“Largohu nga kroskoti se të vrava”, kambisti që u grabit rrëfen momentet e tmerrit

Sep 2, 2018 | 12:33
SHPËRNDAJE

Administratori i një pike këmbimi valutor nga Cërriku ka rënë pre e një grabitjeje me armë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së shtunës, rreth orës 06:30, kur Adem Ngjela u ndalua nga një person me armë. Ngjarja ka ndodhur në hyrjen e banesës së 51-vjeçarit, aty ku ky i fundit kishte parkuar mjetin.

Në momentin që ishte duke futur paratë në makinë, autori i ka drejtuar armën, duke e detyruar që t’i dorëzojë paratë. Ngjela ka deklaruar në Polici se i kanë grabitur 14 milionë lekë të vjetër. Sipas tij, ngjarja ishte strukturuar në detaje, pasi grabitësi ka shfrytëzuar momentin e futjes së parave në makinë për ta kërcënuar me armë, ndërsa fillimisht i kishin shpuar një nga gomat e makinës. 51-vjeçari është gjendur në panik, ndaj ka braktisur mjetin e tij dhe paratë për t’iu drejtuar menjëherë banesës së tij dhe ka kërkuar ndihmën e familjarëve, të cilët, veç nënës së tij, ishin në gjumë.

Kambisti i grabitur, Adem Ngjela
Kambisti i grabitur, Adem Ngjela

Autori e ka pasur më të lehtë në këto kushte të çojë deri në fund misionin, duke marrë paratë dhe më pas për t’u larguar. “Kam 25 vite që merrem me profesionin e kambistit. Autori nuk mbante maskë, por ishte person që nuk e njihja. Në momenti që u afru 2-3 metra nga makina më tha lekët, largohu nga kroskoti se të vrava, mos bëj lëvizje. Unë në atë kohë isha në mëdyshje, mendova se mos ishte një pistoletë jo e saktë dhe po ma bënte për të më trembur. Mu duk si pistoletë e rregullt, në momentin që e shtoi kërcënimin mendova se do të më shtijë dhe ia futa me vrap në drejtim të shtëpisë”, ka treguar Ngjela në Polici.

Ngjarja ende mbetet e paqartë për Policinë, pasi në momentin e grabitjes. Ndërkohë, Policia, pasi ka marrë dëshminë e 51-vjeçarit Ngjela dhe ka kqyrur vendin e ngjarjes, ka nisur hetimet për të zbardhur këtë ngjarje, megjithëse zona ku ka ndodhur grabitja nuk vëzhgohet nga kamera. Një prej fqinjëve të kambistit, shpreet se dëgjoi një zhurmë motori pak pas të bërtirurave të kambistit që kërkonte ndihmë. “Komshiu i katit të dytë më tha që dola unë nga britmat dhe ulërimat e tua dëgjova zhurmë motori dhe ka pritur tjetri aty në qosh.

Autori ishte i pamaskuar fare edhe tani e dalloj. Ishte rreth moshës 40 vjeç, i shëndoshë 1.75 i gjatë”, tregon Adem Ngjela. “Ata ishin të përgatitur kishin çarë edhe njërën gomë, u vërtetua që e kanë çarë me dashje se tha dhe gomisti tani që po vë gomë të re. Tha edhe polici që ty të kanë çarë gomën që të mos i ndiqje me makinë”. M.S.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura