Ledri: Kam frekuentuar lokale ku femrat kërcejnë mbi tavolina

Apr 16, 2015 | 11:17
SHPËRNDAJE


Reperi i njohur flet mbi sukseset e fundit, bashkëpunimet, femrat, si dhe raportet mes kolegësh.
I ri në moshë, por shumë i suksesshëm. Reperi nga Kosova, Ledri Vula, pas rikthimit në skenën muzikore, po pëlqehet akoma më shumë se përpara. Ai vjen në një rrëfim për ‘’Panorama plus’’ mbi sukseset e fundit në muzikë, pjesëmarrjen në festivalin e “Top Fest”, raportet me kolegët, si dhe femrat në përgjithësi. A është i gatshëm ai për martesë?
Pse vendose të konkurosh në trio në TF?
Thjesht për të sprovuar veten përsëri në kompeticione muzikore. Meqë më parë merrja pjesë si grup, këtë herë dolëm treshe, një kombinim shijesh për të gjetur secili veten diku.
I ke pasur qejf festivalet apo suksesi i këngës “Tavolina” ju shtyu të merrni pjesë?
Po, garat i kam pasur gjithmonë qejf dhe nuk kam ndier aspak frikë. Konkurrimi është shumë pozitiv sepse të frymëzon dhe të motivon për të ecur përpara, njësoj si fitorja e ndonjë çmimi.
Si erdhi bashkëpunimi me Ermalin, pse zgjodhët atë dhe jo një këngëtar tjetër të rrymës së njëjtë?
Me Ermalin njihemi prej kohësh, ai ka një karrierë të bujshme e pa skandale. Nuk është se bëmë ndonjë përzgjedhje fikse, po thjesht na u përshtatën gjërat dhe vendosëm të punojmë bashkë. Dolën bashkëpunime të mira dhe besoj se nuk gabuam.
“Tavolina” ka thyer çdo rekord, e keni pritur këtë?
Nuk e kemi pritur edhe pse kemi punuar gjatë në këtë projekt. Do gabohesha nëse do thoja se nuk e kemi dëshiruar këtë sukses. Mendoj se e gjitha është meritë e punës sonë, e bashkëpunëtorëve, si dhe e publikut që na mbështet.
Fabula e këngës është interesante, frekuenton Ledri lokale ku femrat kërcejnë mbi tavolina për meshkujt?
Nuk dua që të tingëllojë keq dhe deklarimet e mia të keqinterpretohen, por nuk besoj se ka mashkull që nuk frekuenton ambiente të tilla. Kur udhëtoj jashtë, së bashku me miq edhe i frekuentojmë thjesht nga kureshtja.
Po kënga e fundit i dedikohet dikujt, kujt i thua “Shko”?
Unë nuk i them shko askujt (qesh),  secila këngë duhet të jetë përjetim personal. Doli projekt i bukur dhe vendosëm ta lançojmë në këtë mënyrë.
Është përfolur për një lidhje të mundshme dashurie me një vajzë tiranase, cila është e vërteta e kësaj historie?
Ajo histori filloi të ekzagjerohet si shumë, por mediat u sqaruan shpejt. Kur të kem diçka për të deklaruar, do e bëj personalisht, ju premtoj!
Po fjalët se ke pasur romancë me Rita Orën në kohën kur ke qenë i lidhur me Angela Martinin?
Edhe ky është një tjetër skup mediatik, që besoj ka si qëllim të tërheqë vëmendjen. Unë me Ritën do jemi bashkë në një reklamë, por asgjë më shumë.
Ndihesh vërtet një donzhuan, për faktin se ke pasur në shtrat shumë femra seksi dhe të njohura?
Nëse kjo mund të quhet ashtu, ashtu le të jetë. Unë veten nuk e konsideroj si të tillë (qesh). Femrat e njohura mbi të gjitha janë femra dhe ne jemi meshkuj!
Flitet se thyeni rekord në këtë drejtim, madje edhe shumë kolegë të tu repera, përmes teje kanë zënë femra, është e vërtetë?
(Qesh) Nuk e di nga ka ardhur kjo informatë te ju. Nuk parapëlqej të flas më shumë për këtë gjë, se nuk dua të preken të tjerët, le të jetë diçka sekrete.
Je i dashuruar, a ndihesh i lidhur dhe i gatshëm të krijosh familje?
I dashuruar çdo ditë, ndihem me plot dashuri, kam një mama të mrekullueshme që kujdeset shumë për mua. Sa për familje, besoj që kur të vijë momenti, pse jo, me kënaqesi do e bëj.
E nisët me “Tavolinën”, vazhduat me “Shko”, cili do jetë projekti i radhës?
Kemi shumë projekte, të cilat do lançohen me kohën. Nuk dua të flas pa u realizuar gjërat, sepse ndodh që të dështojnë.
Nga parashikimet flitet se do jeni fitues të TF…
Fjalët tuaja në vesh të Zotit (qesh), e kush nuk e dëshiron fitoren!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura