës së partisë.

Nga dhjetori i vitit 1942 ai shkoi në çetën e Devollit, i dërguar nga Komiteti Qarkor si përgjegjës i organizatës Partisë së çetës, deri nga marsi 1943. Nga kjo kohë ai qëndroi në rrethet Gore-Opar me Nexhip Vinçanin, deri në fillim të majit, kohë kur, me urdhër të Komitetit Qëndror, dërgohet në Vlorë ku kishte dalë i ashtuquajturi “Fraksioni i Sadik Premtes”. Fillimisht ai punon në qytet me organizatat bazë, pasi gjëndja në rrethet ishte e paqartë dhe pas dy-tre javësh, ka dalë prej qytetit dhe ka marrë pjesë në organizatat e Partisë së Drashovicës, Mesaplikut e Himarës. Në këtë kohë ai njihej me pseudonimin, “Çerçiz Hodo”, pasi ishte ilegal.

Nga mesi i vitit 1943, Todo është dërguar si zv/komisar në batalionin “Ismail Qemali”, por u hoq prej andej për arsye plogështie. Më vonë është dërguar të bëjë pjesë në krahinën e Mallakastrës, por me fillimin e operacionit nga gjermanët, detyrohet të hidhet në Kurvelesh e Mesaplik dhe pas mbledhjes së aktivit të partisë, në dhjetor 1943, caktohet me ulje, si komisar i Kompanisë së. IV-të, në Batalionin e IV-të, të Brigadës së V-të Sulmuese. Këtu ai ka qëndruar deri në fund të prillit 1944, kohë kur dërgohet në dispozicion të Shtabit të Përgjithshëm dhe që aty, Liri Gega, me të cilën kishte kontradita, e dërgoi në Boboshticë, me preteksin për t’u kujdesur për materialet që dilnin nga Korça. Këtu ka ndenjur pa asnjë punë dhe askush nga Qarkori i Korçës nuk është kujtuar t’a nxjerrë nga kjo gjendje, përkundrazi dikush nga eksponentët i ka propozuar të shkojë mësues në ndonjë katund.

Po këtu, në fillim të gushtit plagoset nga gjermanët, dhe detyrohet të qëndrojë në Dardhë për dy muaj deri sa ju mbyll plaga. Nga nëntori 1944 Todo caktohet si përgjegjës i Agjitpropit në Brigadën e IX-të Sulmuese dhe në fillim të vitit 1945, kur brigada u nis për Krujë, ai shkon në Tiranë ku caktohet Sekretar i Parë pranë Drejtorisë Personleit të Ministrisë Punëve të Brëndëshme, e më pas kryetar i degës së kuadrit në po këtë ministri.

Gjatë kësaj kohe ai shpesh shprehej i pakënaqur për mbarëvajtjen e punëve dhe për këtë, në korrik të vitit 1946, Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste Shqiptare i jep vërejtje të rëndë me shënim në biografi. Nga shtatori i këtij viti dhe për gjashtë muaj, ai qëndroi në dispozicion, pranë Kryeministrisë, e më pas u emërua Kryetar i Degës Ekonomike në Drejtorinë Qëndrore të Industrisë së Lëndëve të Ndërtimit. Në fillim të vitit 1948, ai punoi në Degën e Administratës në Ministrinë e Industrisë.

Që pas mbarimit të Luftës Todo kishte kërkuar të vazhdonte studimet e larta, pasi punët e caktuara në administratë, nuk i jepnin sadisfaksion dhe ja forcuan edhe më shumë bindjen për të studiuar dhe për të patur një profesion në jetë. Kjo mundësi ju dha në shtator të vitit 1948, kur ju akordua një bursë për të studiuar jashtë vëndit.

Kështu në fund të vitit 1948 ai niset për në Poloni, në qytetin e Krakovit, ku kryen studimet e larta në Akademinë e Minierave deri në mars të 1952, kur përfundon studimet dhe diplomohet me rezultate të larta. Pas kësaj ai kthehet në Shqipëri dhe fillon punë si inxhinier në Minierën e Bakrit në Rubik. Në vitin 1954 transferohet nga Rubiku në Tiranë ku punon për rreth 7 muaj si Drejtor i Minierave në Ministrinë e Industrisë, punë të cilën e dorëzoi për shkak se kërkonte të punonte në profesionin e vet. Kështu, nga marsi i vitit 1955 ai transferohet dhe fillon të punojë si kryeinxhinier në Minierën e kromit në Bulqizë.

     Miniera e Bulqizës, një vënd shumë i rëndësishëm ne jetën e Todo Manços

Kjo minerë ka filluar të funksionojë që nga viti 1948, por kishte gjithë mungesat dhe problemet që mund të kishte një minierë e re në një vënd të pazhvilluar dhe sapo dalë nga lufta. Në Bulqizë, Todo Manço gjeti një kolektiv minatorësh që prej kohësh punonin në minierë, si: Kamber Duriçi, Ramadan Guzja, Islam Islami, Baftjar Fida e plot të tjerë, të cilët kishin vënë shpirtin në minierë dhe punonin me një përkushtim të madh, gjë e cila do të bënte që Todo të gjente mbështetjen tek ata. Për zhvillimin e minierës dhe përmirësimin e teknologjisë nxjerrëse, në vitin 1957, ai së bashku me Kamber Duriçin, dërgohet në Bashkimin Sovjetik, ku u njoh me eksperiencën e shfrytëzimit të njërës prej minierave në Ural. Pas kthimit, ai u përpoq dhe vuri në zbatim teknikën e shfrytëzimit me shembje, gjë për të cilën u vlerësua dhe me Çmimin e Republikës së  shkallës së dytë.

Puna në minierën e Bulqizës që periudha më e gjatq dhe kryesore e jetës së tij, si në aspektin profesional ashtu edhe atë personal. Atje ai krijoi familjen me një vajzë nga Tirana, të cilën e kishte njohur që në ministri dhe që nga viti 1957 erdhi të banojë me të në Bulqizë, megjithë vështirësitë që kishte jeta në këtë vënd të ashpër. Vitet ’60-të, si kudo në Shqipëri, ishin vitet e një punë të palodhur plot probleme e vështirësi, por që miniera e kromit “Fitore” u rrit dhe u perfeksionua duke u shndërruar në minierën kryesore krom-nxjërrëse në Republikë.

Kromi ishte i një cilësie të mirë dhe në këtë periudhë kërkohej shumë në tregun ndërkombëtar; ai zinte një pjesë kryesore të eksporteve të Shqipërisë, prej të cilave siguroheshin, me shkëmbim, produkte jetike për popullin. Në fillim të viteve ’60-të, në Kongresin e IV të PPSH, ai do të zgjidhet kandidat i Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe në vitet më pas ka qenë dhe deputet i Kuvëndit Popullor për zonën e Dibrës, për shumë legjislatura.

Këto detyra dhe funksione të larta kurrë nuk e shkëputën atë nga pëunëtorët e minierës dhe njerëzit e thjeshtë, e si i tillë ai mbeti gjithmonë, i thjeshtë mes të thjeshtëv. Të gjithë banorët e atëhershëm të Bulqizës e kujtojnë “Krienxhinjerin”, siç i thonin,  si një njëri hijerëndë, të qetë, që nuk falte për rregullin dhe disiplinën, që nuk futej shpesh në klub, që nuk shkonte kurrë në bilardo, që në fund të orarit të punës nxitonte për në shtëpi me bukën nën sqetull. Një herë në javë ai zbriste vetë nën tokë, me minatorët dhe në raste avarish apo speciale edhe më shpesh, duke mos u dalluar nga punëtorët e thjeshtë. I donte në përgjithësi njerëzit megjithëse ishte shumë autoritar në marëdhënie me ata që nuk kishin të bënin drejtpërsëdrejti me të. Todo nuk mbajti kurrë qëndrim klasor me individë që për një arsye, apo për një tjetër, ishin të diferencuar apo kishin pasur probleme biografie me regjimin komunist. Kriteri i tij në vlerësimin e njerëzve, ishte karakteri i mirë dhe puna e tyre.

Vitet ’70-të e gjetën Minierën e Bulqizës në apogjeun e saj, kjo për shumë arsye: eksperienca e akumuluar në të gjitha drejtimet, filloi të jepte rezultatet e saj; një farë përmirësimi në teknologji; ndonjë makineri e re; niveli i njerëzve që tashmë ishte rritur; më tepër personel inxhinjero-teknik etj. (Në përgjithësi i gjithë sistemi kishte në këtë periudhë një farë lulëzimi). Tanimë miniera kishte fituar ritmin e saj normal të punës, që kishte të bënte me një shfrytëzim racional të nëntokës mineral-mbajtëse. Dihet nga burime të sigurta që Todo Manço ka qenë gjithmonë në kontrast me planet e shtetit, kur këto mbi bazën e orientimeve të Partisë, pasqyronin shifra të fryra. Sipas tij, “një shfrytëzim të tillë minierës mund t’i bënte vetëm  pushtuesi”, por kurrsesi një shtet që duhet të mendonte edhe për të nesërmen e vet. Megjithatë Todo Manço ka qenë gjithmonë i vlerësuar nga të gjitha strukturat e shtetit dhe kjo u duk kur në vitin 1968, viti kur atij iu dha dekorata “Hero i Punës Socialiste”.

Në vitin 1973 ai emërohet në Drejtorinë e Përgjithëshme të Kromeve në Burrel, përsëri në detyrën e kryeinxhinierit, një strukturë të cilën ai e kishte quajtur “hallkë të tepërt “ dhe që më vonë u shkri. Sidoqoftë, në fund të këtij viti ai largohet nga Bulqiza dhe vendoset në Burrel, bashkë me familjen, ku nuk ndenjën as edhe një vit për arsye se u sëmur. Kështu në muajin shkurt të vitit 1974, mjekët e Spitalit të Burrelit, në bazë të egzaminimeve paraprake të sakta, e dërguan për kontroll në Tiranë, ku dhe u diagnostikua përfundimisht me kancer në mushkëri (carcinoma pulmonare, siç është shkruar në raportin e vdekjes). Pak pas kësaj periudhe, emërohet si këshilltar në Ministrinë e Industrisë së Rëndë dhe Minierave, detyrë, të cilën që jo veç nuk do ta kishte dashur, por dhe nuk e kreu asnjë ditë pasi ishte në zhvillim të sëmundjes së tij.

Todo Manço i konsideruar si legjenda e Minierës së Kromit të Bulqizës, ndërroi jetë më 6 nentor 1974, në orën 11.30, në Tiranë, në Klinikën që atëherë quhej e udhëheqësve. Ai varros të nesërmen, i nderuar nga shteti dhe nga çdokush që e kishte njohur. Ceremonia e përmorteshme filloi në orën 11.00 në Komitetin Egzekutiv të Tiranës dhe vazhdoi në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, prej të cilave është zhvarrosur në pranveren e vitit 1993, për tu rivarrosur në Varrezat Publike-Sharrë, ku dhe ndodhet aktualisht.

Andrea Manço, vdiq në tortura pas letrave anonime që i bëri Enver Hoxhës

Edhe Andrea Manço, ashtu si i vëllai, Todi, lindi në katundin Boboshticë të rrethit të Korcës në vitin 1926.  Shkollën fillore e kreu në fshat dhe pastaj ndoqi Liceun e Korçës ku dhe u përfshi në Lëvizjen Antifashiste Nacional-çlirimtare, me rininë komuniste të fshatit Boboshticë dhe ndihmoi lëvizjen nga brënda fshatit, siç kishte dhe detyrën nga strukturat organizative të Qarkorit të Korçës

Pas mbarimit të Luftës, Andrea shkoi në Tiranë ku ka punuar në punë të ndryshme, deri sa në gjysmën e parë të viteve ’50-të ai u dërgua për studime në Moskë, ku kreu studimet e larta për Inxhenieri Mekanike. Pas diplomimit ai kthehet në Tiranë dhe punon si specialist në Ministrinë e Bujqësisë, ku në atë kohë ishte ministër Maqo Çomo. Në kuadrin e kësaj ministrie dërgohet si atashe bujqësie në BRSS për tre vjet, duke punuar deri nga gjysma e dytë e viteve ’50-të.

Në vitet ’60-të Andrea ka punuar në drejtorinë e Makinaimportit në Tiranë, ku për një kohë relativisht të gjatë ka qenë dhe drejtor i kësaj drejtorie. Ndërsa ushtront këtë detyrë, në vitin 1975, ai arrestohet nga Sigurimi i Shtetit duke u akuzuar se kishte shkruar disa letra anonime drejtuar Enver Hoxhës, lidhur me spastrimet që bëheshin në sektorin e naftës. Mbasi mbahet në hetuesi për një vit, duke u torturuar barbarisht që të pranonte dhe të vetë deklarohehej “armik i popullit”, ai fillon grevën e urisë nga e cila transformohet në një gjysëm-njeri dhe në këtë gjëndje, me urdhër nga “lart” kërkojnë ta eliminojnë. Kështu Andrea Manço pati fatin tragjik të pushkatohet me Koço Plakun dhe Milto Gjikopullin, (dy inxhinjerët dhe drejtuesit e famshëm të sektorit të Naftës në Shqipëri) më datën 28.VI.1976. Sipas dëshmive të atyre që kryen ekzekutimin e tij, ai nuk ka shprehur fjalë të fundit siç shkruhet në një raport, ndërsa vendi i varrimit ende nuk dihet!/Memorie.al

Andrea-Manço-me-femijet-Spartak-e-Natasha-Manço Boboshtice-14.09.1938.-Nga-e-mj.-ne-te-dj.-Stavri-Xharo-Sotir-Manushi-T.M.-Sotir-Gramatiku.-Ulur-Milo-Qirko. Bulqize-Zona-41-1969 Dardhe-vjeshte-1944.-Lart-mj.-dj.-Gaqi-Dhembi-T.-Mancoplagosur-Sokrat-Trako_-ulur-Dh.-Lluko-te-gjithe-boboshtare-1 IMG-20200208-WA0000 IMG-20200208-WA0002 IMG-20200208-WA0003 IMG-20200208-WA0004 IMG-20200208-WA0005 Me-bashkeshorten-Vezire-Batalli-Manço.-Bulqize-1958 meta engel1

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura