Legalizimet, procedurat e reja për lejen e regjistrimin e pronës në Hipotekë

Jan 12, 2016 | 14:37
SHPËRNDAJE

Marrja e lejes së legalizimit nuk do të kushtëzohet nga pagesa e faturës së truallit, e cila rëndon mbi familjet që kanë ndërtuar në tokë shtet e tokë me pronarë.

ALUIZNI do të ketë detyrimin që brenda 40 ditëve nga momenti që merr në shqyrtim një dosje të miratojë edhe lejen e legalizimit. Një gjë e tillë është e përcaktuar në dy vendimet e fundit të qeverisë, të cilat kanë hyrë në fuqi.

Legalizimet

Vonesat e krijuara në shlyerjen e detyrimit financiar kanë mbajtur peng jo vetëm procesin për ndarjen e tapive, por edhe atë të pajisjes së familjeve me leje për objektin informal, ndaj është parë e udhës ndarja e tyre. Kjo do të thotë që ALUIZNI do të operojë me ndarjen e lejeve të legalizimit, pavarësisht nëse familja e ka kryer ose jo pagesën e parcelës ndërtimore që ka në posedim.

Pas kësaj, praktika e radhës është ajo për dërgimin e dosjes në Hipotekë, në mënyrë që të nisin procedurat për regjistrimin e pronës, të cilat do të marrin vetëm 10 ditë kohë. Kjo synon t’i japë fund një përvoje të hidhur, ku qytetarët endeshin nga njëra derë në tjetrën. Por çfarë do të ndodhë me ata të cilët nuk do të kenë mundësi të paguajnë faturën e truallit? Këto familje do të humbasin të drejtën për të përfituar nga zbritjet dhe reduktimet e parashikuara në ligj.

Nga ana tjetër, toka do të regjistrohet në Hipotekë, por me kufizim, dhe qytetarët do ta marrin tapinë vetëm pasi të kenë shlyer detyrimin financiar. “Leja e legalizimit, e miratuar pa marrëdhënie pronësie me parcelën ndërtimore, regjistrohet nga ZVRPP-ja në një kartelë tjetër pasurie nga ajo e truallit, duke bërë shënimet përkatëse. Heqja e shënimeve në kartelë dhe regjistrimi i pronësisë mbi parcelën ndërtimore, për lejen e regjistruar, kryhet nga Hipoteka menjëherë, me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave që miraton kalimin e të drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore dhe kompensimin e pronarëve”, thuhet në vendim.

FATURA E DRITAVE

Për të stimuluar pagesat e energjisë elektrike, qeveria i përfshiu ato në procesin e legalizimit. Kështu, familjet që do të paguanin faturën e truallit dhe do të vërtetonin se paguanin rregullisht dritat, do të përfitonin 10 për qind të tjera zbritje. Por sot ky stimul është kthyer në detyrim, pasi ata që rezultojnë debitorë, do të përballen me penalitete. “Subjektet përfitues të lejeve të legalizimit, që konfirmohet se kanë shlyer pagesat e furnizimit me energji elektrike, gjatë një viti, nga momenti i njoftimit të pagesës së parcelës ndërtimore, përfitojnë faljen e 10% të vlerës. Për subjektet debitorë, ALUIZNI i kërkon ZVRPP-së vendosjen e kufizimit mbi pasurinë e legalizuar”, thuhet më tej në vendim.

KATEGORITË

Veç paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe familjeve që janë në skemën e ndihmës ekonomike, 50 për qind të tjera zbritje do të përfitojnë edhe individët që janë me status invalid pune.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura