Lazarati, pendohet anëtari i 2-të i “grupit të zjarrit”: Ishim ndarë në 3 pjesë, të përgatitur për sulm

Jul 1, 2015 | 20:00
SHPËRNDAJE

Prokuroria për Krimet e Rënda ka siguruar një tjetër dëshmi të vlefshme kundër personave të arrestuar si pjesë e “grupit të zjarrit” që qëlloi mbi forcat RENEA të mërkurën e javës së kaluar.

Klodian Selimi, dje në gjyq

Pas administrimit të thënieve të 17-vjeçarit Xhuliano Malo javën e kaluar, një tjetër nga të arrestuarit, Klodian Selimi, 19 vjeç, ka rrëfyer detaje për grupimin e armatosur. Deklarimet e tij janë cituar nga Prokuroria në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij dhe dy të arrestuarve të tjerë, Dervish Gaba dhe Elvis Boci, të zhvilluar dje te Krimet e Rënda.

Bëhet e ditur se dëshmia e të dyshuarit Selimi ka qenë e ngjashme më rrëfimin e bërë para prokurorëve nga ana e 17- vjeçarit Malo. Selimi ka pranuar ekzistencën e një grupi të armatosur kundër Policisë së Shtetit në Lazarat. Ai nuk ka pranuar të ketë qëlluar mbi policinë, por ka rrëfyer dijeninë e tij, duke dhënë edhe detaje se grupi ishte i ndarë në tre nëngrupe dhe se ishte përgatitur për të sulmuar forcat e rendit.

Në një pjesë të dëshmisë së tij, ai ka pohuar se ka parë të dyshuarin Boci të ngarkojë armë në automjetin e tij. Ky pretendim është kundërshtuar nga ana e të dyshuarit Boci. Mësohet se gjatë deklarimeve të tij para prokurorëve, Boci ka mohuar të ketë qenë pjesë e ndonjë grupi të armatosur. Ai ka pohuar se ka qenë në drejtimin e automjetit të tij kur është ndaluar gjatë kontrolleve policore të RENEA-s në Lazarat. Sipas tij, një prej efektivëve i ka thënë që automjeti ishte i vjedhur dhe se e ka ofenduar.

I riu ka deklaruar se ai ka reaguar ashpër kundër fyerjes, çka është pasuar më pas me arrestimin e tij. Tre të dyshuarit, Klodian Selimi, Dervish Gaba dhe Elvis Boci, akuzohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda për akuzën e “vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit”, kryer në bashkëpunim, “vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë në pesë raste dhe “prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura