Legalizimet, Lame: Zgjidhja për 14 mijë ndërtime pa leje

Mar 29, 2015 | 16:04
SHPËRNDAJE

Rreth 14 mijë familje që deri dje rrezikonin të mos legalizoheshin sepse binin ndesh me planet urbanistike, tashmë e kanë një zgjidhje.

Artan Lame

Ky ishte premtimi i drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZN-it, Artan Lame, gjatë inspektimit të grupeve të punës që kanë nisur matjet shtëpi më shtëpi. “Pritet t’u jepet zgjidhje rreth 14 mijë ndërtimeve pa leje të penalizuara nga parashikimet absurde të planeve urbanistike të Bashkisë Tiranë dhe Bashkisë Kamzë”.

LIGJI

Po çfarë parashikon ligji 9482 për “Legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”? Në tokën me pronar, kur planet urbanistike parashikojnë ndërtime mbi 6 kate, pronari i tokës hyn në marrëveshje me ndërtuesin pa leje. Neni 35 i ligjit të ndryshuar të legalizimeve parashikon që mes këtyre dy palëve të nënshkruhet një marrëveshje në prani të noterit ku pronari i truallit i garanton strehim familjes që ka ndërtuar pa leje, thënë ndryshe zaptuesit.

Formula e zgjidhjes për rastet specifike për 14 familje pritet të bëhet publike me miratimin e projektvendimit të ri për kriteret kualifikuese dhe skualifikuese që pritet të dalë në muajin prill. Nëse në vendimin e mëparshëm të kritereve ishte përcaktuar që ndërtesat deri në tri kate legalizoheshin, tashmë kufiri ka ndryshuar në deri 6 kate. Për ndërtesat mbi këtë kufi, hyn në fuqi marrëveshja mes pronarit dhe ndërtuesit informal. Ndërkaq, ALUIZNI bën të ditur se po punon për finalizimin e këtij ngërçi që ka mbajtur peng deri më tani këtë kontingjent familjeje, ndërtesat e të cilave bien ndesh me planet rregulluese. Projektvendimi i ri do t’u japë zgjidhje të gjitha këtyre banesave pasi t’i ketë shqyrtuar rast pas rasti.

MATJET

ALUIZNI ka ndërmarrë një fushatë përshpejtuese për të kryer një nga hapat më të rëndësishëm, që janë matjet shtëpi më shtëpi. Këtë proces e ndihmojnë edhe zyrat e hapura së fundmi.

“Këto zyra qëndrojnë me sistem dezhurni me punonjës të ALUIZNI-t të cilët presin problematikat e qytetarëve, cili është problemi, duhet dhe ky dokument, data për të bërë matjet, nëse ndërtesa është në sistem apo jo etj. Zyra si kjo në Bathore, ka në Paskuqan, Vorë, Rrogozhinë, Laprakë të qarkut Tiranë”, mësohet të ketë thënë Lame një ditë më parë gjatë inspektimit në terren. Tirana është një nga qytetet me numrin më të madh të ndërtimeve pa leje, ku shënohen 45 mijë vetëdeklarime. ALUIZN-i ka ngritur rreth 40 grupe me rreth 100 specialistë për të bërë matjet e ndërtimeve informale të vetëdeklaruara.

Shkrimi u botua sot ne Gazeten Panorama Print 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura