Largimi i Prengës, buzëqesh Meta? LSI-së i shtohet edhe një deputet

Feb 27, 2017 | 17:50
SHPËRNDAJE

Armando Prenga ka lënë sot mandatin e deputetit me anë të një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.

Dorëheqja e tij erdhi pas kërkesës së Prokurorisë drejtuar KQZ-së, për një dënim që Prenga nuk e kishte deklaruar.

Kastriot Piroli
Kastriot Piroli

Por me largimin e tij në qarkun e Lezhës pritet të ketë lëvizje të shumta, shkruan Panorama. 

Si rregull mandatin e lënë nga Prenga duhet ta merrte Kastriot Piroli.

PS ka listuar 7 emra në këtë qark, dhe ka fituar vetëm dy mandate: Mimi Kodhelin dhe Armando Prengën. Kur Kodheli u bë ministre, dorëzoi mandatin, duke i lënë kështu mundësinë të hynin në parlament gratë pasardhëse në listë. Merjeme Delishi dhe Mirela Neli të dyja nuk pranuan të merrnin mandatin, duke skualifikuar veten e tyre nga lista, e duke bërë deputet të tretin në listë, Arben Ndokën. Por edhe ky u dorëhoq prej akuzave të bëra ndaj tij për problemet e së shkuarës dhe mandati i kaloi Eduard Ndocajt. Emri tjetër, Ndrec Dedaj u bë kryetar i bashkisë Mirditë, duke e ezauruar të gjithë listën e kandidatëve dhe duke lënë vetëm një emër: atë të Kastriot Pirolit.

Por as Piroli nuk mund ta marrë dot. Kjo pasi Piroli, i cili pason listën e kandidatëve socialistë në zgjedhjet e 2013-ës, rezulton të ketë probleme me drejtësinë. Ndaj tij ka dy vendime të formës së prerë në vitin 2016, për veprën penale “shpërdorim detyre”, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Hipotekës së Kurbinit. Kastriot Piroli është dënuar me një vit e 6 muaj burg, që i është konvertuar me 18 muaj shërbim prove. Ndërsa herën e dytë është dënuar me 6 muaj burg, të cilin e ka shlyer me periudhën e paraburgimit. Në të dyja rastet Apeli e ka shpallur fajtor, e për pasojë Kastriot Pireli është subjekt i ligjit të Dekriminalzimit dhe nuk mund të zërë karrigen e lënë bosh nga Prenga.

Në këtë rast mandati i kalon LSI-së, dhe për pak kohë, deri në 18 qershor, deputet bëhet Petrit Zef Gjoni, raporton Panorama. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura