Lamtumirë Rrapi i Tabakëve dhe një tërheqje vëmendje ndaj “nipërve” pranë Namazgjasë

Aug 25, 2021 | 19:08
SHPËRNDAJE

rrapiitabakeve

Prof. Dr. MENTOR PETRELA/ Simboli i fundit biologjik i Tiranës thahet nga pleqëria, nuk kërkoi ndihmë në buzë të Lanës, aty ku hodhi shtat rreth besoj trekatërqind vite më parë.

“Urës së Tabakëve” bashkëkohëse i vdiq shoku që e vështroi kur ajo ndërtohej. Në periferi të qytetit të vjetër, aty ku përpunoheshin lëkuret dhe niseshin rrugët me tentakulat drejt katundeve të juglindjes, mbiu Rrapi i species Platanus Orientalis Balcanicus. Rritet deri në tridhjete metra i lartë me hije të gjerë në Euroazi.

Një i afërm i Rrapit te Xhamia e Tabakëve përballë është fiksuar i tharë në celuloidin e Sadik Kacelit në 1932, duhet të ketë mbyllur ciklin rreth njëqind vite më parë.

Rrapi impresionues me madhështinë e tij do të mbetet ne pikturën e Edward Lear në 1848, së bashku me motrën mitike, Urën, që ngjasojnë për paralelizëm me perëndite e pavdekshme greke në bashkëjetesën e tyre me qeniet biologjike që shuhen siç ishte Rrapi. Sipas Kapka Kassaboves, ne dëshmitë “To the Lake” tregon që Edward Lear, një rrap kushëri i Tabakëve së njëjtës specie, e ka pikturuar në Ohër, megjithëse banorët e sulmuan me gurë duke quajtur si blasfemi artin e tij.

Sipas saj ka qenë mbjellë në Ohër nga Klementi në vitin 893 dhe mbijeton sot në hyrje të Çarshisë. Nga ky episod, Edward Lear vuri fesin dhe me dy roje shqiptare u nis drejt Perëndimit. Me të njëjtin pasion, udhëtari artist liberal, Edward Lear, më pas pikturon Rrapin e Tabakëve. Na lejohet të spekulojmë duke i krahasuar të dyja pamjet dhe hijen të jetë njëmijëvjeçar dhe Rrapi i Tabakëve? Alexandre Degrand, konsull i Francës, në udhëtimin e tij në Tiranë, 1898, e ka fiksuar në celuloid Urën dhe Rrapin me vëllezërit e tij në rrugën e Shën Gjergjit.

Impresionet e tij mbi Tiranën janë mbresëlënëse në ato dy javë të qëndrimit të tij, ku thotë se elita e saj ishte po aq e kulturuar sa elita e Shkodrës, kryeqyteti shpirtëror e institucional ku ai shërbeu për gjashte vite. Baroni Degrand bën dallimin se në Tiranë elita ishte ndërkombëtarë (plejada rrezatuese e Toptanasve kishte shërbyer si misionare, diplomate, administratore ushtarake në Perandorinë Osmane, në rajon, në Europë, në Azi dhe në Afrikë).

Nën Toptanët, Rrapi me gjithë kushërinjtë rreth Sarajeve hodhën shtat. Luigi Pellerano, i komisionuar nga “National Geographic” në 1928, ka përjetësuar në foto Rrapin me Urën e Tabakëve kur syri pineal i fotografit ka fiksuar krenarinë e një ezmereje veshur me dimnit mermeri, që mund ta quajmë Bukuroshen e Tironës. Shërbesën e fundit pa dhënë shpirt Rrapit të Tabakëve ia kreu duke i marrë mesazhin nga zemra Blendi Fevziu, në emisionin e dedikuar në “TV Klan” vitin e kaluar. Kjo përkujtimore është si kënga e fundit e mjellmës për një tërheqje vëmendjeje në kujdesin ndaj pesë nipërve të Rrapit aty pranë Namazgjasë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura