Legalizimet, Lame: Afatet e reja për pagesën e tokës

Jan 15, 2016 | 15:07
SHPËRNDAJE

Pasi të kenë në dorë lejen e legalizimit, qytetarët nuk duhet të mendojnë për hapin e radhës, që është hipotekimi. Ky do të jetë një proces që do të ndiqet nga Agjencia e Legalizimeve.

Dje kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, vuri në dukje faktin se me ndryshimet e miratuara së fundmi në qeveri, ndahet legalizimi i objekteve nga regjistrimi i tokës apo marrja e tapisë. Një gjë e tillë do të reflektohet duke sjellë përshpejtim të ritmeve. “Deri tani ALUIZNI mbyllte vetëm dhënien e lejes së legalizimit, e cila i jepej qytetarit për të aplikuar në Hipotekë për të marrë certifikatën e pronësisë. Me sistemin e ri që u miratua, edhe këtë pjesë të procesit do ta ndjekë ALUIZNI.

lame

Pra, qytetari do të marrë një kopje për të qenë vetë i qetë se e ka mbaruar procesin e legalizimit, por gjithë procedura vijuese për regjistrimin në ZRPP do të bëhet nga ne. Qytetari vetëm do të shkojë të tërheqë certifikatën e pronësisë pranë Hipotekës”, tha Lame. Nga ana tjetër, qytetarët nuk do të jenë më të ngutur për të kryer pagesën e faturës për parcelën ndërtimore që kanë në posedim. Ata mund ta bëjnë këtë në momentin kur janë të interesuar për të marrë tapinë.

I pyetur nëse parashikohen penalitete për familjet që nuk do të kenë mundësi ta kryejnë në kohë detyrimin financiar, Lame tha se do të vijojnë të aplikohen të njëjtat lehtësira dhe reduktime që janë sot në fuqi, duke respektuar në të njëjtën kohë afatet e paracaktuara. Kjo do të thotë se nëse fatura nuk likuidohet brenda 45 ditëve, familjet humbasin të drejtën për të përfituar nga zbritja 20 për qind.

“Deri më tani nuk ka munguar vullneti i qytetarëve për të shlyer detyrimin financiar dhe unë besoj se do të vazhdojë po një- soj. Nuk ka asnjë lloj ndryshimi nga pikëpamja e penaliteteve, pra, nuk shtohen penalitete. Por thjesht do të zbatohen afatet që janë aktualisht në fuqi për reduktimet që parashikon ligji. Nëse nuk kryhet pagesa, toka do të regjistrohet me hipotekë ligjore dhe në momentin që do të kesh nevojë për një vërtetim apo dokument nga Hipoteka, do të dalë që ke një detyrim të pashlyer, të cilin do të duhet ta shlyesh”, tha Lame. Në harkun e më pak se dy viteve është bërë e mundur ndarja e 40 mijë lejeve. Nga këto vetëm 25 mijë kanë tapinë, pjesa tjetër është në proces

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura