Legalizimet, kategoritë që s’do të paguajnë taksat e Hipotekës

Mar 23, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Qytetarët që do të kryejnë likuidimin e faturës së truallit brenda 6 muajve do të përjashtohen nga taksat e Hipotekës.

Për të bërë regjistrimin e pronës në emrin e tyre, familjet që kanë ndërtuar në tokë shtet dhe tokë me pronarë, nuk do të kenë detyrimin për të paguar 10% të vlerës totale të faturës, që kërkohet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Drejtoresha e sektorit të mbikëqyrjes së procesit të legalizimit, pranë Drejtorisë Qendrore të ALUIZNI-t, Tana Kushova, sqaron për gazetën se nga momenti i tërheqjes së faturës qytetarët kanë afat 6 muaj.

Veç lehtësirave dhe reduktimeve që parashikon ligji i ri, brenda këtij harku kohor, familjet janë të përjashtuara edhe nga tarifat e Hipotekës. Por çfarë ndodh pas 6 muajsh?

Kushova bën me dije se këto detyrime financiare, të cilat deri më sot janë të fshira, do të nisin të aplikohen. Pra gjatë regjistrimit të tokës në emrin e tyre, pasi të kenë kaluar 6 muaj, familjet do të duhet të paguajnë edhe 10% e vlerës totale të faturuar për parcelën ndërtimore.

“Afati i pagesës ishte 1 vit, ndryshoi dhe u bë 6 muaj. Pas kësaj periudhe, familja që nuk ka kryer pagesën nuk përfiton nga zbritja 20% që bëhet për pagesat e menjëhershme, pra për pagesat brenda 45 ditëve nga momenti i tërheqjes së faturës. Nëse qytetari do ta kryente shlyerjen e detyrimit financiar për parcelën ndërtimore brenda 6 muajsh nuk do t’i nënshtrohej taksave të Hipotekës, për pasurinë e paluajtshme. Ndërsa pas këtij afati, qytetari do të duhet ta paguajë taksën prej 10%”, u shpreh Kushova.

FATURA PËR TOKËN

Të ardhurat e arkëtuara deri më tani nga procesi legalizues dëshmojnë se qytetarët janë të interesuar për ta mbyllur kapitullin e pagesës për tokën dhe për t’u pajisur sa më shpejt të jetë e mundur me tapi. Qeveria ndryshoi pak muaj më parë afatin për shlyerjen e detyrimit financiar.

Kështu nga një vit që ishte përcaktuar më parë, afati u la 6 muaj. Pra familjet kanë 6 muaj afat për pagesën e parcelës ndërtimore, nëse s’e paguajnë atëherë toka regjistrohet në Hipotekë në emër të ALUIZNI-t.

Pikëpyetja qëndron në faktin se si do ta paguajnë qytetarët truallin pasi të kenë tejkaluar këtë periudhë?

Sipas përgjegjëses së sektorit të mbikëqyrjes së procesit legalizues, qytetarët përveçse heqin dorë nga mundësia për të përfituar nga lehtësirat dhe reduktimet që parashikon ligji i ri, mundet gjithashtu që tokën ta paguajnë me vlerë tregu.

Kushova nënvijëzon se kjo gjë mund të aplikohet vetëm tek ata që kanë ndërtuar në tokë me pronarë. Pasi nëse mbahet peng fatura nga zaptuesi zhytet në ngërç edhe kompensimi i pronarëve.

“Nëse do të ketë një numër shumë të madh familjesh që nuk e kanë paguar mund të ketë edhe penalitete, kjo për shkak se mbahet peng procesi i kompensimit të pronarëve. Ekziston mundësia që toka të paguhet me vlerë tregu. Por deri tani duhet theksuar se qytetarët kanë treguar vullnet për të paguar faturën, por nëse kjo nuk vazhdon sigurisht që do të hartohet një projektvendim për të përcaktuar procedurat e mëtejshme që mund të jenë edhe penalitetet”, tha Kushova.

Ada Hazizolli 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura