Legalizimi i kanabisit, flet eksperti i ekonomisë: Nisma pas presionit të grupeve politike dhe kriminale ndaj Qeverisë!

May 10, 2022 | 14:28
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, ngre dyshime se nisma e qeverisë për lejimin e kultivimit të kanabisit për arsye mjekësore ka ardhur si pasojë e presionit në rritje të grupeve të interesuara nga politika, biznesi dhe grupet kriminale.

zefpreci

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike shprehet se ky është një gabim i madh me pasoja të rënda për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

I pyetur për mundësitë e përfitimit ekonomik dhe kapacitet e shtetit për të kontrolluar këtë treg të ri, eksperti i ekonomisë thotë se aktualisht gjysma e ekonomisë kombëtare është informale, duke u shprehur se shteti nuk ka kapacitet e duhura për ta menaxhuar.

Sipas tij, shteti shqiptar është i korruptuar dhe shumë i dobët dhe vetë mënyra se si u vendos për këtë çështje, është një shkelje syri për grupe, për individë dhe klane të caktuara kriminale, që janë edhe përfituesit realë të këtij aktiviteti. Preçi thotë se kjo gjë mund të ndodhte pas 20 apo 30 vitesh, por kurrsesi jo sot. Sipas tij, për të lejuar kultivimin e kanabisit për arsye mjekësore, në Shqipëri duhet të kishte një industri të zhvilluar farmaceutike, të cilën ne sot nuk e kemi.

Për ekspertin e ekonomisë, kjo nismë e ndërmarrë nga qeveria pengon fshatarët për kultivimin e prodhimeve bujqësore, ushqen konfliktet dhe nxit pasurimin e paligjshëm. Sipas Preçit, ajo duhet parë në lidhje edhe me nismën tjetër të qeverisë, që ka të bëjë me legalizimin e parave që vijnë nga aktivitetet informale dhe kriminale të lidhura me to.

Sipas tij, rezultatet e Këshillimit Kombëtar nuk duhet të merren në konsideratë, pasi ka të dhëna që mund të jenë kontradiktore për vetë natyrën e njerëzve, të cilët janë bërë pjesë e këtij procesi, që mund të jenë të afërt me qeverinë dhe partinë në pushtet.

INTERVISTA

Z. Preçi, në formularin e Këshillimit Kombëtar, rreth 61 për qind u shprehën pro lejimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Si e komentoni ju iniciativën e qeverisë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, të kontrolluar nga shteti?

Preçi: Deklarimi nga z. Rama se 61 për qind e qytetarëve shqiptarë të pyetur në Këshillimin e tij Kombëtar mbështesin lejimin e kanabisit për qëllime mjekësore, mendoj se pasqyron presionin në rritje të grupeve të interesuara qoftë nga politika, pjesa e biznesit apo pjesa kriminale, për të legjitimuar kultivimin e kanabisit që është bërë një shqetësim kombëtar dhe ndërkombëtar dhe, njëkohësisht, shërben si një mjet që mesa duket, qeveria do ta përdorë si mjet presioni ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare, me qëllim që të pranohet si fakt i kryer legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore të kontrolluara nga shteti.

E vërteta është që shteti sot mbledh gjysmën e taksave. Pra, gjysma e ekonomisë është jashtë kontrollit shtetëror, informale. Kuptohet që pjesa e kontributit të kanabisit në ekonomi është tërësisht kriminale dhe lidhet me një numër nëpunësish të rangjeve të ndryshme që sigurojnë mbështetjen, mbrojtjen dhe përfitimet që në tërësinë e tyre mendoj se dëmtojnë ekonominë kombëtare dhe krijojnë në terren të pafavorshëm për normalitet në ekonomi.

Kjo nuk do të thotë që mbas 20 apo 30 vitesh, kur të jetë forcuar shteti, funksionimi i agjencive ligjzbatuese, nëse do të ketë kërkesë të konsumatorëve dhe industri farmaceutike të zhvilluar dhe normalizim të këtij produkti në tregjet e botës, do ketë edhe nevojë për të. Por kurrsesi në ditët e sotme. Mendoj se po bëhet një gabim i madh me pasoja të rënda, veçanërisht në kushtet kur mallrat bazë ushqimore me lëndë të para bujqësore, janë rritur me gati një të tretën e vetëm ditën e sotme.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se lejimi i kultivimit të kanabisit mjekësor do të sjellë përfitime për ekonominë. Ju si ekspert i ekonomisë, si e shikoni këtë çështje? Çfarë ndikimesh apo efektesh do ketë në ekonominë vendase kultivimi i kanabisit?

Preçi: Unë nuk mendoj se duhet të flasim për përfitime në kushtet e sotme për ekonominë tonë kombëtare. Ato përfitime që mund të sjellë bima e kanabisit tashmë janë në ekonomi, por mendoj që duhen lexuar si përfitime negative. Si dëm që nga njëra anë okupon sipërfaqe të ndryshme toke, i pengon dhe dekurajon fshatarët të marren me kultivimin e bimëve bujqësore apo mbarështimin e kafshëve, pra sigurimin e prodhimeve blegtorale në vend dhe, njëkohësisht, ushqen konfliktet, keqfunksionimin e shtetit, pasurimin e paligjshëm dhe të gjitha deformacionet që vijnë në tregje që nga tregu i valutës. Ne kemi një monedhë kombëtare të mbiçmuar për këtë shkak, pra për shkak të prodhimit të parave me origjinë informale dhe kriminale në ekonomi deri te konfliktet e ndryshme që zënë peshë të madhe. Pa folur për probleme të rënda sociale që janë shfaqur dhe vazhdojnë të agravohen në segmente të ndryshme në shoqëri.

Si një ekspert ekonomie, sa para duhet të investohen për të ngritur një industri të mirëfilltë për kultivimin për qëllime mjekësore të kanabisit dhe a është kaq fitimprurës sa pretendohet dhe, sipas jush, kush do të jetë përfituesi real i kësaj nisme të qeverisë?

Preçi: Natyrisht, për të zhvilluar ekonominë e kanabisit në një shtet normal, që funksionon, do të kishim një ndarje të mirëfilltë pune midis Policisë, shëndetësisë dhe bujqësisë. Duhet të kishim një industri farmaceutike të zhvilluar, një numër konsumatorësh që kanë nevojë për këtë produkt dhe duhet të bëhen vlerësime sa i takon koniunkturës ndërkombëtare, sepse perceptohet si shumë fitimprurëse, por historia e dështimit në Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera, ka provuar që tregu ndërkombëtar është i paqëndrueshëm, konsumi është shumë i vogël dhe vendet që kanë industri farmaceutike shumë të zhvilluar dhe konsumi është disa dhjetëra tonelata, ndërkohë që në ditët e sotme kanabisi jomjekësor, kriminal, që përdoret, është qindra herë më i madh.

Çfarë ndikimesh mund të ketë kultivimi i kanabisit në zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë vendase, si: bujqësia, blegtoria apo edhe industria?

Preçi: Është fakt i njohur që desitimi i një sipërfaqe në rritje të tokës për një kulturë, qoftë kjo edhe kanabisi mjekësor, pakëson sipërfaqen e mundshme për t’u mbjellë me kultura të tjera bujqësore, për t’u përdorur si kullota për blegtorinë etj. Ky është efekti i parë. Problemet që lidhen me sigurimin e fuqisë punëtore që është problematike në fshat në ditët e sotme dhe problemet që lidhen me kualifikimin e saj për qëllime bujqësore dhe prodhimin blegtoral, janë pasoja të tjera që nuk duhen neglizhuar. Ndërkohë, nuk duhet parë si burim, unë e shoh jopozitivisht, pra në mënyrë negative, dhe mendoj që pasojat imediate kemi filluar t’i ndjejmë pa pasur nevojë për legalizim.

A i ka shteti shqiptar aftësitë që të menaxhojnë dhe kontrollojë situatën që mund të krijohet në vend nga kultivimit i kanabisit për qëllime mjekësore?

Preçi: Sa u takon aftësive që ka shteti shqiptar për të kontrolluar, jo vetëm me taksat, por edhe me kontrollin e territorit, siç tregojnë edhe ndërtimet e paligjshme, është shumë i dobët, i korruptuar dhe, për pasojë, nëse pretendohet që me këtë nivel që ka sot funksionimi i shtetit, legjitimiteti i tij, kuptohet që vetë konsultimi ka qenë i mjaftueshëm si një sinjal, një shkelje syri për grupe, për individë dhe klane të caktuara kriminale që janë edhe përfituesit realë të këtij aktiviteti.

Përpos ndikimeve në ekonomi, çfarë ndikimesh të tjera mund të ketë kjo iniciativë në shoqërinë shqiptare?

Preçi: Për sa kohë nuk ka një qartësim të grupeve shoqërore të interesuara, të kuadrit rregullator, të zhvillimeve dhe tendencave që shfaqen në koniunkturën ndërkombëtare, debati ngelet në rrafshin politik, si një instrument përmes të cilit shtohen disa para për të blerë vota, por nuk shtohen vendet e punës, kontributet në tatime e taksa, për të mos thënë problematika që lidhen me konfliktet dhe problemet ligjore, është e madhe dhe në rritje.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nëse shqiptarët duan, mund të lejohet kultivimi i kanabisit edhe për qëllime përdorimi vetjak përsëri përmes një pyetësori. Keni ndonjë koment për këtë deklaratë?

Preçi: Lidhur me nevojën për të konsultuar në të ardhmen përdorimin vetjak, kjo varet kë pyet. Nëse ndiqet kjo rrugë, kuptohet që mund të sigurohen të dhëna kontradiktore në varësi të grupit shoqëror që pyet. Nëse pyet një grup militant, patronazhist etj., ke gjithmonë një përgjigje pozitive, qoftë edhe kur është në dëm të interesave të tyre. Problemi shtrohet që pyetjet në shoqërinë demokratike bëhen një herë në katër vjet përmes zgjedhjeve të përgjithshme dhe kur ka çështje të veçanta, siç mund të klasifikohet edhe kjo, përdoret referendumi, që kryhet nga palë të treta dhe natyrshëm ofron perceptimin e shoqërisë.

Por masat në fushën e ekonomisë, taksave, doganave, çështjeve të kufirit, nuk mund të vendosen me konsultime publike, që në thelb pasqyrojnë problemet serioze që kalon qeverisja, ekonomia dhe përpjekjet për të siguruar disa para shtesë, që më shumë shërbejnë në qeverisjen dhe vazhdimin e saj, sesa shërbejnë në ekonominë në tërësi. Mendoj që kjo nismë e qeverisë duhet parë e lidhur ngushtë me nismën tjetër të legalizimit të parave që vijnë nga aktivitetet informale dhe kriminale të lidhura me to dhe, në njëfarë mënyre, janë si enët komunikuese. Fuqizimi i njërës ndihmon edhe tjetrën, por të dyja bashkë dobësojnë ekonominë, natyrën e shtetit, legjitimitetin e tij dhe besimin e publikut ndaj institucioneve të shtetit të së drejtës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura