Ledia, vajza e piktorit Anastas Kostandini: “Babë e bijë, shohim njëlloj, krijojmë ndryshe”

Mar 12, 2015 | 14:00
SHPËRNDAJE

Artistja Ledia Kostandini, në një rrëfim për artin dhe ndikimin nga i ati, piktori i njohur Anastas Kostandini (Taso). Ditët mes krijimtarisë dhe të qenurit nënë…

E rritur mes artit, me babanë piktor dhe në një qytezë si Pogradeci, Ledia Kostandini do të ecte natyrshëm në rrugën e artit. Tashmë përpiqet të gjejë veten dhe të ndajë kohën mes pasionit për artin dhe dëshirës e detyrimit si nënë e re. Të qenit nënë e cilëson si eksperiencën më sfiduese në jetë, si një moment, kur ka rivlerësuar shumë gjëra dhe ka krijuar një tjetër listë prioritetesh. Në këtë rrëfim për “Unë Gruaja”, Kostandini rrëfen më tepër, jo vetëm për punën e saj në art, por edhe për marrëdhënien me të atin, artistin e njohur Anastas Kostandini (Taso) dhe përvojën e saj si nëna e një djali njëvjeçar…

Vetëm pak ditë më parë është hapur ekspozita “Në një ditë si gjithë të tjerat”, në të cilën ju jeni pjesëmarrëse. Si është “një ditë si gjithë të tjerat” për Ledian?
Titulli i ekspozitës është një formë për të vënë publikun para punimeve, të cilat shpalosin përjetimet e përditshme të artistëve, ekspozuar në një ditë të përbashkët për të gjithë. Sigurisht, titulli luan me konceptin e kundërt të asaj që tingëllon. Kur themi “Një ditë si gjithë të tjerat”, e kemi cilësuar, shkëputur këtë ditë nga të tjerat. Për pasojë, ajo bëhet e përveçme. Kështu pohojmë faktin se asnjë ditë nuk është e njëjtë me tjetrën. Unë jam një tip deri diku i planifikuar. Kam prirjen t’i kem gjërat nën kontroll. Kohën e organizoj paraprakisht dhe synoj të mbaj një ritëm të caktuar, duke ekuilibruar jetën familjare me punën dhe pasionet e mia. Në vija të përgjithshme, ditët e mia janë të ngjashme, karakterizuar nga ajo rutina që e bën edhe jetën më të manovrueshme. Ditët janë të mbushura me detaje të vogla, veprime të përsëritura, objekte, vende dhe njerëz të njohur, që krijojnë atë zonën e komfortit. Por absolutisht çdo ditë pasurohet me prurje të reja dhe për pasojë asnjë ditë nuk i ngjan tjetrës, sepse është një akumulim i vazhdueshëm. Çdo gjë që hyn e del nga jeta krijon një perceptim të ri të së përditshmes.
Shumë nga punët tuaja e kanë fokusin në transformimet sociale dhe kulturën e trashëguar apo të humbur të së shkuarës. Si e ndjeni veten si artiste e re përballë transformimeve sociale?

Anastas Kostandini (Taso)
Tashmë u bënë shumë vite që prej përfundimit të studimeve dhe po aq vite aktivitet artistik me ulje-ngritjet e tij. Megjithatë koha kalon dhe dalëngadalë, unë dhe kolegë të tjerë të brezit tim s’mund të kemi më atë statusin e “artistit të ri”. Për këtë më vjen keq, pasi deri më sot brezi im nuk ka pasur mundësinë të shpaloset me gjithë fuqinë e tij përgjatë dekadës së fundit. Shanset kanë qenë të pakta, jo vetëm për të dalë jashtë vendit, por edhe për t’u angazhuar në Shqipëri. Ditët e mia ikin me insistimin për të vazhduar ëndrrën me gjithë zhgënjimet e deritanishme. Për më tepër, një vend i çuditshëm e i çmendur si Shqipëria, të ofron kaq shumë motive në art, saqë është e pamundur të rrish indiferent. Jetojmë në vendin që i ofron veten e tij artistit si subjekt. Në këtë këndvështrim, Shqipëria ka një realitet nxitës për mendjen e artistëve. Sot, arti vizual, nuk qëndron më në kornizat e një romanticizmi, por tenton të hapë diskutime, të parashtrojë problematika.
Meqenëse po flasim për trashëgiminë dhe transformimin, si e sa ju ka “formësuar” personalisht përvoja artistike e babait tuaj, Anastas Kostandinit? Sa ka ndikuar ai në zgjedhjet tuaja dhe në atë çfarë jeni sot?
Që kur kam shpallur dëshirën time për t’u bërë artiste, kjo pyetje më ka ndjekur pas. Duket sikur dy artistë që janë kaq afër njëri-tjetrit s’mund të bëjnë pa ndikime të ndërsjella. Dhe është shumë e vërtetë. Figura e tij ka qenë e pazëvendësueshme që kur vendosa të nisja seriozisht këtë rrugë. Vendimi im për të ndjekur Liceun erdhi natyrshëm, pa ndonjë ndikim imponues prej tij. Mbaj mend që kemi krijuar një grup të vogël kursi pikture si hap paraprak i Liceut. Babi është një vizatues brilant dhe kam pasur fat që leksionet e para të vizatimit i mora nga ai. Gjatë liceut, edhe për mua vizatimi ka qenë pika e fortë. Jam rritur në një atmosferë tipike atelieri. Që kur kam filluar të mbaj mend, babi s’ka bërë asnjë ditë “pushim” nga arti i tij. Shtëpia jonë mban vazhdimisht erë vaj lini, makina e babit mban erë pikture e njomë. Ai nuk ndalet në asnjë moment së krijuari dhe ç’është më e rëndësishmja, vazhdon të eksperimentojë në artin e tij. Babi është një artist me një identitet të qartë. Njëkohësisht është një artist, i cili nuk rresht së kërkuari. Shpesh thotë se ka arritur të zotërojë kaq mirë gjithçka, sa që kërkon ta përmbysë atë për t’i shpallur vetes sfida të reja.
Ju vë përpara përgjegjësive më të mëdha fakti që jeni vajza e një artisti të njohur apo ju komplekson në situata të ndryshme?
Të kesh një emër në art lidhur me Tason, është një përgjegjësi e madhe. Megjithatë, kjo nuk më ka kompleksuar asnjëherë, përkundrazi. Ajo që kemi të përbashkët, është pasioni, këmbëngulja për t’ia dalë, etja për të eksperimentuar. Por tempet tona janë të tjera, u përkasim dy gjeneratave të ndryshme. Sot, arti im merr forma të ndryshme, nga piktura tek instalacioni, te fotografia… Vizualisht nuk ka ngjashmëri mes punimeve tona. Por temat që trajtojmë janë shumë të përafërta. Edhe babi, ashtu si unë, është i prirur të shndërrojë banalitetin në art, të ironizojë realitetin, të lartësojë kujtimet e tij. Diskutojmë shpesh rreth këtyre temave. Me modestinë që e karakterizon, thotë se ndikohet nga arti im dhe në disa raste këtë e vë re. Ndërsa ndikimi i tij tek unë është i brendshëm, sepse ka qenë një formë edukimi e gjatë sa jeta.
Ironia është një “armë” në punët tuaja. Mendoni se për artistin është më e nevojshme të jetë ironik apo të ruajë të pacenuar “naivitetin”?
Naiviteti nuk është pjesë e karakterit të një artisti. Ai bëhet i qëllimshëm në rastin kur kërkon të jesh shumë elokuent (në art). Ndërsa ironia është aftësia për t’i parë gjërat me dyshim dhe për të reaguar me nota humori. Është një këndvështrim. Unë e përdor naivitetin për të mos e lodhur publikun me nënkuptime të tepërta. Ironia është filli që i lidh punimet e mia. Personalisht preferoj artin me nota ironike, ku mesazhi kalon përmes sensit të humorit.
Duke qenë një artiste e imazhit, sa/si e vlerësoni atë në të përditshmen e shoqërisë shqiptare?
Nuk duhet të jesh patjetër artist për të kuptuar se jetojmë në një vend jo të bukur. Këtu nuk flas për ato “dhuratat” e Perëndisë, me të cilat krenohemi si komb. Nuk flas as për ndonjë oaz privat nëpër qytet, ku është investuar me qëllim biznesi. Në përgjithësi, jemi një shoqëri që nuk e kultivon natyrshëm ndjenjën estetike. Kjo dallohet që në pamjen e njerëzve, në arkitekturën e sotme, në format e arredimit e më tej. Nuk jemi një popull i sofistikuar estetikisht. Nga ana tjetër, është alarmante kur sheh njerëz që përdhosin diçka estetike, vetëm sepse është publike. Kjo ndodh jo vetëm me stolat në një park, por edhe me monumente arti nëpër qytet. Si mund të jetë e bukura një provokim kaq i madh për agresivitet?! Them se vjen nga padituria.
Është e vështirë të jesh në të njëjtën kohë artiste dhe nënë e re, në një ambient social si Shqipëria?
Të qenurit nënë është një angazhim me kohë të plotë, që nuk të lë momente të gjata meditimi. Për rrjedhojë, do ta quaja një periudhë pauze në art. Kjo s’ka të bëjë me vendin ku jetoj, sepse është një përkushtim i natyrshëm, që kërkon një vit të plotë nga koha e nënës. Megjithatë, së fundmi po arrij të menaxhoj më mirë kohën time, duke i dedikuar artit hapësirën e vet. Të qenurit nënë është një ndjenjë përtej të qenurit artiste… Në fund të ditës, kur shoh djalin tim, them se s’ka vepër më të bukur arti.

“Shqipëria, vend ideal për krijim”
Hapësira publike zë një vend jo të parëndësishëm në krijimtarinë e saj. Ledia Kostandini ka krijuar një sërë projektesh me këtë fokus, të montuara përkohësisht në hapësirat publike. Fillimisht si një iniciativë personale e më pas si pjesë e një projekti me titullin “100 km art Tirana-Shkodra”. Ajo thekson se projekte të tilla duhen nxitur më tej dhe se “Galeria nuk është i vetmi vend për veprën dhe artistin”. Për të, Shqipëria, si shumë vende të tjera që kanë pësuar transformime politike radikale, është një terren ideal për të krijuar. “Fëmijëria ime ka kaluar përgjatë viteve ’80. Përtej mungesave të kohës, unë i kujtoj si vite të pasura dhe shumëngjyrëshe. Sot, e shfrytëzoj shumë nostalgjinë dhe kujtimet e mia në art. Adoleshenca ka qenë rreth vitit 1997, kohë kur jam tronditur pa fund nga çmenduria e këtij populli. Ishte mbase ky momenti kur krijova një tjetër perceptim për vendin ku jetoja. Sot në art më pëlqen të ndërthur dashurinë dhe mërinë ndaj vendit tim”, shprehet Kostandini.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura