Laptopi i Tom Doshit, ekspertiza: S’ka video ku deputeti kërcënon Bamin

Apr 17, 2015 | 10:19
SHPËRNDAJE

Në laptop-in e deputetit Tom Doshi, i sekuestruar nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për llogari të hetimit ndaj tij, nuk ekziston një video ku ai kërcënon me armë Durim Bamin.

Tom Doshi ne Keshillin e Mandateve

Kjo video është përmendur para prokurorëve të Krimeve të Rënda nga ana e Bamit, personazhi që kishte rolin e atentatorit në “skenarin” e eliminimit fizik të denoncuar publikisht nga deputeti Doshi. Ditën e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme ka mbërritur përgjigja e ekspertimit të laptop-it personal të deputetit nga ana e ekspertëve të Policisë Shkencore.

Burime pranë institucionit bënë me dije se në përfundim të ekspertizës është mbërritur në përfundimin që nuk ka një video ku shfaqet deputeti duke kërcënuar Durim Bamin. Mësohet se laptop-it i është kryer një ekspertizë e pjesshme. Burime jozyrtare pohuan se kjo është për shkak se pajisja është tejet e sofistikuar.

Durim Bami

Konkluzioni i ekspertizës u konfirmua dje edhe nga një prej avokatëve mbrojtës të të dyshuarit Doshi. Mungesa e kësaj prove vë në vështirësi Prokurorinë për vërtetimin e një prej tri akuzave të ngritura ndaj Doshit, atë të “kanosjes për deklarime e dëshmi, ekspertim, ose përkthim të rremë”.

Përveç kësaj akuze, deputeti Doshi po hetohet edhe për akuzat e “kallë- zimit të rremë” dhe “deklaratave të rreme përpara prokurorit”.

GJYKATA E LARTE

Mungesa e kësaj videoje në radhën e provave të zotëruara nga Prokuroria u përmend më herët edhe në vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 28 mars, që caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për deputetin.

“Sipas deklarimeve të të pandehurit Durim Bami, ekziston dhe një videoregjistrim tjetër, i kryer në një banesë të deputetit Tom Doshi në qytetin e Durrësit, për të cilin ai deklaron se është detyruar nga deputeti Tom Doshi, nën kërcënimin e armës, që të deklarojë para kamerës në lidhje me fakte të pavërteta për organizimin e vrasjes së tij nga kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta dhe persona të tjerë, emrat e të cilëve i janë diktuar nga deputeti Tom Doshi. Ky filmim, sipas të pandehurit Durim Bami, disponohet nga shtetasi Tom Doshi, por nuk është vënë në dispozicion të hetimit. Nga analiza e veprimeve hetimore të deritanishme, rezulton se ngjarja nuk është e vërtetë”, thuhet në vendim.

Armand Bajrami 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura