Legalizimi i kanabisit dhe rasti i Gjermanisë

Nov 11, 2022 | 8:50
SHPËRNDAJE

xhezair-zaganjoriXHEZAIR ZAGANJORI

Europa e sotme po kapër cen pragun që ndan epokat. Ajo është në vigjilje të një ndryshim historik gjeopolitik. Me këtë artikull dhe në vijim përpiqem të sjell zhvillimet gjeopolitike në… Vitet e fundit ka pasur e vazhdon të ketë diskutime të shumta në mjaft shtete të botës mbi qëndrimet ligjore që duhen mbajtur ndaj lëndëve narkotike, e veçanërisht ndaj Cannabis-it, tema delikate e mjaft të rëndësishme këto, me një impakt të jashtëzakonshëm për jetën e individit dhe shoqërinë në tërësi.

Fjala narkotike vjen nga greqishtja e vjetër. Me emrin narko, grekët konsideronin topitjen apo mungesën e fuqisë për të menduar, reaguar apo për të perceptuar botën përreth. Është provuar tashmë që lëndët narkotike veprojnë në sistemin nervor qendror, kryesisht përmes receptorëve të veçantë që ndodhen në trurin e njeriut, duke prodhuar efekte të shumta në trupin e tij. Një nga efektet kryesore, për të cilin janë përdorur fillimisht këto lëndë që në lashtësi, është zvogëlimi i dhimbjeve, shkaktuar nga sëmundje të ndryshme, sidomos nga kanceri. Kjo, për arsye se lëndët narkotike prodhojnë një substancë të veçantë që quhet analgesia, e cila shkakton mpirje të forta që ulin ndjeshëm dhimbjet në trup. Por, nga ana tjetër, ato ndikojnë negativisht në gjendjen shpirtërore, ndërgjegjen, procesin e marrjes se dijeve si dhe sjelljen e përdoruesit, veprimet e të cilit për një kohë të caktuar bëhen shpesh të pakontrollueshme. Kjo gjendje mund të shoqërohet edhe me efekte akute, si me halucinacione, ankth, depresion, probleme me frymëmarrjen, reagime paranoidale, e të tjerë, që normalisht zgjasin nga 4 deri në 6 orë.

Siç shihet, përdorimi i lëndëve narkotike krijon probleme komplekse. Nga njëra anë mund të përdoren në mënyrë të kontrolluar në fushën e mjekësisë, ndërsa nga ana tjetër, përdorimi i tyre mund të shkaktojë varësi fizike e psikologjike, si dhe probleme e çrregullime të shumta shëndetësore. Përveç sa më sipër, mbidozat mund të çojnë edhe në vdekjen e menjëhershme. Pikërisht për këto arsye, në vitin 1961, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka miratuar Konventën Unike mbi Lëndët Narkotike, përmes së cilës u rekomandohet shteteve anëtare të marrin masa sa më efektive dhe të bashkëpunojnë ngushtësisht mes tyre për të luftuar e dënuar shitjen, trafikimin dhe përdorimin e këtyre lëndëve. Për këtë qëllim, Konventa e mësipërme, ndër të tjera, ndan lëndët narkotike në katër grupe apo kategori. Në grupin I bëjnë pjesë lëndët narkotike më të lehta, përfshirë këtu edhe disa nga nënproduktet e Cannabisit. Ndërsa vetë Cannabisi dhe rrëshira e tij (me të cilën prodhohet Hashashi), përfshiheshin në grupin IV, ku janë edhe drogat më të forta, si heroina, kokaina e të tjera, të cilat konsiderohen si tepër të rrezikshme për shëndetin. Konventa e OKB-së e vitit 1961 është amenduar me Protokollin e OKB-së mbi Lëndët Narkotike të vitit 1972. Në bazë e për zbatim të kësaj Konvente, po në kuadër të OKB-së, janë miratuar edhe dy akte të tjera: a) Konventa mbi Substancat Psikotrope e vitit 1971, si dhe b) Konventa kundër Trafikut të Paligjshëm të Lëndëve Narkotike dhe Substancave Psikotrope, e vitit 1988. Mbi sa më sipër, thuajse të gjitha shtetet e globit kanë marrë ato masa që kanë gjykuar si më të përshtatshme për arritjen e objektivave të OKBsë në këtë fushë. Përgjithësisht, kudo është kriminalizuar, pra, dënohet penalisht, shitja, trafikimi dhe përdorimi i lëndëve narkotike, pavarësisht se ndaj përdoruesve bëhet një lloj tolerimi për sasi të vogla narkotikësh që merren për konsum vetjak.

Siç kemi vënë në dukje, diskutimet më të shumta aktualisht bëhen sidomos për qëndrimin ndaj Cannabisit, si lëndë narkotike bimore disi më e lehtë. Pikërisht për këto arsye, Komisioni i OKB-së mbi Lëndët Narkotike (CND) i krijuar në bazë të Konventës së vitit 1961, i cili përbëhet nga përfaqësues të 53 shteteve anëtare, mbi bazën e rekomandimit të bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në janar 2019, mori vendimin për të riklasifikuar Cannabisin dhe rrëshirën e Canabisit, duke i “transferuar” ato nga grupi IV në grupin I të lëndëve narkotike. Ky vendim u mor më 2 dhjetor 2020 me 27 vota pro, 25 kundër dhe një abstenim. Ndryshimi i mësipërm do të thotë një qëndrim më liberal ndaj dy produkteve të mësipërme të Cannabistit, që synon qartësisht vetëm heqjen e disa pengesave procedurale në nivel ndërkombëtar, me qëllim nxitjen e kërkimit shkencor për një përdorim më të gjerë të këtyre substancave në fushën e mjekësisë, veçanërisht për të luftuar sëmundjen e epilepsisë tek fëmijët (argumentet e dhëna në rekomandimin e OBSH). Prandaj, në këtë kuptim, vendimi i mësipërm nuk ndryshon aspak qëndrimin ndaj përdorimit për qëllime jomjekësore të Cannabisit në tërësi, që do të thotë se si rregull, në çdo formë që mund të shfaqet, ai sërish ndalohet të konsumohet për qëllime argëtimi. Kjo do të thotë, pra, që ky vendim i komisionit nuk mund të shërbejë aspak si mburojë për marrjen e masave për legalizimin e Cannabisit e përdorimin e tij për qëllime jomjekësore.

Sipas Enciklopedisë Britanike, Cannabis është një bimë e grupit botanik Urticales, që ka në gjirin e saj rreth 2 mijë e 200 specie, të ndara në 6 familje të mëdha. Një nga familjet e Urticaleve është edhe ajo me emrin Hemp, që përfshin bimët barishtore me kërcell të lartë dhe fije të forta, të cilat përdoren zakonisht për të bërë litarë apo çanta. Nga kjo familje mund të përmendën veçanërisht bimët me emrin Humulus Lupulus, që përdoren gjerësisht për prodhimin e birrës, si dhe Cannabis Sativa, që përdoret kryesisht si lëndë narkotike.

Praktikisht, e gjithë bima e Cannabisit përdoret si lëndë e parë narkotike, pasi në tërësi, pavarësisht intensitetit të ndryshëm, kudo në trupin e saj ndodhet përbërësi kryesor dhe më aktiv, që quhet Tetrahydrocannabinot (THC). Prandaj, në përgatitjen e lëndës narkotike përkatëse nga kjo bimë, shfrytëzohet thuajse çdo element i tij: gjethet, kërcejtë dhe lëngu në formën e rrëshirës, që përfitohet kryesisht nga lulet që ka. Cannabis përdoret zakonisht në tri forma kryesore: a) Në formë të thjeshtë apo të papërpunuar (përdorimi në forma të ndryshme i gjetheve) b) Në formë të thërrmuar, të tharë e të përpunuar (Mariujana), si dhe c) duke përpunuar lëngun e bimës, që siç thamë, është në formën e rrëshirës. Ky produkt nga Cannabis quhet Hashash.

Shkencërisht provohet se të tri format e mësipërme të përdorimit kryesor të Cannabisit kanë efektet e të gjithë lëndëve të tjera narkotike tipike. Në fushën e mjekësisë zvogëlojnë dhimbjet, ndërsa përdorimi për rekreacion krijon probleme të shumta fizike e psikike te përdoruesit. Këto efekte janë veçanërisht të rënda kur Cannabis përdoret në formën e Hashashit e Marijuanës. Sidoqoftë, vitet e fundit vihet në dukje se Cannabis mund të përdoret edhe më shumë në fushën e mjekësisë, veçanërisht: a) Për uljen e tensionit të brendshëm të syrit te personat që vuajnë nga Glaukoma; si dhe b) Në zvogëlimin e përzierjes apo të vjellave që shkaktohen gjatë periudhës së kimioterapisë; Po kështu ka mendime që Cannabis mund të përdoret edhe si “ilaç çudibërës” kundër Epilepsisë, Autizmit, Spazmave, Multisklerozës, Parkinsonit, Humbjes së Oreksit, SIDA-s e të tjerë. Për më tepër, ka zëra që thonë se ai mund të përdoret edhe për kurimin e kancerit. Mjeku dhe gazetari i shquar irlandez David Grimes thekson në librin e mirënjohur të tij “The Irrational Ape” (2016) se të gjitha këto nuk kanë ende një bazë të fortë shkencore. Duke u ndalur posaçërisht te çështja e kancerit, ai thekson ndër të tjera se “Është e vërtetë që dozat e mëdha të THC që përmban Cannabis mund të vrasin qelizat e kancerit… Por një gjë e tillë është e lehtë e mund të bëhet edhe nga agjentë të tjerë, si acidi, substanca të tjera që shkaktojnë djegie apo zbërthim të qelizave…. Agjentët që mund të përdoren kundër kancerit mund të jenë efektivë vetëm nëse targetojnë në mënyrë selektive qelizat e prekuara, duke mos dëmtuar qelizat normale, gjë që nuk e bën Cannabis… Ndaj shkencërisht, ky mit bie tërësisht poshtë …”. Mbi këtë bazë ai bashkohet me mendimin e shumicës së specialistëve që kundërshtonin projektligjin qe po diskutohej në Parlamentin irlandez në vitin 2016, lidhur me legalizimin e Cannabisit për qëllime mjekësore, duke sqaruar se edhe sikur të kishte ndonjë nga efektet kuruese…, sërish nuk duhej të bëhej legalizimi, për shkak të çrregullimeve mendore që ai shkakton veçanërisht te moshat e reja. Grimes përfundon duke vënë në dukje se zërat për legalizimin e Cannabisit nuk janë gjë tjetër veçse Kalë Troje për dekriminalizimin e tij. Pas shumë diskutimeve, Parlamenti Irlandez, me mbi 56% të votave, e hodhi poshtë projektligjin për legalizimin e Cannabisit.

Siç theksuam më sipër, përdorimi i Cannabisit bëhet për argëtim dhe për qëllime mjekësore. Kemi theksuar se vitet e fundit, në shtete të ndryshme ka pasur një lloj tendence për të legalizuar apo liberalizuar në mënyrë të kontrolluar përdorimin e kësaj lënde narkotike për të dy qëllimet e mësipërme. Në planin global, mes rreth 200 shteteve të globit, vendet që e kanë liberalizuar disi më shumë Cannabisin për qëllime argëtimi, janë Afrika e Jugut, Tailanda, Uruguai, Kanada, Meksika, Portugalia, Holanda dhe Malta. Megjithatë, tregtimi i hapur i kësaj lënde narkotike në dyqane të posaçme, bëhet vetëm në Kanada, Uruguai e Meksikë. Në Holandë, një gjë e tillë lejohet prej më shumë se 30 vitesh vetëm në coffeeshops të licencuara. Rreth 60 vende të tjera e lejojnë vetëm për përdorim personal, e në sasi të vogla, të përcaktuara qartësisht me ligj. Shumica e këtyre shteteve janë nga Amerika Latine dhe Amerika Qendrore. Përgjithësisht, sasia e lejuar nga ligji për përdorim personal shkon nga 3 gramë (Belgjika për shembull), deri në 10 gramë (Çeki, Ekuador, Paraguai e të tjerë). Ka edhe raste kur kjo sasi parashikohet të jetë shumë më e madhe, si në Portugali (deri në 25 gramë); Xhamajka (deri në 57 gram); Bolivi (deri në 50 gramë), e të tjerë.

Në Europë, nga rreth 50 shtete, përdorimi në sasi të kufizuar i Cannabisit për argëtim personal dhe për qëllime mjekësore, lejohet në rreth 20 prej tyre: (Austri nga viti 2016); Belgjikë; Kroaci; Ceki; Danimarkë (formalisht ilegal, por nga viti 2018 deri në fund të këtij viti (2022) po zbatohet një projekt pilot për këtë qëllim në Qytetin e Lirë Cristiania, që nuk është gjë tjetër vecse një lagje e vogël e Kopenhagenit); Estoni; Gjeorgji (Ndaluar me ligj, por lejuar për përdorim personal me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Gjeorgjisë të vitit 2018); Irlandë (rrëzuar projektligji respektiv në vitin 2016, por në vitet 2019 – 2024 po zbatohet një projekt pilot për këtë qëllim); Izrael; Itali; Lituani; Luksemburg; Maltë; Moldavi; Holandë; Maqedoni (vetëm për qëllime mjekësore, nga viti 2016); Portugali (nga viti 2001); Sllovaki; Ashtu si në Irlandë në vitin 2016, edhe në Norvegji, projektligji i propozuar për këtë qëllim u rrëzua në Parlament vitin që kaloi ( më 16 prill 2021). Ndërkaq, në Spanjë, Parlamenti i Katalonias votoi për lejimin e kufizuar të Cannabisit në këtë rajon, por ky ligj u deklarua si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Mbretërisë së Spanjës e të tjerë).

Të njëjtin debat për dekriminalizimin e pjesshëm të Cannabisit ka aktualisht edhe Gjermania. Me propozim të Të Gjelbërve, koalicioni qeverisës (Socialdemokratët, Të Gjelbërit dhe Liberalët) ka përcaktuar në Marrëveshjen e Përbashkët katërvjeçare (2021 – 2025) që gjatë këtij mandati të miratohet një ligj për legalizimin e Cannabisit.

Në fakt, me çështjen e Cannabisit është marrë edhe Gjykata Kushtetuese e RF Gjermane. Vite më parë, asaj i ishin paraqitur disa kërkesa individuale të ngjashme me njëratjetrën, përmes të cilave kërkohej shfuqizimi i dispozitave të Kodit Penal që dënojnë prodhimin, trafikimin, përdorimin dhe shitjen e Cannabisit. Sipas tyre, parashikimi i këtyre dënimeve bie në kundërshtim me Nenin 2 të Kushtetutës (Ligjit Themelor), i cili garanton të drejtën për liri dhe për zhvillimin e personalitetit individual..,; si dhe me Nenin 3, që garanton barazinë e shtetasve para ligjit…. Duke bashkuar kërkesat e paraqitura, në vendimin që Gjykata Kushtetuese ka dhënë mbi këtë çështje më 9 mars 1994, rrëzon si të pabazuara pretendimet e kërkuesve, duke theksuar ndër të tjera se:

“…Me ligjin për substancat narkotike… Ligjvënësi ndjek qëllimin e mbrojtjes së shëndetit të individit dhe të shoqërisë në tërësi, e para së gjithash të rinisë… Këtij qëllimi i shërbejnë edhe dispozitat penale respektive…. Për arritjen e këtij qëllimi, Ligjvënësi nuk penalizon vetëm format e caktuara të sjelljes ndaj këtyre substancave, por bën fjalë edhe për organizimin e bashkëjetesës sociale, në mënyrë që individët të kenë mundësinë të çlirohen nga kontaktet me drogat, veçanërisht nga drogat e buta, siç është edhe Cannabis…. Sipas Ligjvënësit, rreziqet mbi shëndetin që vijnë nga përdorimi i Cannabisit janë të konsiderueshme…, si letargji, indiferentizëm, depresion, ndjenja frike…. Nga ana tjetër, është e padiskutueshme që përdorimi i Cannabisit dëmton dukshëm aftësinë për të drejtuar automjetin… Konceptimi ligjor niset nga fakti që kontaktin e përgjithshëm me produktet e Cannabisit… t’ia nënshtrojë një kontrolli të plotë shtetëror për shkak të rreziqeve që paraqet droga në tërësi, si për individin ashtu edhe për shoqërinë. Prandaj, edhe dispozitat penale për substancat narkotike konsiderohen të përshtatshme për të kufizuar sa më shumë përdorimin e drogës, si dhe për të pakësuar rreziqet që vijnë prej saj…”.

Por, siç theksuam, koalicioni qeverisës në Gjermani, ka parashikuar edhe miratimin e një ligji të ri mbi legalizimin e Cannabisit për qëllime mjekësore e argëtuese. Në debatin paraprak që u zhvillua mbi këtë çështje më 7 korrik të këtij vitit (2022) në Bundestag, deputetja e të Të Gjelbërve Kirsten Kappert-Gonther theksoi ndër të tjera se “..Politika ndaj Cannabisit ka dështuar, pavarësisht mjeteve të jashtëzakonshme financiare e njerëzore të vëna në dispozicion të drejtësisë… Përmes kësaj politike është kriminalizuar një masë e madhe njerëzish… Prandaj tani kemi shansin historik për të bërë të mundur lejimin e kontrolluar të kësaj substance… Por kjo natyrisht që duhet të bëhet duke marrë njëkohësisht masa për mbrojtjen e shëndetit, veçanërisht të rinisë… Për këtë qëllim, ndër të tjera duhet të vendosen kontrolle në pikat e shitjes, për të zbatuar sa më mirë dispozitat e ligjit lidhur me moshën e lejuar për konsum si dhe për pastërtinë e Cannabisit nga përbërësit e tjerë të dëmshëm, veçanërisht nga Cannabinoidet sintetike…”.

Ndërkaq, më 26 tetor të këtij viti, përmes një konference shtypi, ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Karl Lauterbach, bëri të ditur zyrtarisht disa nga elementët kryesorë që do të përmbajë projektligji mbi Cannabisin. Sipas tij, legalizimi i Cannabisit do të bëhet nga koalicioni qeverisës, pasi politika e gjertanishme e ndalimit absolut nuk ka dhënë asnjë rezultat. Lulëzon tregu i zi dhe është rritur në vijimësi numri i konsumatorëve, veçanërisht në moshat 18 deri në 24 vjeç. Pasoja të saj janë rritja e numrit të të rinjve që vuajnë nga depresioni dhe çrregullimet mendore, nga njëra anë, si dhe rritja e dënimeve penale ndaj të rinjve, nga ana tjetër. Ai vuri në dukje se në këto kushte, mendohet se më shumë rezultative do të ishte puna edukuese e sqaruese, sesa nxitja e kureshtjes te moshat e reja si dhe masat e rrepta penalizuese ndaj tyre. Ndër të tjera, ai theksoi se mendohet të bëhet tregtimi i kontrolluar i disa produkteve të Cannabisit nga biznese të licencuara. Sasia e Cannabisit që mund të ofrohet individualisht për moshat mbi 21 vjeç duhet të jetë 20 deri në 30 gramë e të tjerë. Është interesant të theksohet se në sondazhin që u organizua po këtë ditë (pra më 26 tetor 2022) nga rrjeti televiziv RTL, rezultoi se 34 % e popullsisë ishte pro legalizimit të Cannabisit, ndërsa 64 % ishin kundër. 2% abstenuan.

Por, nga ana tjetër,

Dhoma Federale e Mjekëve gjermanë paralajmëron për dëmin e madh që do të shkaktonte legalizimi i Cannabisist te moshat e reja. Ato theksojnë se edhe nëse ndërmerret ky veprim (legalizimi), paraprakisht duhen marrë masa për mbrojtjen e veçantë të fëmijëve, të cilët rrezikojnë shumë të ndikohen nga masat liberalizuese, për shkak të formimit jo të plotë të tyre, kureshtjes, mosdijes së pasojave apo presionit të bashkëmoshatarëve ose më të rriturve në shkollë e shoqëri.

Në kundërshtim me koalicionin qeverisës, eksponentët kryesorë të koalicionit CDU/CSU që aktualisht ndodhet në opozitë, janë qartësisht kundër planeve të qeverisë për legalizimin e Cannabisit. Argument themelor i tyre është dëmi i madh dhe i pariparueshëm që do të shkaktonte në shëndetin e të rinjve konsumimi i kësaj lënde narkotike. Sipas opozitës, edhe nëse mund të merreshin disa masa liberalizuese, paraprakisht duhet investuar shumë për zvogëlimin sa më efektiv të pasojave që do të kenë sidomos moshat e reja në shëndetin e tyre mendor. Përveç sa më sipër, më 12 shtator 2022, shërbimi juridik i Bundestagut paraqiti një ekspertizë të brendshme, në të cilën thekson ndër të tjera se legalizimi i Cannabisit mund të jetë në kundërshtim edhe me të drejtën e Bashkimit Europian. Ndër të tjera, aty vihet në dukje se në një vendim kuadër të BE-së të vitit 2004, porositen të gjitha shtetet anëtare që të marrin masa për të dënuar penalisht prodhimin, shitjen e transportimin e lëndëve narkotike. Po kështu, vihet në dukje se edhe Protokollet e Shengenit të viteve 1985 dhe 1990 mbi lirinë e lëvizjes, të integruara në Traktatin e Amsterdamit të vitit 1997, përcaktojnë ndër të tjera se shtetet nënshkruese kanë detyrimin të marrin masa për të dënuar administrativisht e penalisht personat që prodhojnë, shesin apo transportojnë lëndë narkotike, përfshirë edhe Cannabisin.

Është interesant të theksohet se në këtë ekspertizë thuhet gjithashtu që edhe eksperienca holandeze e viteve të fundit mbi çështjen e Cannabisit nuk mund dhe nuk duhet të jetë model për Gjermaninë dhe vendet e tjera të BE-së. Për më tepër, sipas ekspertizës, edhe në këtë vend (Holanda) praktikisht ekziston ligji që dënon prodhimin, shitjen e transportin e lëndëve narkotike. Me pas shkohet më tej, duke arsyetuar se “.. Policia merr masa kundër individëve dhe konfiskon edhe Cannabisin kur bëhet fjalë për sasira më të mëdha…. Prandaj edhe shitja e Cannabisit në Holandë është formalisht ilegale, por në kuadër të kufijve të tolerancës, nuk fillohet procedim penal apo administrativ, kur bëhet fjalë për sasi të vogël”, që normalisht përdoret për qëllime personale.

Ndërkaq, ashtu si në vendet e tjera, edhe në Shqipëri, prodhimi, kultivimi, shitja apo trafikimi i lëndëve narkotike, përfshirë këtu edhe Cannabisin, dënohen penalisht, biles me dënime mjaft të ashpra, që shkojnë deri në 20 vjet burgim (shih në Kodin Penal nenet 283; 283/a; 283/b; 284 dhe 284/a). Në fakt, në tabelën globale që paraqitet mbi politikat që ndjekin shtetet ndaj drogave, vihet në dukje se në Shqipëri ndalohet ligjërisht prodhimi, shitja e transportimi i lëndëve narkotike e psikotrope, si për argëtim ashtu edhe për qëllime mjekësore, duke theksuar njëkohësisht se pavarësisht kësaj, në vendin tonë kultivohet gjerësisht Cannabis dhe se zbatimi i ligjit penal në këtë drejtim lë shumë për të dëshiruar. Nga ana tjetër, ashtu si në shumicën e shteteve, edhe në Shqipëri nuk dënohet penalisht personi, të cilit i gjendet lëndë narkotike që e disponon “.. për përdorim vetjak dhe në doza të vogla…” (neni 283 i Kodit Penal). Por në dallim nga shtetet e tjera që si rregull përcaktojnë qartësisht e me kritere objektive termin “dozë e vogël” (që sipas rastit, për Cannabisin shkon nga 1 gram deri në rreth 60 gramë), në Shqipëri ky kufi ka mbetur i papërcaktuar, duke krijuar probleme jo të pakta në praktikë. Aq më tepër që sipas vendimit unifikues nr.1 të vitit 2008 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, një gjë e tillë është lënë të përcaktohet me ndihmën e specialistëve të fushës, të thirrur si ekspertë në çdo rast procedimi e gjykimi, duke pasur parasysh “… jo vetëm llojin e lëndës narkotike e psikotrope, por edhe cilësitë fiziko-biologjike dhe shkallën e varësisë nga droga të personit konkret…”. Siç theksuam, kjo zgjidhje ka krijuar shumë probleme në praktikë, pasi u jep prioritet vlerësimeve subjektive të ekspertëve, prokurorëve e gjyqtarëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për përcaktimin e shkallës së varësisë së personit konkret ndaj drogës si dhe cilësive të tij fiziko – biologjike. Mbi këtë bazë ka ndodhur jo rrallë që persona në posedim të një sasie më të madhe Cannabis të lirohen, ndërsa ato në posedim të dozave shumë më të vogla të shpallen fajtorë e dënohen me vite të tëra burgim.

Në përfundim, mendoj se në mënyrë të përmbledhur duhet qartësuar e theksuar me forcë se:

1.E drejta ndërkombëtare bashkëkohore i detyron shtetet të ndalojnë e vënë nën kontroll mbjelljen dhe prodhimin e Cannabisit. Me autorizim të veçantë të autoriteteve përkatëse mund të lejohet përdorimi i tij vetëm për qëllime mjekësore dhe industriale. Në këtë kuadër, çdo shtet duhet të specifikojë problemet më të mprehta që ka me Cannabisin, në mënyrë që të luftojë sa më efektivisht kundër tyre. Ato mund të jenë në kultivim, prodhim, tregtim, trafikim apo përdorim.

2.Përdorimi i Cannabisit krijon probleme shëndetësore të shumta, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë, pasi ndër të tjera shkakton çrregullime në sistemin nervor qendror. Pikërisht për këto arsye, ashtu siç thekson edhe Gjykata Kushtetuese e RF Gjermane, shteti e ka për detyrë të marrë masa të shumta, përfshirë këtu edhe ato me karakter penal, në mënyrë që të mbrojë sa më mirë si individin ashtu edhe shoqërinë në tërësi. Detyrat që i takojnë shtetit nuk duhet dhe nuk mund t’i kalojnë tërësisht familjes. Nuk mund të jetë argument fakti i shpenzimeve të konsiderueshme për krijimin e mekanizmave shtetërorë në luftën kundër Cannabisit.

3. Ndryshimi i politikave shtetërore nuk do të thotë se janë zbuluar veti apo cilësi të reja “çudibërëse” të Cannabisit, por që praktikisht kanë dështuar politikat e gjertanishme. Janë kriminalizuar e vazhdojnë të kriminalizohen në mënyrë joproporcionale një masë e madhe njerëzish, kryesisht të rinj, në një kohë që prodhimi dhe konsumi i kësaj lënde janë rritur shumë.

4.Tolerimi sado i vogël i përdorimit të Cannabsit duhet të shoqërohet me masa paraprake për krijimin e mekanizmave sa më efektivë që do të kontrollonin zbatimin e ndryshimeve të mundshme ligjore. Mbi të gjitha, duhet një vëmendje e shtuar për parandalimin, edukimin, trajtimin dhe mjekimin në kohë të fëmijëve dhe të rinjve që për shumë arsye natyrshëm do të prekeshin nga liberalizimi i mundshëm i qëndrimeve ndaj Cannabisit, në mënyrë që të garantohej rikthimi sa më parë i tyre në një jetë normale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura