Lazarat, tritol banesës së kreut të Partisë Demokratike në Gjirokastër, PD: Sulm politik në kohën kur Rama viziton qytetin (FOTO)

Mar 23, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/Pas shpërthimit të një sasie tritoli mesnatën e djeshme në oborrin e banesës së babait të kreu të PD, Gjirokastër, Roland Bejko, ka reaguar edhe Partia Demokratike, duke e cilësuar ngjarjen si një sulm politik.

Me anë të një njoftimi për mediat Partia Demokratike thotë se ky është një agresion i përsëritur ndaj banesës së Bejkos, ndërsa policia nuk ka marrë masat e duhura në rastet e mëparshme.

“Ky sulm mbi baza politike, bëhet edhe më i rëndë kur ndodh në kohën që kryeministri viziton Gjirokastrën. Dhuna ndaj përfaqësuesve dhe zyrave të Partisë Demokratike po shtohet teksa po afrojnë zgjedhjet. Partia Demokratike i kërkon qeverisë të distancohet nga këto akte dhe të ndalojë frymëzimin e agresionit ndaj opozitës”,-thuhet në deklaratën e PD-së.

Ndërkaq, një ngjarje për motive politike e ka cilësuar kreu i PD-së së Gjirokastrës Roland Bejko vendosjen e  tritolit në oborrin e banesës së babait të tij. Në një prononcim për “News 24”, Bejko tha se familja e tij dhe ai vet nuk ka probleme me askënd dhe se shpërthimi ishte paralajmëruar qysh një javë më parë.

“Ngjarja duket qartazi se është për motive politike. Familja ime dhe unë nuk kemi probleme me askënd. Shpërthimi është paralajmëruar një javë më pare. Një javë më parë i vunë tritol banesës së babait tim dhe policia nuk e kreu detyrën përball kësaj ngjarje. Të tillë ngjarje e kemi denoncuar edhe një javë më pare”- ka sqaruar Bejko.

Më herët, u raportua se lënda plasëse ndaj kreut të PD-së në Gjirokastër u hodh nga jashtë portës në oborrin e banesës së Hysen Bejkos në lagjen Kordhocë të Lazaratit në orën 00:10, nga persona ende të painde tifikuar nga policia.

[portfolio_slideshow] 

Nga shpërthimi, bëhet me dije, se nuk ka patur persona të lënduar. 

“Nga shpërthimi i lëndës plasëse janë  shkaktuar dëmtime të pjesëshme të llamarinës së portës së jashte të oborrit. Nga shpërthimi nuk ka  asnjë të lënduar dhe nuk ka dëme materiale në banesë”, tha policia

Nga burime policore mësohet se në oborrin e Bejkos ka shpërthyer një kallëp tritoli me fitil të ndezur.

Policia ka nisur hetimin për shpërthimin dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. 

Shehu: Akt kriminal. Të sigurohet jeta e banorëve të Lazaratit. S’janë ata trafikantët

Tritan Shehu, i deleguari i kryesisë së PD për zgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjet e 21 qershorit në Gjirokastër ka reaguar për ngjarjen. Përmes një komenti në Facebook, Shehu e cilëson sulmin me tritol ndaj banesës së babait të kreut të PD Gjirokastër, një akt kriminal.

“Me shume shqetesim mesova lajmin e shperthimit te nje sasie lende eksplozive ne Lazarat, ne shtepine e te jatit te Kryetarit te PD se Gjirokastres, Z. Roland Bejko. Pa dyshim kemi te bejme me nje akt kriminal. Ne realitet prej ditesh ne Lazarat po perseriten disa ngjarje te rrezikeshme, ne fshehtesi dhe te pa zbardhura. Ngjarja e sotme perben kulmin e ketyre zhvillimeve tronditese. Une i kerkoj institucioneve perkatese te sigurojne jeten dhe pasurine e banoreve te Lazaratit. Keta qytetare te thjeshte aspirojne te punojne e te jetojne ne qetesi e me ndershmeri. Keta nuk jane as autoret e as nxitesit e veprave kriminale. Grupet kriminale e trafikantet e vertete jane te tjere. Ata duhet te goditen me te gjithe forcen e ligjit. Organet e specializuara duhet sa me pare te zbardhin te verteten, te vene para pergjegjesise autoret ketyre veprimeve destabilizuese, qe synojne te terrorizojne ata banore”, shkruan ai në Facebook.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura