Larje hesapesh për drogën, atentat me 4 plumba 26-vjeçarit

Jan 20, 2012 | 14:15
SHPËRNDAJE

TIRANE – Një 26-vjeçar i ka shpëtuar një atentati me katër plumba, duke u goditur vetëm nga një plumb në shpatull, në momentin kur po parkonte makinën në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës së mërkurë. I riu u qëllua ende pa zbritur nga makina tip “Benz”, pranë shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë. Shtetasi Boiken Spahiu është qëlluar katër herë me armë zjarri dhe një nga plumbat që ka depërtuar në makinë e ka goditur duke e plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të së enjtes, kur Spahiu po kthehej në shtëpi me makinën e tij tip “Benz” me targë TR 3582 S. Sapo ka kaluar semaforin në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në drejtim të shkollës “Vasil Shanto”, persona ende të paidentifikuar, që i kishin zënë pritë, kanë qëlluar me pistoletë drejt xhamit në krahun e shoferit. Spahiu, i cili drejtonte makinën, është plagosur, ndërsa fatmirësisht në atë moment nuk ka qenë asnjë person tjetër me të. Pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Ushtarak, 26-vjeçari e ka kaluar rrezikun për jetën, ndërsa për shkak të shëndetit delikat, ende nuk është marrë në pyetje në mënyrë të detajuar rreth ngjarjes. Ndërsa sipas burimeve nga Policia, nga verifikimet e kryera në lidhje me të plagosurin, ka rezultuar person me precedentë penalë në fushën e trafikut të lëndëve narkotike jashtë kufijve të Shqipërisë, ku ka qëndruar disa herë si emigrantë. Paraprakisht, burime nga grupi hetimor thanë se ngjarja ka lidhje pikërisht me veprimtarinë e tij kriminale dhe atentati ndaj tij është kryer për larje hesapesh. Ngjarja po hetohet nga oficerët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit, të cilët pritet të rimarrin në pyetje Boiken Spahiun paraditen e sotme. Sipas Policisë, dëshmia e tij është mjaft e rëndësishme, pasi mund t’i çojë në gjurmët e autorit të atentatit. Ngjarja është klasifikuar “vrasje e mbetur në tentativë” dhe sipas burimeve, në vendin e ngjarjes janë gjetur prova mjaft të rëndësishme që mund të çojnë në identifikimin e autorit.

Sherri për drogën, kapet autori i plagosjes
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia e kryeqytetit ka vënë në pranga të dyshuarin për atentatin ndaj shtetasit Boiken Spahiu. Sipas policisë, shtetasi Griseldo Kusi ka rënë në pranga me akuzën e tentativës së vrasjes së 26-vjeçarit i cili u sulmua me armë teksa po parkonte automjetin tek “Vasil Shanto”. Sipas burimeve nga policia mësohet se mes të plagosurit dhe të dyshuarit për ngjarjen ka pasur një konflikt për çështje lëndësh narkotike në Angli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura