LAZARATI/ Tahiri akuzon opozitën: Dora kriminale ndodhet në Tiranë

Jul 3, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri akuzoi opozitën si dorën kriminale që vepron në Lazarat. Në emisionin “Opinion”, Tahiri ka hedhur akuza të forta për ngjarjet në Lazarat, ku mbeti i vrarë oficeri i RENEA-s, Ibrahim Basha.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri

“Lazarati është përdorur nga politika për vota, për para dhe për gjithçka. Dora kriminale nuk ndodhet në Lazarat, por në Tiranë. Ajo dorë është pushtetit që ka rritur kriminalitetin”, tha Tahiri.

Ai gjithashtu sqaroi edhe situatën në Lazarat, një ditë para se të ndodhte ngjarja. Tahiri tha se në periudha zgjedhjesh dhe fushatash, policia nuk mund të qëndrojë nëpër territore, por në garnizone apo stacione policore.

“Fushata zgjedhore e do që policia të largohet nga territori dhe të jetë brenda reparteve. Ditën e zgjedhjeve nuk kishte shërbim intensiv”, tha Tahiri.

Ministri sqaroi se policia kishte marrë raportime për të shtëna një ditë përpara vrasjes së Ibrahim Bashës. Për këtë kishte nisur verifikimet dhe shtimin e trupave të policisë në fshat.

Tahiri tha që nuk mund të vepronin natën për shkak të terrenit dhe errësirës. Ai sqaroi se fillimisht, në fshat hynë blindat dhe më pas furgoni i RENEA-s, i cili do të përdorej për të shoqëruar një të arrestuar.

“Atë natë, ka patur të shtëna dy ditë pas zgjedhjeve. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ndodheshin aty. Nuk reaguan menjëherë se ishte natë. Të nesërmen hynë për të bërë patrullimin.

Ndërkohë, RENEA, nisi operacionin me autoblinda për të kapur ata që kishin shtirë me armë. U ndalua një automjet dhe shkoi furgoni i sulmuar për të bërë shoqërimin, se shoqërimet nuk bëhen me autoblinda. Policia u qëllua në mënyrë të pabesë nga një distancë e konsiderueshme”, tha Tahiri. 

“Lulzim Basha i nxiti banorët e Lazaratit të ngiheshin kundër shtetit. Në takimin elektoral atje kryetari i opozitës akuzoi Policinë e Shtetit se e shkuli hashashin nga aty për ta mbjellë diku tjetër”, tha Tahiri. 

 Pyetjes se a ka pasur dijeni nëse Arben Frroku (i shpallur fajtor për vrasjen e komisar Dritan Lamajt nga Gjykata e Apelit pranë Krimeve të Rënda pak ditë më parë), do të largohej nga Shqipëria, ministri Tahiri i është përgjigjur se pas vendimit të shkallës së Parë, Frroku ishte i lirë të lëvizte edhe jashtë shtetit.

Në intervistën e tij, ministri i Brendshëm tha se sistemi TIMS nuk funksiononte në kohën kur Frroku kaloi pikën kufitare. “Zoti Frroku mori një vendim pafajësie nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ishte i lirë të lëvizte edhe jashtë shtetit. Policia ka bërë kontrollin e mjetit, statusit të tij, regjistrimin e të gjithë procedurës. Është lejuar të iki. Ka komunikuar me policinë kufitare në Kroaci dhe i është kthyer përgjigje që zotëria nuk ka ndalesë ligjore. TIMS-i në pikat kufitare të veriut nuk ka funksionuar”,-deklaroi Tahiri.

Sipas tij, ndalesa në Kroaci është bërë sepse nuk korrespondonte sistemi shqiptar. “Rëndësi ka që punonjësi i policisë në kufi ka bërë detyrën, ka bërë regjistrimin. Ajo që nuk ka bërë detyrën ka qenë gjykata, mund të kërkonte mbajtjen e pasaportës ose ndalimin për mos të lëvizur jashtë shtetit”,-deklaroi ministri. Ndërsa shtoi se që në ditën kur punonjësi i pikës kufitare ka njoftuar në Drejtorinë e Policisë, është filluar hetimi për të parë se si ka ndodhur ngjarja. Sipas tij, ndodh që sistemi TIMS mund të bjerë.

Lidhur me pyetjen se a ka pasur dijeni nëse kryeministri Edi Rama ka drekuar apo është takuar me Frrokun në Pukë, ministri Tahiri është përgjigjur se nuk ka informacion dhe se i konsideron spekulime aludime të tilla. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura