LAZARATI/ Prindërit e vëllezërve Shurdhi: Djemtë s’kanë gisht në vrasje. Djalin e vranë pa gjyq

Jun 28, 2015 | 13:50
SHPËRNDAJE

Pas ndalimit të Dritan Shurdhit dhe shpalljes dhe arrestimit të Sebastian Shurdhit si organizatorë dhe autorë të dyshuar të sulmit me armë ndaj furgonit të RENA-s, ku u vra efektivi Basha, kanë folur për “News 24” prindërit e vëllezërve Shurdhi.

Prindërit e vëllezërve Shurdhi

Ata thonë se djemtë e tyre nuk kanë gisht në vrasjen e ndodhur dhe se u shprehin ngushëllime familjes së viktimës.

“Shprehim ngushëllimet ndaj familjes së viktimës. Djemtë e mi nuk kanë lidhje me vrasjen e së mërkurës. Në 2007-n, policia më ekzekutoi djalin, Sabriun pa gjyq. E dënoj këtë akt, por ia kam lënë shtetit.

Nuk i jemi kthyer më kësaj ngjarje. Përflitet se djali im F. Shurdhi është autor i kësaj ngjarjeje. Këto janë shpifje. Është padrejtësi ndaj familjes time. Djali im është në burg ku vuan dënimin”, deklaroi Filip Shurdhi, babai i vëllezërve Shurdhi.

Të njëjtin version ka treguar dhe nëna e vëllezërve. “Kërkoj drejtësi për djemtë e mi, pasi nuk janë fajtorë”, tha Hamide Shurdhi. Reagimi i tyre vjen pas ndalimit të Dritan Shurdhit dhe arrestimit të Sebastian Shurdhit dy ditë më parë nga policia.

Deri tani, dyshohet se sulmi ndaj furgonit të RENEA-s të jetë bërë në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së Sabri Shurdhit, në operacionin e RENEA-s në vitin 2007. Sabri Shurdhi, në atë kohë, plagosi disa efektivë, përpara se të qëllohej për vdekje nga forcat RENEA.

Duke qenë se sulmi i të mërkurës nisi në afërsi të lapidarit të Sabri Shurdhit, policia dyshon se ai ka lidhje me vrasjen e këtij të fundit dhe se organizator është Florian Shurdhi, i cili gjendet në burg. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura