Legalizimet, shtyhet afati për pagesën e truallit

Aug 23, 2015 | 12:26
SHPËRNDAJE

Për qytetarët që nuk kryejnë pagesën e truallit brenda 6 muajve jo vetëm nuk do të ketë penalitete, por ALUIZNI po shikon mundësinë e shlyerjes së afatit për t’u dhënë më tepër kohë familjeve me pamundësi ekonomike.  Burime nga ky institucion bëjnë me dije për gazetën se është duke u diskutuar mundësia për hartimin e një pakete shtesë ligjore, në të cilën parashikohen të ofrohen të tjera lehtësira dhe reduktime për qytetarët që kanë ndërtuar në tokë shtet dhe tokë me pronarë.

Legalizimet
Një nga këto, pritet të jetë edhe zhvendosja e afatit që është në dispozicion për pagesën e parcelës ndërtimore për të cilën do të bëhet edhe kalimi i pronësisë.

AFATI
Ligji i ri përcakton që shlyerja e detyrimit financiar të kryhet brenda 6 muajve nga data e tërheqjes së faturës. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë regjistrimi i pronës në Hipotekë nuk bëhet në emër të qytetarit, por në emër të ALUIZNI-t. Pikëpyetja e vetme që shtrohet është ajo se çfarë do të ndodhë pas 6 muajsh, pra toka do të vazhdohet të paguhet me reduktimet e përcaktuara në ligj apo do të llogaritet me çmim tregu?

Të njëjta burime saktësojnë se nuk do të aplikohen sanksione për ato familje që nuk kanë mundësi financiare për të kryer pagesën, e vetmja gjë që do të ndodhë është që regjistrimi i pronës do të bëhet me barrë hipotekore. Kjo do të thotë se qytetari nuk do të ketë mundë- si ta shesë, apo ta lërë kolateral banesën e tij.

“Nuk aplikohen penalitete për ata që nuk shlyejnë detyrimin financiar brenda afatit 6-mujor, nga data e tërheqjes së faturës. Ligji përcakton qartë që pas këtij harku kohor, i vetmi ndryshim i pë- suar është që toka do të regjistrohet në Hipotekë në emër të ALUIZNI-t deri në momentin e likuidimit të faturës nga ana e qytetarit. Ndërkohë nuk janë parashikuar sanksione. Kjo do të thotë që toka do të vazhdojë të paguhet me të gjitha lehtësirat dhe reduktimet e përcaktuara në ligj edhe pasi të ketë kaluar afati prej 6 muajsh. Ndërkohë jemi duke parë mundësinë e lehtësirave të tjera. Këto kryesisht të lidhura me afatin që kanë në dispozicion qytetarët për shlyerjen e detyrimit financiar”, thanë burimet.

Me anë të një vendimi të dalë fill pas miratimit të ligjit të ri, qeveria u jepte 1 vit kohë familjeve për të kryer pagesën e truallit. Por nuk vonoi shumë, me anë të një vendimi të dytë, ky afat u ndryshua, nga një vit u bë 6 muaj. Por e gjendur përballë qytetarëve që pavarësisht zbritjeve dhe lehtësirave që u janë bërë sërish po ngurojnë të kryejnë pagesën, ALUIZNI po mendon rishikimin e afatit për t’u dhënë më tepër kohë familjeve në pamundësi ekonomike.

FORMULA E TRUALLIT
Referuar ligjit të ri, trualli llogaritet me gjysmën e vlerës së tregut, por jo më shumë se 2 000 lekë m2 në zonat urbane. Gjysma e shumës së faturuar mund të paguhet me bono privatizimi. Veç kësaj, për pagesat që do të derdhen brenda 45 ditëve nga tërheqja e faturës aplikohet 20% zbritje. Një tjetër reduktim është edhe ai në masën 10% që bëhet për familjet të cilat vërtetojnë se paguajnë rregullisht faturën e dritave. 

Formula për llogaritjen e parcelës ndërtimore

• Kalimi i pronësisë për familjet që kanë ndërtuar në tokë shtet dhe tokë me pronarë bëhet për trefishin e bazës së objektit, por jo më shumë se 500 m2 për ndërtimet me funksion banimi
• Deri në 300 m2 toka llogaritet me gjysmën e vlerës së tregut, po jo më shumë se 2 000 lekë m2 për bashkitë dhe 1500 lekë për komunat
• Për pagesat brenda 45 ditëve nga tërheqja e faturës aplikohet 20% zbritje të shumës
• Gjysma e shumës së faturuar mund të paguhet me letra me vlerë
• Për qytetarët që kanë paguar rregullisht dritat aplikohet edhe një zbritje tjetër me 10 %
• Për pagesën e faturës familjet kanë afat 6 muaj. Pas këtij harku kohor toka regjistrohet në Hipotekë në emër të ALUIZNI-t. Qytetari do të ketë të drejtë posedimi, por nuk do mund ta shesë apo ta lërë kolateral në bankë. Këto të drejta ai do t’i fitojë në momentin kur do të ketë shlyer detyrimin financiar për parcelën ndërtimore

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura