Legalizimet, tarifat e reja për Hipotekën/ Lame: Ja ndryshimet e fundit

Jun 27, 2016 | 7:05
SHPËRNDAJE

Një tarifë më pak për familjet që janë në proces legalizimi. Të gjithë ata që kanë ndërtuar në tokë shtet dhe tokë me pronarë, veç lehtësirave të ofruara për faturën e truallit, do të çlirohen edhe nga pagesa që duhej të kryenin në momentin e lidhjes së kontratës me noterin.artan-lame

Sipas kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame, ky shërbim kushtonte nga 8 mijë deri në 30 mijë lekë. Por që me miratimin e vendimit “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore”, do të jetë ALUIZNI që do ta kryejë pa asnjë kosto për qytetarin.

“Me anën e këtij vendimi hiqet edhe një prej pagesave të fundit financiare të mbetura në ngarkim të qytetarëve. Deri më sot, për lidhjen e kontratës së dhënies së truallit, qytetarëve iu duhej të paraqiteshin pranë zyrave noteriale, ku paguhej prej tyre edhe ky shërbim, që lëvizte nga 8000 lekë deri në 30.000 lekë sipas rastit.

Sipas vendimit të sapomiratuar, këtë shërbim e merr përsipër ta kryejë ALUIZNI dhe natyrisht pa pagesë për qytetarët”, u shpreh Lame gjatë deklaratës së mbajtur për mediat. Por përveçse një faturë më pak, ajo që e lehtëson procesin është shkurtimi i procedurave për marrjen e certifikatës së pronësisë.

Me anë të vendimit të fundit e gjithë praktika e regjistrimit të objektit dhe pronës në Hipotekë do të kryhet nga agjencia. Kjo e fundit do të ketë detyrimin për të bërë kërkesën për tapi për çdo përfitues të lejes dhe të ndjekë të gjithë procesin edhe kur dosja rezulton të ketë problematika apo mangësi.

Veç kësaj, më e rëndësishme është vendosja e afateve. Nga momenti i marrjes në shqyrtim të kërkesës, Hipoteka do të ketë detyrimin për regjistrimin e objektit brenda 10 ditëve. Në rastet kur është bërë kalimi i pronësisë, bëhet edhe regjistrimi i pronës. Kur pagesa e truallit nuk është kryer, regjistrimi bëhet me hipotekë ligjore, e cila hiqet 5 ditë pas shlyerjes së detyrimit financiar.

Qytetarët do të njoftohen vetëm kur tapia të jetë gati. Udhëzimi i përbashkët mes ALUIZNI-t dhe Hipotekës parashikon që certifikata e pronësisë të dërgohet në shtëpi përmes shërbimit postar. Ndërsa në rastet kur nuk është bërë kalimi i pronësisë, regjistrohet vetëm objekti dhe procedurat e tokës nisin pas miratimit të listave në qeveri.

 

Aplikimet për punë, vazhdojnë rekrutimet nga ALUIZNI

Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga vendimi që Qeveria mori për hapjen e 300 vendeve të reja të punës pranë Agjencisë së Legalizimeve, rekrutimet vijojnë ende. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, u bëri thirrje të rinjve që të aplikojnë për pozicionet e shpallura vakante.

“Sistemi i ngritur prej nesh ka nevojë për mbështetje me burime njerëzore shtesë, që do të aplikojë këto ndryshime dhe përmirësime të tij”. Profesione të kërkuara aktualisht janë për arkitektë, urbanistë, gjeodetë, inxhinierë ndërtimi, topografë dhe të tjera specialitete të përafërta me këto.

Gjatë fjalës së mbajtur, Lame ngriti shqetësimin e mungesës së aplikimeve në disa prej drejtorive. “Nga disa prej Drejtorive Rajonale që kanë filluar të pranojnë aplikime për punësim, na vijnë informacione për mungesë të personave të specializuar. Kështu, në mënyrë të veçantë iu bëj thirrje në qarkun e Shkodrës, në zonën Kamzë- Paskuqan, në Qarkun e Korçës, në atë të Kukësit dhe në disa zona të tjera të izoluara”, u shpreh drejtori i ALUIZNI-t.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura