LBS

Sep 23, 2018 | 12:03
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA/ edmond-tupjaSa herë që ulem para televi zorit për të ndjekur ndonjë ndeshje ndërkombëtare futbolli, më bëjnë përshtypje ata lojtarë, të cilët, si të njërës skuadër, ashtu edhe të tjetrës, tek hyjnë në fushë, prekin tokën me dorë, bëjnë shenjën e kryqit dhe ngrenë sytë nga qielli: Sigurisht, që në atë moment ata lutem me gjithë shpirt për fitoren e ekipit të tyre. Më bën përshtypje ky veprim sepse Perëndia, e cila, me sa mëtojnë personalitetet e larta e të tëra feve është një dhe një e vetme për të gjithë njerëzit, duhet ta shohë veten në siklet të madh meqenëse do të tregohej e padrejtë po të ndihmonte ekipin A në dëm të ekipit B e anasjelltas, dhe, logjikisht, pikërisht për të mos u treguar e njëanshme, asaj do t’i duhej t’i mbyllte të gjitha ndeshjet në barazim. Mirëpo, Perëndia, si fort e mençur që mendohet se është, nuk ndërhyn padrejtësisht për të mbajtur me hatër njërën palë në dëm të tjetrës, sepse ua ka lënë përfundimisht në dorë njerëzve punët e kësaj bote, e kësaj shoqërie ngaqë i ka pajisur njerëzit me të ashtuquajturën ndërgjegje, për mirë a për keq, çka populli ynë prej kohësh e ka ilustruar me shprehjen proverbiale “Mendja bën kalanë, mendja bë hatanë”. Dhe kjo konfirmon pikërisht mosndërhyrjen e Perëndisë në punët e vdekatarëve që ne jemi.

Mirëpo, njeriu, sidomos, kryesisht dhe pashmangësisht ai i sojit “homo albanicus”, kërkon absolutisht ta ketë Perëndinë vetëm për vete, sidomos kur bëhet fjalë për situata të rrezikshme. Kështu, mbaj mend se para shumë vitesh, kur ndodhi në vendin tonë të zvetënuar tragjedia e Gërdecit, kam ndjekur një kronikë televizive, gjatë së cilës intervistuesja iu drejtua një banori të Gërdecit duke e pyetur nëse kishte parë apo takuar të plagosur që i kalonin para shtëpisë: “Po, sigurisht, – qe përgjigjja e gërdecarit, – kam parë, madje të gjakosur, dhe i kam ndihmuar”. Pastaj pyetjes së dytë të gazetares: “Po ju me familjen tuaj, a keni pasur të lënduar, a keni pësuar dëme materiale?”, ai iu përgjigj aty për aty se nuk u kishte ndodhur asgjë e keqe, se ata i kishte “Rujt Zoti!”, sipas shprehjes së tij. Eh, pra, o lexuese e lexues të vëmendshëm të kësaj rubrike të përjavshme, ja se si, krejt natyrshëm, Zoti, në marrëdhëniet e tij me shqiptarët, disa i ruajtka nga gjëmat e disa jo! Pra, Zoti u treguaka i padrejtë, njësoj si në rastin e fitores së një ekipi futbolli kundër një tjetri! Kësaj i thonë, pra, ta bësh Zotin aleatin tënd, indiferent ndaj fatit të të tjerëve.

Kur asokohe i tregova dikujt fort të mençur për këtë qëndrim të gërdecarit ndaj Perëndisë, ai m’u përgjigj se në këtë rast fjala “Zot” kishte kuptimin “rastësi”. Po, edhe kështu mund të ishte, veçse diçka nuk vete në këtë arsyetim, sepse “gjithçka është e shkruar nga i Madhërishmi”, gjë që e hedh poshtë nocionin “rastësi”!

Sidoqoftë, përgjigjja e gërdecarit ilustron deri diku faktin që shqiptari është aq pragmatist saqë mjafton të jetë ai vetë mirë, pak rëndësi ka se si është komshiu i tij; e thënë ndryshe, ndonëse në mënyrë disi vulgare, LBS. “Ç’na qenka kjo?”, mund të pyesë me kureshtje ose me habi ndonjëra prej lexueseve apo ndonjëri prej lexuesve në këtë çast. Bëhet fjalë për një sigël, pra, për një shkurtim të një shprehjeje popullore, po e përsëris, disi vulgare, por që përmbledh më së miri qëndrimin e mjaft prej bashkatdhetarëve të mi, të cilët, tek ndihen mirë në mikrobotën e tyre, si krimbi i mëndafshit në fshikën e vet, nuk u bashkohen të tjerëve kur bëhet fjalë për të reaguar ndaj padrejtësive flagrante. Kështu ndodhi për shembull, para më se një viti, kur te hyrja e Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që në Këshillin Bashkiak do të vendosej për ngritjen ose jo të çmimit të ujit, u mblodhën nja dyqind vetë për të protestuar kundër kësaj ngritjeje, aq sa, asokohe, me disa protestues të tjerë, pyesnim veten a laheshin ndonjëherë ata rreth një milion banorë të tjerë të kryeqytetit të papranishëm në atë protestë! Me siguri që ata mungonin në atë protestë për shkak të konceptit LBS! Aktualisht, prej disa muajsh, aktorët, regjisorët dhe dashamirët e Teatrit Kombëtar të kërcënuar me shembje po bëjnë një qëndresa të paepur e të dëshpëruar për ta penguar xhunglën e pamëshirshme të kullave, të plehëruar me para droge e trafiqesh të turpshme, që ta pushtojë kryeqytetin e t’ia fshijë atij kujtesën kulturore e historike. Mirëpo, mjerisht, për fatkeqësinë e Tiranës, shumë shqiptarë, banorë të saj, dhe sidomos intelektualë, qofshin të majtë apo të djathtë, ngurrojnë të dalin e të shprehin haptas solidaritetin e tyre me mbrojtësit e Teatrit Kombëtar, sepse ata i pengon kompleksi frenues LBS, ai kompleks, të cilin e përforcoi diktatura komuniste për gati pesëdhjetë vjet rresht, kompleks që, për fatin e tyre të zi, po u futet dinakërisht në shpirt shumë të rejave e të rinjve, te të cilët ndërgjegjja qytetare po zbythet para mirazheve që, si xhonglerë e si iluzionistë të mahnitshëm, u dërgojnë qeveritarët tanë të pamëshirshëm, mirazhe që mbështeten te teoria shoqërisht e rrezikshme me emrin LBS, një teori që po pëson mutacion e po kthehet në kulturë.

Së fundi, për të mos i lënë lexueset dhe lexuesit e rubrikës sime të sotme të vrasin më gjatë mendjen për të zbërthyer siglën LBS, po u them se kjo është shkurtimi i shprehjes popullore “Larg Bythës Sime”, filozofia e rrezikshme e së cilës i pengon shumë nga bashkatdhetarët tanë të përfshihen me vendosmëri në debatet e mëdha shoqërore dhe të shpalosin angazhimin e tyre qytetar në mbrojtje të demokracisë së brishtë shqiptare të kërcënuar nga ramokratura dhe ramokratët gopçarë, të cilët nuk ngurrojnë para asgjëje kur bëhet fjalë për të mbushur xhepat e llogaritë e tyre bankare me paratë që kutërbojnë erë drogë, krim e korrupsion.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura