Vëllezërit Aliko refuzojnë ushqimin, agjërojnë në Polici

Jun 29, 2015 | 21:19
SHPËRNDAJE

Dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko, të akuzuarit kryesorë për vrasjen e efektivit të RENEA-s në Lazarat, që prej mbrëmjes së të shtunës kur u arrestuan gjatë operacionit në Gjirokastër, u transportuan nën masa të rrepta sigurie drejt Tiranës.

Aktualisht ata ndodhen në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit në pritje për të dhënë dëshminë e tyre rreth ngjarjes, edhe pse nga pyetja paraprake ata kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre. 

Në foto vëllezërit Aliko

Me agjërim dhe në gjendje të rënduar psikologjike, por edhe fizike, dy vëllezërit Aliko nuk kanë dhënë ende një dëshmi zyrtare me procesverbal para grupit hetimor. Ndërsa kanë refuzuar ushqimin e Policisë së Tiranës, nisur edhe nga fakti se janë duke agjëruar.

Pas takimit me avokatin e tyre, Neshat Fana, i kanë bërë të ditur se ata nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen e Lazaratit dhe nuk janë autorë të vrasjes së efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha. Burime nga Policia e Tiranës thanë se ata janë marrë në pyetje shkurtimisht rreth orës 19:45, pasi nuk kanë qenë në gjendje të flasin. Mësohet se edhe grupit hetimor, ata ia kanë mohuar përfshirjen në ngjarje.

Ndërsa burimet thanë se pritet që sot ata të merren në pyetje gjerësisht rreth ngjarjes së rëndë që ndodhi në Lazarat mëngjesin e së mërkurës. Pozitat e tyre duket se rëndohen nga refuzimi për t’u dorëzuar për 4 ditë me radhë, derisa u rrethuan nga 500 forca policie dhe u negociua me ta me ndërmjetësimin të të atit. Ndërsa duket se prova më e rëndësishme që mund t’i implikojë ose jo në këtë ngjarje është arma e krimit, e cila nuk është gjetur ende nga Policia.

ANALIZAT
Gjatë mesditës së djeshme, vëllezërit Arbjon e Alban Aliko u janë nënshtruar procedurave standarde në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, që kanë të bëjnë me ekzaminimin e gjurmëve e faktorëve. Burime nga grupi hetimor thanë se atyre u janë marrë gjurmët e gishtave, të cilat do të krahasohen me disa armë të gjetura gjatë ditëve të operacionit në Lazarat.

Gjithashtu janë analizuar duart, rrobat dhe pjesë të ndryshme të trupit për gjetjen e faktorëve plotësues, nëse do të rezultojë ose jo që të kenë mbetje baruti nga shkrepjet e armëve. Mësohet se vëllezërve u janë bërë edhe analizat e gjakut për të verifikuar qoftë prova e njolla gjaku të gjetura në zona të ndryshme në Lazarat, por edhe nëse kanë qenë ose jo nën efektin e ndonjë lënde narkotike, ashtu siç u dyshua në fillim të këtij operacioni.

Ndërkohë pas arrestimit të dy vëllezërve, që në fakt ishin të shpallur në kërkim që prej një viti, pas operacionit të parë në Lazarat, forcat RENEA e kanë mbyllur aksionin e tyre atje. Mesditën e djeshme pjesa më e madhe e forcave që ndodheshin në operacion janë kthyer në Tiranë.

Ndërsa në mbështetje të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që do të vazhdojnë të jenë në shërbim në Lazarat pa ndonjë afat të caktuar, kanë qëndruar dy njësi të repartit RENEA. Ata vazhdojnë operacionin për kapjen e personave të tjerë që janë shpallur në kërkim dhe gjetjen e armës së përdorur gjatë sulmit ku mbeti i vrarë efektivi i forcave speciale. 

ETLEVA DELIA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura