Agjencia e Pronave ka publikuar listën e re me emrat e familjeve që kompensohen financiarisht për truallin që u është zënë nga ndërtimet pa leje.
Janë 93 parcela ndërtimore, pronarët e të cilëve do të kenë mundësi të marrin 57 për qind të vlerës së tokës. Përfituesit janë të shpërndarë në 4 qarqe të vendit, përkatësisht në Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Shkodër.
“Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë shpërblimin e saj në masën prej 57 për qind të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave”, thuhet në njoftimin e agjencisë. Për qytetarët që kanë emrin në listë kanë përfunduar të gjitha procedurat.
AKKP sqaron se përgjatë ditëve në vijim, ata do të kenë mundësi të tërheqin paratë në bankë. Fondi i vënë në dispozicion për kompensimin e tyre kap vlerën e rreth 50 milionë lekëve.
“Në përfundim të këtij procesi, është shpërndarë kësti i parë, i dytë, i tretë dhe i katërt për 92 kërkesa dhe kësti i katërt për 1 kërkesë, të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në shumën e përgjithshme prej 50 700 708 lekësh. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë të disponueshme në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim”.
Ndonëse në ligj është e përcaktuar qartazi se procesi i legalizimit të objekteve pa leje në tokë të të tretëve duhet të ecë paralelisht me atë të kompensimit të pronarëve të shpronësuar, në jo pak raste janë konstatuar vonesa në ndarjen e parave për këtë kategori.
Përveç mungesës së dokumentacionit në dosje, shkak, sipas Agjencisë së Pronave, është edhe mosakordimi i punës me institucionin e Hipotekës. Për zgjidhjen e këtij ngërçi, që mban peng procesin, po shihet mundësia e një marrëveshjeje dhe ndryshimeve në ligj, të cilat do të bëjnë të mundur lehtë- simin e procedurave.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al