Largimi i Berishës si parakusht për largimin e Ramës

Aug 7, 2021 | 10:02
SHPËRNDAJE

Blendi Kajsiu

BLENDI KAJSIU

Shumë nga kritikët e qever isjes aktuale po e lexojnë sulmin e SHBA-së ndaj Berishës si një diversion që legjitimon Ramën. Mbrojtësit më të ndershëm të kësaj teze argumentojnë se Berisha nuk është tashmë aktor i rëndësishëm politik dhe as burimi kryesor i korrupsionit dhe kapjes së shtetit, ndryshe nga Rama.

Ky argumentim çalon si në fakte, ashtu edhe në logjikë. Së pari, Berisha mbetet një nga aktorët më të rëndësishëm në skenën tonë politike. Së dyti, është prezenca dhe jo largimi i tij nga skena politike që e legjitimon Ramën.

Tendenca që kanë si kritikët, ashtu edhe mbrojtësit e Berishës për ta reduktuar rëndësinë e tij politike, është një dëshirë që vishet si analizë. Kritikët artikulojnë një Berishë të marrë fund, sepse ashtu duan ta shohin. Ndërsa demokratët dhe gazetarët pranë tyre na ofrojnë një Berishë të moshuar dhe të tërhequr nga vendimmarrja politike, sepse ashtu duhej të ishte.

Ama si dalja e tij e fundit para gazetarëve, ashtu edhe Kuvendi i fundit i PD-së, treguan se Berisha është i vetmi person që merr vendime në PD. Vendimi i tij për të mbetur pjesë e Grupit Parlamentar të PD-së, duke injoruar si kryetarin, kryesinë, grupin parlamentar dhe Kuvendin e partisë, e dëshmon qartë këtë, bashkë me autoritarizmin e tij berishist. Ndaj sot Berisha është më i rëndësishëm se Basha, që gjithnjë e më shumë po shfaqet si vartës apo zgjatim i tij.

Vërtetë ai nuk ka kapur pushtetin, por ka kapur opozitën, duke e vendosur në funksion të ambicieve dhe interesave të tij personale dhe familjare. Nuk kemi të bëjmë me korrupsion shtetëror, si në rastin e qeverisjes Rama, por me korrupsion politik. Ama korrupsioni politik është themeli mbi të cilin ngrihet korrupsioni shtetëror. Në fillim kapet partia dhe nëpërmjet saj shteti.

Është gjithashtu fakt që një nga arsyet se përse PD-ja nuk fitoi në zgjedhjet parlamentare është identifikimi i saj me Berishën. Këtë të fundit elektorati shqiptar, jashtë vathës së ngushtë të PD-së, e ka braktisur me kohë. Gjë që u pa qartë në sasinë e votave që Berisha mori në Tiranë.

Natyrisht, kjo nuk përjashton faktorët e tjerë që i dhanë fitoren PS-së, që nga përdorimi i fondeve publike dhe deri te patronazhistët. Ama humbja e PD-së në të gjitha njësitë urbane në Bashkinë e Tiranës, bashkë me faktin që pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 2021 ishte më e ulët se në 2017, tregojnë se PD-ja nuk e frymëzoi elektoratin gri dhe të pavarur drejt ndryshimit.

Dhe këtu nuk ka asnjë çudi. Nuk mund t’i ftosh shqiptarët në vitin 2021 të votojnë ndryshimin apo të dënojnë korrupsionin e qeverisjes Rama, nëse ndryshimin e përfaqëson Berisha dhe antikorrupsionin aleati i tij Meta.

Pikërisht për këtë arsye fitorja e Ramës është e lidhur ngushtë me ekzistencën politike të Berishës. Nuk është rastësi që ndërsa injoronte dhe tallte Lulin, shënjestra kryesore e tij në fushatë ishte dyshja Berisha-Meta.

E njëjta gjë do të përsëritet në Parlamentin e ri në shtator. Përballë çdo zullumi të qeverisë Rama socialistët do ta drejtojnë gishtin nga Berisha. Opozita “Beri-Basha” e ka të pamundur të denoncojnë regjimin RamaDoshi, kur ky i fundit doli nga Parlamenti me t’u futur në listën e zezë të SHBA-së.

Për sa kohë PD-ja nuk distancohet publikisht nga modeli i lidershipit Berisha dhe nga zullumet e qeverisjes së tij, që nga Gërdeci dhe 21 Janari deri tek aleanca me Metën, Rama dhe PS-ja shumë lehtë mund të vazhdojnë të paraqiten si e keqja më e vogël.

Aq më tepër kur PD dhe PS kanë bllokuar daljen e aktorëve të rinj politikë, votën e të cilëve e vjedhin se bashku në kuti. Kështu bënë me Vetëvendosjen në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ndaj, largimi i Berishës sot është hapi i parë dhe i domosdoshëm për të kërkuar largimin e Ramës nesër. Nuk është as logjike dhe as e mundshme t’i kërkosh sot SHBA-së largimin e Ramës dhe reformimin e PS-së përpara largimit të Berishës dhe reformimit të PD-së.

Argumenti se nuk duhet t’i mëshojmë sot reformimit të PD-së dhe largimit të Berishës, sepse kështu bëjmë lojën e Ramës, është krejt mbrapsht. Berisha është loja politike kryesore e Ramës. Prezenca e tij në Parlament dhe PD është diversioni më i madh përballë keqqeverisjes Rama.

Çuditërisht në këtë pikë SHBA-ja dhe kritikët e Ramës janë dakord. E megjithatë nëse amerikanët propozojnë eliminimin e këtij diversioni dhe reformimin e PD-së, kritikët e Ramës mbështesin injorimin e tij. Dhe kjo është çudia më e madhe, që më shumë se te logjika, burimin duket se e ka tek urrejtja ndaj Ramës.

Ndërkombëtarët që bëjnë “lojën e Ramës” po synojnë t’i shkërmoqin atij fabulën politike që e mban në pushtet. Ndërkohë, kritikët më të ashpër të Ramës bëjnë sikur fabula “Berisha” ose nuk ekziston, ose nuk është e rëndësishme, duke e lënë opozitën në batak dhe Ramën në pushtet.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura