Largohet dot Trump?

Jan 12, 2021 | 9:36
SHPËRNDAJE

Fatos-Cocoli-770x433FATOS ÇOÇOLI

Zakonisht, në politikë çfarë parashikohet të ndodhë dhe çfarë ndodh janë dy çështje të ndara.

E para kërkon zgjidhje të problemeve dhe moralin.

E dyta është një ekuacion, me ndryshore sipas interesit vetjak të aktorëve të përfshirë.

Sa i përket Donald Trump, i cili pasi humbi zgjedhjet për t’u emëruar për herë të dytë President i SHBA-ve, nxiti turmën e përkrahësve të tij të shkonte dhe të sulmonte Kongresin e SHBA-ve (Kapitolin), ai nuk duhet të jetë në detyrë.

Si për shkak të asaj që ka bërë, edhe për rrezikun e paparashikueshmërisë së veprimeve të tij në këto 10 ditë të fundit që i mbeten në detyrë. Çfarë do të ndodhë, është një çështje tjetër. Çfarë do të ndodhë është funksion i interesit të atyre që kanë fuqinë të heqin presidentët në SHBA. Zgjidhja më e shpejtë dhe e lehtë do të ishte që Presidenti Trump të jepte dorëheqjen.

Shanset që ai ta bëjë këtë janë afër zeros. Mënyra e dytë më e shpejtë do të ishte që ai të hiqet nën Amendamentin (Shtojcën) e 25-të të Kushtetutës së SHBA-ve, i cili përcakton se Presidenti, nëse gjendet i paaftë për të kryer detyrën, mund të largohet nga detyra me votimin e shumicës së anëtarëve të kabinetit të tij.

Ky amendament kërkon që zv.presidenti të veprojë së bashku me shumicën e anëtarëve të kabinetit. Drejtuesja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, Nancy Pelosi, dhe drejtuesi i shumicës (pas 20 janarit 2021) demokrate në Senatin amerikan, Chuck Schummer, i telefonuan për 18 minuta rresht të premten, më 9 janar, zv.presidentit Mike Pence, por ky nuk ua ngriti telefonin.

Kur iu drejtua Kongresit pas trazirave në Kapitol po atë ditë në mbrëmje, Pence e dënoi turmën, por nuk tha asgjë për njeriun që e nxiti këtë turmë të sulmonte dhe pushtonte Kongresin. Ai mund të justifikojë heshtjen e tij, duke arsyetuar se largimi i Trump do të ftonte një turmë edhe më të madhe e më të dhunshme në Uashington.

Por edhe nëse zv.presidenti Pence vendos të provojë ta heqë z. Trump me arsyetimin se Presidenti është i paaftë, Presidenti mund të përgjigjet duke dërguar në Kongres një vërtetim mjekësh që pohon aftësinë e tij për të qenë President. Kongresi do të duhet të vendosë për këtë çështje, me një shumicë prej dy të tretave nga të dyja dhomat e Kongresit, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.

Por largimi i Trump për momentin nuk është në interesin e përfaqësuesve të Partisë Republikane, që kërkojnë të thonë të tyren në politikë, mbi bazën e 84 milionë amerikanëve që votuan Trump më 3 nëntor 2010. Po me propozimin (empeachment) e dytë për shkarkimin e Presidentit nga Kongresi, për të cilin demokratët kanë mbledhur 128 firma në Dhomën e Përfaqësuesve, si mënyra e tretë për largimin e Trump?

Ky proces kërkon vetëm një shumicë të thjeshtë në Dhomën e Përfaqësuesve. Këtë demokratët mund ta realizojnë brenda këtyre dhjetë ditëve të mbetura nga ikja zyrtare e Trump. Dhe atë duan fort ta bëjnë, për të dobësuar sa më shumë trashëgiminë Trump dhe mundësitë që ai t’i sfidojë prapë në zgjedhjet pas katër viteve.

Propozimi i dytë për shkarkimin e Trump (“empeachment” i dytë) mund të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe të kalojë në Senat, por aty Trump nuk do të dënohet, sikurse edhe nuk u dënua në janar 2019 nga propozimi i parë. Secili nga senatorët republikanë sot shpreson të trashëgojë mbështetësit e Trump, gjë që e bën gati të pamundur votimin e tyre për largimin e tij.

Kështu që rezultati më i mundshëm është që Presidenti Trump të mbetet në detyrë deri në fund të mandatit të tij. Kjo do të thotë gjithashtu se ai është i lirë të kandidojë sërish për President katër vite më vonë, nëse do të dëshirojë ta bëjë këtë dhe nëse nuk do ta ndalojnë problemet që do të ketë me drejtësinë amerikane për fshehjen e taksave federale të bizneseve të tij, kur të rikthehet më 21 janar qytetar i thjeshtë.

Edhe pse Trump është një manipulues i frikshëm i së vërtetës, çfarë ai bëri për ekonominë amerikane në tre vjet përpara pandemisë është një thesar për republikanët, njësoj si fakti që ai përfaqëson kandidatin e dytë për President më të votuar në historinë e zgjedhjeve amerikane.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura