Legalizimet, 483 pronarët që marrin paratë e kompensimit

Mar 4, 2015 | 15:07
SHPËRNDAJE

Ndahet fondi 2.6 milionë USD, pranimi i kërkesave fillon më datë 5 mars

Agjencia e Pronave ka hapur aplikimet për kompensimin e pronarëve të shpronësuar, të cilët janë prekur nga ndërtimet pa leje. Gazeta boton ditën e sotme emrat e 483 familjeve që duhet të paraqiten pranë AKKP për të dorëzuar dokumentet për të përfituar 57% të shumës për kompensimin e parcelës ndërtimore, që është në proces legalizimi.
Qytetarët i takojnë qarkut të Tiranës, Lezhës, Elbasanit, Vlorës dhe Korçës, ndërsa fondi që do të ndahet, kap vlerën e 2.6 milionë dollarëve.

APLIKIMI
Sipas Agjencisë së Pronave, procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë nesër, pra në datën 5 mars dhe nuk do të jetë i kushtëzuar apo limituar në afat. Të gjitha familjet që kanë emrin në listë, duhet të paraqiten për të bërë dorëzimin e dokumeteve që nevojiten për të përfituar kompensimin. Bashkë me listën e pronarëve të shpronësuar, gazeta boton edhe dokumentet që duhet të depozitohen. “AKKP ka ngritur grupin e punës, i cili do të kryejë pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të interesuara. Të gjitha subjektet e interesuara mund të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave çdo ditë, nga e hëna në të premte, ora 09:00-12:00”, thuhet në njoftim. Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 000 lekësh dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë.

DOKUMENTET
Pronarët e shpronësuar duhet të dorëzojnë pranë Agjencisë së Pronave dëshminë e trashëgimisë, mandatpagesën prej 2 mijë lekësh, certifikatë familjare, numrin e llogarisë, fotokopje të kartës së identitetit dhe prokurë. “Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme”, thuhet në njoftimin e AKKP.

DOKUMENTET
Pronari apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP
1. Kërkesën tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së
2. Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.
3. Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të tyre.
4. Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare.
5. Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;
6. Certifikatën familjare të kërkuesit/aplikuesit;
7. Mandatpagesën për shumën 2 000 lekë për çdo aplikim të veçantë

Duke klikuar ketu lexoni listen e legalizimeve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura