Legalizimet, ndryshojnë procedurat e regjistrimit të pronës në Hipotekë

Jun 24, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Qytetarët zhvishen nga detyrimi për të ndjekur procedurat e regjistrimit të pronës në Hipotekë. Kjo praktikë do të kryhet nga ALUIZNI, duke u kursyer në këtë mënyrë kohën dhe mundin qytetarëve.

legalizimeeeet

Një gjë e tillë vjen e përcaktuar përmes një udhëzimi të përbashkët të firmosur nga kreu i Agjencisë së Legalizimeve, Artan Lame, dhe drejtori i Hipotekës, Ilirjan Muho, botuar dje në fletoren zyrtare.

Në këtë udhëzim janë të përvijuar hapat që do të ndiqen dhe afatet konkrete deri në tërheqjen e certifikatës së pronësisë, e cila do t’u dërgohet qytetarëve nëpërmjet shërbimit postar.

REGJISTRIMI

Misioni i ALUIZNI-t nuk përfundon me legalizimin e objektit. Ky institucion do të ketë në ngarkim për të mbuluar të gjithë punën deri në pajisjen e qytetarëve me tapi. Udhëzimi përcakton që kërkesa për regjistrimin e objektit dhe pronës të mos bëhet nga përfituesi i lejes, por nga Agjencia e Legalizimeve.

Ky aplikim do të kryhet elektronikisht përmes një formulari me të dhënat bazë të familjes, si dhe dokumentacionin përkatës. Brenda 10 ditëve nga depozitimi i kërkesës, Hipoteka ka detyrimin që të përmbyllë procedurat e regjistrimit.

“Regjistruesi brenda 10 ditëve punë nga data e paraqitjes së kërkesës është i detyruar të kryejë regjistrimin, pasi ka verifikuar nëse dokumentacioni i dorëzuar është i plotë dhe i saktë”, thuhet në pikën 6 të udhëzimit.

Pas kësaj, brenda pesë ditëve qytetarët do të njoftohen nga ALUIZNI për të kryer pagesën e shërbimit. Kjo është një tarifë fikse që vilet nga Hipoteka dhe shkon për llogari të këtij institucioni.

“Me konfirmimin e kryerjes nga subjekti të pagesës për tarifat e shërbimit, ZVRPP-ja dërgon në rrugë postare certifikatën përkatëse të pronësisë”, specifikohet në pikën 11.

Zgjidhje është parashikuar edhe në rastet kur do të konstatohen problematika në dosje. Edhe në këtë rast qytetarët janë të lehtësuar, pasi nuk do të përfshihen.

Do të jenë dy institucionet ato të cilat në korrespondencë me njëri-tjetrin do të rikuperojnë mangësitë. Kjo gjë do të bëhet në harkun e 10 ditëve, për të vijuar më tej me procedurat e regjistrimit.

FATURA

Nga momenti i marrjes në shqyrtim të një dosjeje, ALUIZNI ka 40 ditë afat për ta përcjellë atë në Hipotekë. Kjo ndodh edhe atëherë kur nuk është bërë kalimi i pronësisë apo qytetarët që kanë ndërtuar në tokë shtet dhe tokë me pronarë nuk kanë paguar faturën e truallit.

Në këto raste regjistrimi bëhet në një kartelë të posaçme dhe në momentin që kryhet pagesa për parcelën ndërtimore, atëherë bëhet edhe regjistrimi përfundimtar nga Hipoteka.

“Heqja e këtij kufizimi nga regjistruesi bëhet pas njoftimit zyrtar me shkrim nga ALUIZNI, mbi shlyerjen nga subjekti të detyrimit financiar. Brenda 5 ditëve punë, nga data e njoftimit zyrtar me shkrim të drejtorisë së ALUIZNI-t, regjistruesi bën fshirjen e hipotekës ligjore”.

Procedurat janë më të thjeshtuara dhe marrin më pak kohë për ata që kanë ndërtuar në tokën e tyre, si dhe ata që i përgjigjen në kohë thirrjes së ALUIZNI-t për të likuiduar faturën e truallit.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura