Legalizimet, zbardhen rregullat e reja për kalimin e pronësisë

Jun 29, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Duke nisur nga data 15 korrik, hyjnë në fuqi rregullat e reja për kalimin e të drejtës së pronësisë për familjet që janë në proces legalizimi.

legalizime

Vendimi i Qeverisë është zbardhur dje në Fletoren Zyrtare. Ndërsa pak ditë më parë ishte kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, ai i cili i parapriu duke prezantuar disa prej ndryshimeve që do të sjellë ky vendim.

VENDIMI

Në sajë të zbatimit të tij hiqet pagesa e lidhjes së kontratës me noterin. Bëhet fjalë për një faturë që nuk ishte fikse, por varionte nga 8 mijë deri në 30 mijë lekë, që familjet paguanin para se të shkonin në Hipotekë për të kryer regjistrimin e tokës në emrin e tyre. Por me zyrtarizimin e vendimit “Për përcaktimin e procedurave për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, kjo tarifë hiqet.

Do të jetë ALUIZNI institucioni që do ta kryejë këtë shërbim falas. Kjo do t’u kursejë jo vetëm paratë, por edhe kohën e mundin qytetarëve, të cilëve nuk do ta kenë më të nevojshme të trokasin në një portë më shumë.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave për kalimin e së drejtës së pronësisë dhe miratimin e masës e vlerës së kompensimit për sipërfaqet, pronë private, që preken nga ndërtimet e legalizuara, është i vlefshëm për regjistrimin përfundimtar të parcelës ndërtimore në regjistrin e pasurive të paluajtshme”, specifikohet në vendimin e Qeverisë.

PRONARËT

Prej kësaj praktike nuk do të përfitojnë vetëm ata që kanë ndërtuar pa leje, por edhe pronarët e truallit. Vendimi në mënyrë të detajuar përcakton mënyrën se si do të përllogaritet vlera e kompensimit për familjet e shpronësuara për efekt të procesit legalizues.

Kur ka mbivendosje të titujve të pronësisë, Agjencia e Trajtimit të Pronave, e cila menaxhon fondin e ALUIZNI- t, ka detyrimin për mënjanimin në një llogari të posaçme të parave dhe ndarjen e tyre pas zgjidhjes së konfliktit.

Pjesë e këtyre ndryshimeve do të bëhen edhe pronarët, të cilët deri më tani nuk kanë përfituar shpërblimin që u takon, pavarësisht se kalimi i pronësisë është bërë kohë më parë. Në këtë situatë pagesa e tyre duhet të bëhet brenda 6 muajve.

“Për parcelat ndërtimore që shtrihen në prona të të tretëve, për të cilat është miratuar kalimi i së drejtës së pronësisë, ALUIZNI, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatit propozimet për miratimin e masës dhe vlerës së kompensimit financiar të pronarëve, pasi të jetë miratuar leja e legalizimit në favor të poseduesve të ndërtimeve informale”, thuhet më tej në vendim.

Duket se marrëdhënia e krijuar me pronarin e tokës do të jetë thelbësore, pasi nëse nuk është bërë kompensimi i tij, atëherë regjistrimi në Hipotekë do të jetë me kufizim.

VENDIMI I QEVERISË

PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE RREGULLAVE PËR KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI PARCELËN NDËRTIMORE TË OBJEKTEVE INFORMALE

• Kur parcela e ndërtimit të legalizuar shtrihet mbi pasuri të paluajtshme në pronësi private, të subjekteve joposeduese të ndërtimit, nëpërmjet të njëjtit akt administrativ miratohet masa dhe vlera e kompensimit financiar për sipërfaqet takuese, pronë private, që preken nga ndërtimi.

• Vendimi i Këshillit të Ministrave për kalimin e së drejtës së pronësisë dhe miratimin e masës e vlerës së kompensimit për sipërfaqet, pronë private, që preken nga ndërtimet e legalizuara, është i vlefshëm për regjistrimin përfundimtar të parcelës ndërtimore në regjistrin e pasurive të paluajtshme.

PROCEDURAT E KALIMIT TË SË DREJTËS SË PRONËSISË DHE MIRATIMIT TË MASËS E VLERËS SË KOMPENSIMIT

• Propozimi për kalimin e së drejtës së pronësisë dhe miratimin e masës e vlerës së kompensimit financiar përgatitet nga drejtoritë e ALUIZNI-t, pranë ministrisë përgjegjëse për zhvillimin urban, pas miratimit të lejes së legalizimit.

• Nëse poseduesi është bashkëpronar në pasurinë ku ndodhet ndërtimi i legalizuar, për rregullimin e pronësisë në parcelën ndërtimore zbatohen këto rregulla:

a) Kur pjesët takuese ideale të bashkëpronësisë janë të papërcaktuara, ato prezumohen të barabarta (në përpjesëtim me numrin e të gjithë bashkëpronarëve);

b) Pjesa takuese ideale e poseduesit llogaritet në sipërfaqen e parcelës ndërtimore. Nëse, pas kësaj, nuk plotësohet sipërfaqja e parcelës ndërtimore, për sipërfaqen e mbetur të saj kryhet kalimi i pronësisë në favor të poseduesit, si dhe kompensimi i bashkëpronarëve të tjerë, sipas pjesëve të tyre ideale;

c) Mosmarrëveshjet për ndarjen e parcelës dhe për masat e pjesëve takuese zgjidhen nga gjykata.

• Nëse një nga bashkëposeduesit e ndërtimit të legalizuar është pronar i vetëm i pasurisë ku ndodhet parcela, krijohet bashkëpronësia mbi parcelën ndërtimore, duke u transferuar poseduesve të tjerë pjesët takuese të parcelës.

• Situata e mbivendosjes së titujve nuk pengon procedurat, sipas këtij vendimi. Mbivendosja në parcelën ndërtimore shuhet me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave që miraton kalimin e së drejtës së pronësisë dhe vlerën e masën e kompensimit financiar.

Në këto raste, kompensimi financiar miratohet pa përcaktuar subjektin përfitues të tij, duke pasqyruar faktin e mbivendosjes së titujve në seksionin e veçantë të vendimit të Këshillit të Ministrave. Për zbatimin e kësaj pike, Agjencia e Trajtimit të Pronës detyrohet të caktojë, në një llogari bankare të posaçme, shumën e miratuar të kompensimit financiar.

Ajo do të vendoset në dispozicion të subjektit që do të rezultojë përfitues pasi të jetë zgjidhur, në rrugë gjyqësore, mosmarrëveshja për të drejtat mbi këtë shumë mes zotëruesve të titujve që krijonin mbivendosje.

• Për vendimet e Këshillit të Ministrave, të miratuara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kalimi i së drejtës së pronësisë është i vlefshëm, pa qenë nevoja për lidhjen e kontratës. Kur leja e legalizimit nuk është nxjerrë ende, procedurat e kalimit të pronësisë konsiderohen të përfunduara në momentin e miratimit të lejes.

• Për parcelat ndërtimore që shtrihen në prona të të tretëve, për të cilat është miratuar kalimi i së drejtës së pronësisë, ALUIZNI, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatit propozimet për miratimin e masës dhe vlerës së kompensimit financiar të pronarëve joposedues, pasi të jetë miratuar leja e legalizimit në favor të poseduesve të ndërtimeve informale.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura