“Le të vijnë të më shkarkojnë dhe të shohim kush… ”- Rama i përgjigjet Metës: Parlamenti është legjitim dhe do vazhdojë punën për votimin e Kodit Zgjedhor!

Sep 19, 2020 | 17:43
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar me deklaratat e fundit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta i cili tha ditën e djeshme “le të vijnë të më shkarkojnë të shohim kush shkarkohet i pari”.

“Presidenti ka një raport shumë personal me rrotullimin e hënës. Kështu që varet nga dita dhe kahja e hënës në momentin kur flet”, tha Rama.

Më tej i ka shtuar se parlamenti shqiptar sot është legjitim dhe do të vazhdojë punën për “të reflektuar në kodin zgjedhor ndryshimet e rëndësishme që ndodhën përpara mbylljes së sesionit të kaluar, duke i hapur rrugë listave të hapura dhe njëkohësisht duke konsoliduar sistemin zgjedhor me një ndryshim të domosdoshëm të formulës së koalicioneve”.

Pyetje: Presidenti duket sikur ka kërcënuar maxhorancën duke e çuar parlamentin drejt shkrirjes. Keni një koment për deklaratat e Presidentit?

Rama: Nuk i kam ndjekur deklaratat e Presidentit. Nuk përbëjnë asnjë surprizë në çfarëdo formë që ato të materializohen. Presidenti ka një raport shumë personal me rrotullimin e hënës. Kështu që varet nga dita dhe kahja e hënës në momentin kur flet.

Ndërkohë që Parlamenti vazhdon punën. Jo vetëm që është legjitim, por është në krye të detyrës dhe do të vazhdojë të kryejë detyrën për të reflektuar në kodin zgjedhor ndryshimet e rëndësishme që ndodhën përpara mbylljes së sesionit të kaluar, duke i hapur rrugë listave të hapura dhe njëkohësisht duke konsoliduar sistemin zgjedhor me një ndryshim të domosdoshëm të formulës së koalicioneve, nga një formulë absurde që ishte unikale dhe të cilën nuk e ka asnjë vend, në një formulë që e kanë të gjitha vendet evropiane që kanë koalicionet si një mundësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura