Largimi i të rinjve me gomone/ Reportazhi brenda kampit të shqiptarëve në Francë, kush është i riu nga Vlora që u premton klandestinëve udhëtimin drejt Britanisë

Oct 2, 2022 | 22:48
SHPËRNDAJE

Britania e Madhe është kthyer prej shumë vitesh në destinacionin më të preferuar të rinjve shqiptarë që kërkojnë të lënë vendin për një jetë më të mirë, me mijëra kamionë që hyjnë çdo ditë në Britani nëpërmjet tunelit të La Mansh prej dy dekadash. Por sistemimi në brendësi të kamionëve krahas tarifave të larta ka sjellë edhe tragjedi.

44445454-770x374

Të shumta kanë qenë rastet të asfiksisë nga gazi, ngrirjes nga kamionët frigoriferike.

Që nga muaji maj të këtij viti në ditë kur deti është i qetë me dhjetëra gomone nisen nga brigjet e Francës veriore me destinacion Doverin një qytet anglez. Trafikantët reklamojnë kalimin nëpërmjet kanalit të La Manshit në Tik Tok.

Në këtë platformë trafikantët reklamonin masivisht ofertat për kalimin ilegal drejt Britanisë së Madhe, kundrejt shumave që varionin nga 6 deri në 7 mijë paund.

Ndërsa në fund të gushtit mund të siguroje vend në një gomone edhe për 3 mijë euro. Me një kapacitet prej 8 personash, gomonet nisen nga Franca me një kapacitet 3-fish më të madh, duke rrezikuar jetën e emigrantëve klandestinë.

Për të kuptuar më mirë këtë situatë emisioni “Piranjat” ka realizuar një reportazh brenda një kampi refugjatësh në Francë. Ekipi i emisionit udhëtuan drejt Dunkirk në Francë, një qytet bregdetar me 15 mijë banorë, i kthyer në pikë të rëndësishme për nisjen e gomoneve drejt ishullit. Një hotel ngjitur me stacionin e trenit është kthyer në pikë grumbullimi të shqiptarëve. Kafja e godinës është plot me shqiptarë dhe bisedat për çmimet e rrugës apo qendrimi në kampe është temë e ditës.

Grupi i xhirimit të “Piranjave” u vendos në stacionin nga ku nisen të gjithë shqiptarët që i drejtohen Mbretërisë së Bashkuar në rrugë ilegale. Piranjat kanë folur madje me trafikantët, duke u shtirur si persona që duan të shkojnë në Angli me gomone.

Gjithashtu u takuan me grupet e shqiptarëve që u dëbuan nga kampi bazë pas një operacioni të policisë franceze. Ata rrëfejnë se kanë kaluar ditë dhe net rrugëve, teksa thonë se kanë blerë batanije 180 dhe 250 euro për të kaluar natën.

Qendrimi me ditë të tëra në pritje të një gomoneje ka sjellë nevojën e ndërtimit të një kampi me tenda në pyll në afërsi të bregdetit në qytetin francez Dunkirk. Piranjat kontaktuan me një të ri nga Vlora i cili bashkëpunonte me trafikantët duke i gjetur atyre persona të gatshëm për të hipur në gomone. Trafikanti nga Vlora u shpjegoi Piranjave detajet e udhëtimit dhe pagesave.

Koha e keqe dhe dallgët e detit kanë paralizuar nisjen me gomone për në Angli, megjithatë ekipi e Piranjave vëren se askush nuk bën mbrapa, të gjithë presin aty me shpresën se do të ketë përmirësim të motit.

Njëri prej trafikantëve u tregoi Piranjave rrugën për kampin me rreth 700 klandestinë që ishin në pritje të nisjes së gomoneve për në Britani.

Nga investigimi i Piranjave në qytetin francez, duket se bëhet fjalë për një mënyrë tepër të organizuar të trafikimit, secili nga djemtë ka grupin e vetë të klientëve dhe duke zbatuar rregulla të pashkruara ata përpiqen të jenë korrekt me njëri-tjetrin. Ndërkohë trafikanti vlonjat u arrestua nga Policia franceze, por më pas u lirua, pasi ishte i pajisur me dokumentacionin përkatës për qëndrimin në BE./ Marrë nga Abcnews.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura