Lamtumirë, profesor Luarasi! Rektori Ruka: Do lartësojmë emrin e universitetit

Nov 24, 2021 | 8:10
SHPËRNDAJE

Të afërm, miq, kolegë e të njohur përcollën dje për në banesën e fundit profesor Aleks Luarasin, akademikun që ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare duke lënë pas një pasuri të çmuar që do të mbahet mend për breza të tërë.

Luarasi

Profesor Aleks Luarasi hodhi themelet e arsimit jopublik në vend me themelimin e Universitetit “Luarasi” në vitin 2003. “PIONIER I ARSIMIT” Tri vite pasi i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i dha lamtumirën. Përmes një mesazhi ngushëllues, kreu i shtetit e cilëson Luarasin një pionier të guximshëm të modernizimit të sistemit arsimor. “I japim sot lamtumirën e fundit njërës prej ikonave të jurisprudencës shqiptare, profesorit të nderuar Aleks Luarasi, simbol i vlerave arsimdashëse dhe intelektuale të shoqërisë dhe kombit shqiptar.

Pionier i guximshëm i modernizimit të sistemit tonë arsimor, kontributi i tij mjaft i spikatur në fushën e mendimit bashkëkohor juridik, në jetën akademike, në institucionet qeverisëse, në forumet ndërkombëtare dhe në shumë angazhime të tjera profesionale me rëndësi madhore në proceset demokratizuese në vend do të mbetet përherë i respektuar. Urtësia, mençuria, vullneti dhe vizioni i profesor Luarasit do të na mungojnë të gjithëve!”.

THEMELUES I UNIVERSITETIT

Homazhe në nder të profesor Luarasit bënë edhe Presidenti i “Hysenbelliu Group”, zoti Irfan Hysenbelliu dhe rektori i Universitetit “Luarasi”, zoti Et’hem Ruka. Për Presidentin e “Hysenbelliu Group”, pjesë e të cilit është edhe Universiteti “Luarasi”, profesor Aleks Luarasi ka lënë pas shembullin e tij të rrallë për brezat e juristëve në sistemin e drejtësisë.

“Profesor Luarasi ishte një nga njerëzit me shumë vlerë, një nga njerëzit shumë të ditur që ka kontribuar në shoqërinë shqiptare në sistemin e drejtësisë. Luarasi ishte një person i dashur dhe komunikues. Universiteti ‘Luarasi’ – universiteti i parë – u ngrit prej profesorit dhe ai e kishte rritur me shumë dashuri dhe në kohën që ne e kemi blerë ai e kishte me shumë merak që ky universitet të rritej dhe të ngrihej më tej.

Në bisedën që kemi bërë së bashku ai e kishte me shumë dëshirë që ‘Luarasi’ të forcohej më tej dhe këtë gjë e arritëm. Luarasi sot është në një pozicionet më të mira në Tiranë, ruan emrin e tij dhe ka arritur atë dëshirë dhe do të ecë më tej duke ruajtur më fort emrin e tij”, tha Presidenti i “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu.

Rektori i Universitetit “Luarasi”, Et’hem Ruka, ka vlerësuar figurën e profesor Aleks Luarasit si një intelektual i spikatur që la mbrapa një thesar me vepra dhe themelues i Universitetit “Luarasi”. “Sot po ndahemi me një hidhërim të thellë me një personalitet të shquar siç është profesor Luarasi, i cili meriton t’i thuhet çdo fjalë e mirë që ka fjalori i gjuhës shqipe. Ishte intelektual i spikatur, një burrë i urtë, i mençur, i ndershëm, që la mbrapa një thesar me vepra sidomos për historinë e shtetit dhe për të drejtën dhe që sot lutemi për shpirtin e tij të prehet në paqe.

Profesor Luarasi, pavarësisht se një ditë nuk e pati më pronën e tij, por kaloi në pronësi të grupit Hysenbelliu, ai e shoqëroi atë deri në fund. ‘Luarasi’ mban emrin e tij, njëkohësisht profesori ka qenë pjesë integrale e universitetit ‘Luarasi’ dhe kryetar i bordit të Universiteti. Universitet i cili pastaj u rrit me fakultete të tjera, por sido që të jetë mbi godinën e tij do të jetë gjithmonë emri i profesor Luarasit”, theksoi Ruka. Të shumtë ishin miqtë dhe institucionet ku ka punuar profesor Luarasi që u hidhëruan për humbjen e tij. Akademia e Shkencave e Shqipërisë të përkujton profesorin si një ndër gurët e çmuar që vuri themelet në historinë e së drejtës në vend.

“Akademia e Shkencave të Shqipërisë shpreh me dhimbje ngushëllimet për ndarjen nga jeta të profesorit dhe studiuesit të shquar Aleks Luarasi, profesor i historisë së shtetit dhe të së drejtës në Shqipëri. Ngushëllimet më të thella për familjen, miqtë dhe për komunitetin e drejtësisë në vend”. Edhe Universiteti i Tiranës, për të cilin kontribuoi ndër vite me radhë profesori, shprehu mesazh ngushëllues. “Arsimi dhe bota akademike shqiptare humbë sot një njeri të çmuar. Prof. dr. Aleks Luarasi nuk e fitoi dot betejën me Covid-19 duke u ndarë nga jeta. Humbëm një studiues dhe një pedagog të çmuar”.

Universiteti “Luarasi” në zi, një minutë heshtje në nder të profesorit

Drejtues, pedagogë dhe studentë të Universitetit “Luarasi” e nisën ditën e tyre të mësimit me një minutë heshtje në nder të themeluesit Aleks Luarasi. Një ditë pas ndarjes nga jeta të akademikut Aleks Luarasi, stafi pedagogjik i Universitetit shkruan se shtëpia e dijes që profesori themeloi është në zi për ndarjen e tij nga jeta, por fatbardhë për pasurinë njerëzore që la pas. “Ashtu sikurse fëmija e ka të vështirë të ndahet nga prindi, ashtu edhe ne, i nderuar profesor Luarasi, e kemi të vështirë t’ju themi lamtumirë! Profesor Aleksi ka edukuar me dhjetëra breza studentësh, prej të cilëve do të mbahet mend për artin e tij të mësimdhënies, durimin, mençurinë, pasionin dhe thjeshtësinë.

Ai ka qenë jo thjesht themelues i Universitetit ‘LUARASI’, por edhe një baba shpirtëror për studentët, kolegët dhe të gjithë ata që e rrethonin. Ne, pedagogët dhe studentët e Fakultetit të Drejtësisë, të cilët u brumosën jo vetëm me thesarin e dijes Suaj, por edhe me shpirtin e drejtësisë dhe të së vërtetës, sot ju themi: U prehsh në paqe ashtu si vetë shpirti Yt i paqtë!”, shkruhet në faqen e Universitetit. Profesor Aleksi ka edukuar me dhjetëra breza studentësh, prej të cilëve do të mbahet mend për artin e tij të mësimdhënies, durimin, mençurinë, pasionin dhe thjeshtësinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura