Përfituesit në Tiranë, Elbasan, Korçë, Vlorë, Durrës, Shkodër e Lezhë
Agjencia e Pronave: Si ndahet fondi 1 milion dollarë
Agjencia e Pronave ka publikuar dje listën e re me emrat e 95 familjeve që përfitojnë 57 për qind të vlerës për parcelën ndërtimore, që u është zënë nga ndërtimet pa leje.
Përfituesit janë të shpërndarë në 7 qarqe të vendit, përkatësisht në Tiranë, Elbasan, Korçë, Vlorë, Durrës, Shkodër dhe Lezhë. Mbi bazën e procedurave që aplikohen, qytetarët që kanë emrin në listë duhet të paraqiten pranë Agjencisë së Pronave me prokurë dhe numër llogarie, nga ku do të bëhet derdhja e parave për secilin prej tyre në masën respektive.
“Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton se më datë 29 dhjetor ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këstin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, në masën prej 57% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave”, thuhet në njoftimin për shtyp. Fondi i vënë në dispozicion kap vlerën e 1 milion dollarëve.
“AKKP njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim”. Pavarësisht se në ligj është e përcaktuar qartë se procesi i legalizimit të objekteve pa leje në tokë të të tretëve duhet të ecë paralelisht me atë të kompensimit të pronarëve të shpronësuar, në jo pak raste janë konstatuar vonesa në ndarjen e parave për këtë kategori.
Nga AKKP mësohet se, përveç mungesës së dokumentacionit në dosje, shkak është edhe mosakordimi i punës me institucionin e Hipotekës. Për zgjidhjen e këtij ngërçi, që mban peng procesin, po shihet mundësia e një marrëveshjeje me Hipotekën që do të bëjë të mundur lehtësimin e procedurave sa i takon konfirmimit të statusit që prona ka.
Listen e plote e lexoni duke klikuar ketu
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al