Legalizimet, pajisja me leje do të bëhet brenda 40 ditëve

Nov 26, 2015 | 14:06
SHPËRNDAJE

Familjet që kanë ndërtuar pa leje në tokë shtet apo në tokë me pronarë do të pajisen me leje legalizimi për objektin, pa qenë të detyruar të paguajnë më parë faturën e truallit.

LEJA E LEGALIZIMIT

Qeveria ka miratuar dje një vendim të ri, në bazë të të cilit bëhet i mundur thjeshtimi i mëtejshëm i procedurave për marrjen e lejes. Kështu, ALUIZNI ngarkohet që të pajisë familjet me leje legalizimi përpara miratimit të kalimit të pronësisë. Një gjë e tillë është e përcaktuar në pikën 6 të vendimit të ri “Për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe formularit të lejes së legalizimit”.

Rama dje në Durrës
Rama dje në Durrës

“Për ndërtimet informale, që i nënshtrohen procedurës së kalimit të së drejtës së pronësisë, leja e legalizimit miratohet përpara kryerjes së këtyre procedurave dhe i dorëzohet subjektit përfitues, së bashku me dokumentacionin shoqërues”, thuhet në vendim.

Në këtë mënyrë ALUIZNI heq nga vetja barrën e shlyerjes nga ana e qytetarëve të pagesës për parcelën ndërtimore, e cila ishte parakusht për ndarjen e lejes. Qytetarët do të bëhen pronarë të shtëpisë brenda një kohe të shkurtër, por për të marrë tapinë e tokës do të kenë punë me Hipotekën. Marrja e lejes për objektin nuk i zhvesh këto familje nga detyrimi për të paguar tokën që kanë zënë. Ata do të vazhdojnë të kenë në ngarkim faturë, pasi vetëm pas shlyerjes së saj mund të marrin tapinë nga Hipoteka dhe të bëhen pronarë të parcelës ndërtimore që aktualisht kanë në posedim.

Kësisoj ALUIZNI përmbush misionin për të cilin është ngritur, atë të legalizimit të objektit pa u përfshirë në çështjen e pronësisë. Kjo praktikë që do të ndiqet do të bëjë të mundur përshpejtimin e procesit, duke bërë që qeveria të kapë ritmet për të cilat është zotuar se do të arrijë brenda këtij mandati. Me fjalë më të thjeshta, ndahen qartazi legalizimi i ndërtesës pa leje nga tapia për tokën, dy procese që deri më tani ishin të ndërvarura.

AFATET

Një tjetër aspekt me rëndësi është që për herë të parë përcaktohen afate konkrete, duke shmangur zvarritjet që ky proces ka prodhuar. Nga momenti i marrjes në shqyrtim të një dosjeje deri në finalizimin e saj do të mjaftojnë më pak se dy muaj. Vendimi parashikon që brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit për kualifikimin e një objekti do të bëhet i mundur miratimi i lejes së legalizimit.

Pra, punonjësit e ALUIZNI-t janë të detyruar që në momentin që marrin në shqyrtim një dosje dhe e kualifikojnë atë në proces legalizimi, të miratojnë brenda një muaji lejen e legalizimit. Pas kësaj, leja duhet të mbërrijë në duart e qytetarëve nëpërmjet shërbimit postar. Kjo, sipas vendimit të qeverisë, duhet të bëhet brenda 10 ditëve.

“Drejtoria e varësisë së ALUIZNI-t miraton lejen e legalizimit brenda 30 ditëve nga momenti i kualifikimit të ndërtimit informal. Brenda 10 ditëve nga data e miratimit, leja e legalizimit, e shoqëruar nga dokumentacioni teknik, i dorëzohet ose i dërgohet në rrugë postare subjektit përfitues”, thuhet në pikën 2 dhe 5 të vendimit të djeshëm. Nëse ky afat shkelet, qytetarët kanë të drejtë të paraqesin ankimim pranë drejtorisë së përgjithshme të ALUIZNI-t.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura