Latifi: Dua të largohem i qetë pasi të kualifikoj Skënderbeun, në Kroaci pozitive të humbim 2-1

Aug 15, 2017 | 23:30
SHPËRNDAJE

Pas një dite mungesë, Liridon Latifi kthehet në Korçë për të filluar stërvitjen me Skënderbeun. Për “Panorama Sport”, lojtari mohon të ketë qenë në Hungari dhe thotë se ende nuk ka firmosur asnjë kontratë. Ai thotë se ka qenë në Vjenë një ditë më parë, por nuk jep detaje të tjera. Megjithatë, tashmë është e sigurt se lojtari ka mbyllur gjithçka dhe do të transferohet në Hungari pas dy takimeve të fundit me Skënderbeun.

latifi

“Nuk kam qenë në Hungari, por në Vjenë një ditë më parë. Them se më shumë do të flas pas Dinamos. Ëndrra ime është të kualifikoj Skënderbeun në Europë dhe më pas largohem i qetë”, përfundoi Latifi prononcimin për gazetën “Panorama Sport” para daljes në konferencë para mediave, për të cilat komentoi ndryshimet e ekipit.

LATIFI

“Dinamo është një skuadër shumë e fortë. Si dy vite më parë, edhe tani mbetet një ekip i fortë. Megjithatë shpresojmë që të mos jenë në ditën e tyre më të mirë dhe ne të kemi fatin në krahun tonë. Shpresojmë të jetë një ndeshje pozitive për ne. Normalisht që do të shkojmë atje për të bërë lojën tonë dhe të kemi përqendrimin në maksimum. T

hem se do të jetë një takim që do të vendosë shumë. Shpresoj të marrim një rezultat të mirë. Ndoshta humbja 2-1 në fushën e tyre do të ishte diçka shumë pozitive për ne. Kjo pasi në stadiumin tonë do të luanim për një fitore minimale dhe shanset do ishin shumë të mëdha”, u shpreh fillimisht Latifi në konferencë.

Më tej, kosovari bën krahasimin me ekipin e dy viteve më parë. “Po, është e vërtetë, edhe ata kanë ndryshuar shumë lojtarë në përbërje. Por, nuk dua të mendoj për kundërshtarin. Ekipi ynë them se pas atij përfaqësimi në Ligën e Europës ka më shumë eksperiencë dhe besoj se kjo do të na ndihmojë të jemi më të përgatitur se në përballjen e para dy viteve.

Për sa më përket mua, normalisht jam dy vite më i madh, më i pjekur profesionalisht dhe më me eksperiencë. Shpresoj që të jap kontributin maksimal në atë takim dhe të arrijmë diçka të madhe. Shpresoj shumë që të jem në formë në dy takimet që po vijnë”, deklaroi Latifi në konferencë.

Ndërsa i pyetur në konferencën për shtyp në lidhje me largimin e tij drejt Hungarisë, Latifi nuk ka dashur të tregojë se çfarë po ndodh. “Për momentin, nuk kam asnjë koment dhe dua t’ia lë kohës të tregojë gjithçka, pasi tani po mendoj vetëm të stërvitem dhe të jap maksimumin tim në dy takimet”.

Gazetarët kanë këmbëngulur se ai ka qenë një ditë më parë në Hungari për të mbyllur gjithçka, por Latifi sërish ka qenë i prerë në përgjigje: “As për këtë nuk mund të them gjë. Por, ju konfirmoj që do luaj edhe dy takimet e mbetura ndaj Dinamos së Zagrebit dhe do të bëj maksimumin për fanellën e Skënderbeut”, përfundoi përgjigjen e tij Latifi. Mesfushori është një prej futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës ku stafi teknik dhe drejtuesit besojnë shumë se do ta ndihmojë ekipin në dy përballjet me Dinamon.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura