Legalizimet, emrat e 720 familjeve që marrin tapitë për shtëpitë e dyta

May 26, 2016 | 14:38
SHPËRNDAJE

LegalizimetPërfituesit në Tiranë, duhet të dorëzojnë deklaratë noteriale

ALUIZNI: Kanë më shumë se dy banesa në pronësi, qytetarët përzgjedhin se kë duan ta paguajnë me zbritje

Vetëm një banesë mund të legalizohet me të gjitha lehtësirat dhe reduktimet që parashikon ligji i ri. Shtëpitë e dyta apo të treta që një familje mund të ketë në posedim do t’i nënshtrohen vlerësimit me çmimet e tregut. Dje ALUIZNI ka publikuar listën me emrat e rreth 720 përfituesve në Tiranë, të cilët kanë më shumë se një banesë pa leje. Qytetarët duhet të paraqiten pranë agjencisë për të depozituar deklaratë noteriale, me anë të së cilës përzgjedhin se cilin nga objektet do të legalizojnë me zbritjet e parashikuara në ligj.

ÇMIMET
Referuar ligjit të ri, kalimi i pronësisë bëhet për sipërfaqe deri në 500 m². Toka do të vlerësohet me gjysmën e çmimit që ka sot në treg, por jo më shumë se 2 mijë lekë për metër katror në zonat urbane. Gjysma e shumës së faturuar mund të paguhet me letra me vlerë, dhe për pagesat brenda 45 ditëve nga tërheqja e faturës aplikohet 20 për qind zbritje. Të gjitha këto zbritje aplikohen për ndërtesat me funksion banimi. Ndërsa për çdo shtëpi të dytë apo të tretë nuk do të ketë zbritje. Këto familje krahas truallit të cilin do ta paguajnë me çmim tregu, kanë detyrimin të paguajnë edhe faturën e shërbimit, e cila shkon në vlerën e 8 mijë lekëve.

PROCESI
Në fillim të këtij viti, qeveria mori vendimin për ndarjen e dy proceseve që deri në vitin 2015 kanë qenë të ndërvarura. Bëhet fjalë për legalizimin e objektit dhe hipotekimin e truallit. Prej disa muajsh e gjithë praktika e punës, nga matjet në terren deri te dhënia e certifikatës së pronësisë, mbikëqyren nga ALUIZNI. Ky institucion ka detyrimin që brenda 40 ditëve nga momenti që merr në shqyrtim një dosje, të miratojë edhe lejen e legalizimit. Brenda këtij harku kohor qytetarët do të njoftohen për pagesën e parcelës ndërtimore. Nëse ata do të paraqiten brenda afatit për të likuiduar faturën, do të përfitojnë 30 për qind zbritje.

Per te lexuar listen e plote klikoni ketu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura